Një familje nasalase që ka ndryshuar shumë nga e kaluara e saj (reportazh)

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Nga qendra e fshatit Zhegër, në rrugën që të shpie drejt për në fshatin Llashticë, vetëm 120 metra, në të majtë, jeton familja e Qahil Ukshinit. Është familje me tradita të hershme atdhetare. Kjo familje është e ardhur nga fshati Nasalë. Një familje me të kaluar të ndritshme e të respektuar. Pse jo? Ajo është ndër familjet e dalluara dhe mjaft të hershme të këtij lokaliteti.

Fshati Nasalë, nga cili është shpërngulur familja Ukshini, ka një histori në vete. Është vendbanim fushor. Këtë e ka thënë edhe Dr. Jusuf Osmani, historian. Ai ndalet tek familjet që jetojnë në këtë lokalitet. Pra, tash në Nasalë jetojnë familjet Emini, Ukshini, Aliu, Selimi, Veliu, Bekteshi, Ramadani, Rashiti etj. Ai shton se, ky lokalitet “është vendbanim i vjetër. Sipas disa burimeve, është vendbanim që nga neoliti”. Pra, Nasala është vendbanim i hershëm, ku popullata e këtij mesi e ka pëlqyer këtë vend, për faktin së ka ujë me bollëk. Fshati në fjalë shtrihet buzë lumit Moravë dhe ka ujëra të thartë nëntokësor. Jo vetëm kjo.

Ditë më parë e vizituam familjen e Qahil Ukshinit, në Zhegër. Aty na pritën në mënyrën më të mirë të mundshme, djali i Qahil Ukshinit, Jonuz Ukshinin. Jonuzi (1963), para disa vjetësh ka pasur aksident trafiku në Velekincë. Tash rënkon pak, por ndjehet mirë. Pa një pa dy, ai na tha: “Mirë se vini në familjen tonë! Ardhja e juaj po na nderoni shumë. Ne edhe më parë, sa ishim në Nasalë, kemi qenë komshi të mirë në mes vete. S’ po e harrojmë njëri-tjetrin. Kjo është e mira jonë…”

Kur e pyetëm se para 6 vjetwsh janë vendosur në këtë vend, në Zhegër, ai na u përgjigj: “Shihni, vendlindja është vendlindje. Ajo si do që të jetë, emrin e ka vendlindje. Shihni, shtoi Januzi, – nga këtu e shoh mirë vendlindjen time. Vështirë është të ndahesh nga ai troll ku je lindur. Nasala ishte më parë një vend pa perspektivë. Rruga, shkollimi, udhëtimi gjer në qytet, Gjilan, bëhej me mund të madh. Kjo “gjendje” e shtyri babin tim Qahilin ta ndërrojë vendlindje. Nuk jemi keq. Këtu kemi afro dy hektar vend. Këtë vend e kemi bërë si saraj. Kush kalon afër shtëpive tona, i mbetet syri duke i vërejtur shtëpitë e vëllezërve tanë që punojnë në Zvicër. Katër shtëpi i kemi ndërtuar si kulla. Qahili, baba ynë, sa e priti, nuk e gëzoi edhe pak kohë. Ai iku para kohe. Bile, kur ka vdekur, sytë i shkuan kah Nasala, sepse fort e ka dashur atë vend të lindjes. Në një kohë, kur rruga Nasalë – Lladovë nuk kalohej nga dëbora e madhe, ai e merrte kalin dhe e qelte rrugën. Nuk ka përtuar për të bërë mirë sa herë ka pasur nevojë në fshat…”

Kur është tek familja Qahil Ukshini, ajo në këtë vend ka ardhur më herët se familjet të tjera. Sipas Ilaz Jasharit, familja e parë ka ardhur nga Stara Sella (katundi i vjetër). Sidoqoftë,
familja Ukshini ka gëzuar me kohë respekt nga të gjitha familjet tjera. Kjo familje është zgjeruar mjaft shumë. Është familje me traditë edhe atdhetare dhe e respektuar. Të parët e kësaj familjeje janë Beqa, Bajrami gjer tek Qahili, djali i Bajramit. Ky i fundit, Qahili ka vdekur në vitin 2017. Ishte djalë i vetëm i Bajramit, i cili e trashëgoi të gjitha të mirat dhe vetitë e atit të tij.

Sa jetoi Qahil Ukshini (1936-2017), në Nasalë, pati emër dhe qe i respektuar nga të gjithë. Ai ishte punëtor i madh i bujqësisë. Ka punuar pak në punët rrugore. Thonë, baba i tij Bajrami, në një kohë të hershme, atë e ndali nga shkolla, sepse politika e asaj kohe ishte se, ata që vijojnë shkollimin, dalin jashtë urdhrit të Zotit. Qahili e dashti shkollën. E lakmoi të bëhet shkollar. Baba i tij, Bajrami pati shumë miq e të afërm të tjerë. Oda e tij kurrë s’ka qenë e zbrazur prej mysafirëve. Atë që e zinte nata, kthehej në odën e Bajram Ukshinit. Bile, sa herë janë mbajtur votimet e qytetarëve të këtij lokaliteti, ceremonia e votimit kryhej në odën e Bajramit. Vërtet, kjo familje shënon një histori në vete.

RCCOLA

Fikrije Ukshini është gruaja e Qahilit. Ajo akoma jeton. Na duket se i ka 65 vjet, por jo. Ajo tash i ka 72 vjet moshë. Është një grua e ruajtur dhe shumë e respektuar nga fëmijët. Ajo i do fort fëmijët. Pse jo? I ka 4 djem e tri vajza. Djemtë e saj, Jonuzi, Ismajli, Fadili dhe Arifi jeton si një. Vetëm Jonuzi jeton me familjen e tij të ngushtë në Zhegër.

Edhe Fikrija, nëna e Jonuzit, nuk e la pa folur. Ajo është bijë e Radivojcit dhe nuse e Nasalës. Ajo na shtoi: “Unë, sa isha në Nasalë, kam punuar shumë. Kam punuar dhe punën e kam dashur. Tash punoj, por “gjendjen” e mirë, ma kanë krijuar fëmijët. Kurrë ma mirë s’kemi qenë. I kemi me bollëk të gjitha sendet. Nuk na mungon asgjë. Jetojmë dhe e gëzojmë këtë jetë në liri. Fëmijët, që më janë në botën e jashtme, Zvicër, na kanë ndihmuar shumë. Edhe tash na ndihmojnë dhe na kanë krijuar të mirat e jetës. E kanë rregulluar oborrin dhe duket si të jetë tepi. Kanë mbjellur pemë të ndryshme. Të gjitha shtëpitë e djemve janë të njëjta. Pos Januzit, i cili jeton me mua, të tjerët fëmijë më janë në Zvicër, Zhenevë, si: Ismajli, Fadili e Arifi. Janë punëtorë. Kur flas me ta, sikur mi shërojnë dhembjet. Sidomos, kur fëmijët vijnë verës në pushim, atëherë tek ne është dasëm. Secili djalë na fton në darkë e drekë. Grumbullohemi dhe kënaqemi në mes vete. Tri vajzat i kam të martuara. Azeminen e kam të martuar në Beguncë, Fatimen në Viti, por përkohësisht ajo jeton në Zhenevë, ndërsa Hanmia është e martuar në Malishevë të Gjilanit. Janë të gjitha në vend të mirë. Kanë krijuar familje. I dua dhe më fort më duan”- ka shtuar nëna e tyre, Fikrija. Jo vetëm kjo.

Familja e Qahil Ukshinit e ardhur nga Nasala në Zhegër, nuk i harron varret e të parëve të tyre. Jo vetëm në ditët e caktuara, por edhe në ditë tjera, ata, si një, i madh e i vogël gjenden tek të “gjallët” e tyre për të mos i harruar. Jonuzi, ndonëse me pak dhembje trupi, ai na rrëfeu edhe këto ngjarje të familjes së tij: “Baba ynë, Qahili e pati më vështirë të largohet nga trolli i ta parëve. Por, erdhi koha “tjetër”. Sepse, e pati rënd të largohet nga toka e pëlleshme që kemi në vendin e lindjes. Tash ka ardhur kohë tjetër. Të gjithë vëllezërit e mi, Ismajlil, Fadili e Arifi, ikën në botën e jashtme. Janë mirë. Na kanë ndryshuar tërësisht jetën. Pra, është krijuar një “gjendje” tjetër jona si familje. Ndërruam trollin. Ky troll, ku jemi sot, është zemra e shpirti i jetës. Kemi ndërtuar 4 shtëpi të reja, të cilat na duken si kulla. Dhe, vërtet, janë kulla.
Ne vëllezërit duhemi dhe ndjehemi fort mirë. Asnjëri nuk ndahet, por e dëgjojnë fjalën e nënës, Fikrije. Ajo na bashkon dhe na jep gjallëri për jetët. Jemi bërë familje e gjerë. Gjer më tani kemi afro 12 fëmijë. Janë duke vazhduar shkollimin.

Të parët tanë Beqa, Bajrami (gjyshi) dhe baba ynë, Qahili, na lanë vepra atë mira. Qahili na ishte prind punëtor dhe na ka respektuar shumë. Ndonëse ai na mungon tash e një vjet, jetën e vazhdojmë me nënën Fikrije dhe fëmijët Bajramin, Bulenin dhe me një vajzë të vogël. Buleni tash i ka mbushur 18 vjet moshë. Po vazhdon shkollimin në fakultet në Gjilan. Me fjalë të tjera, familja jonë ka bërë ndryshime të mëdha nga e kaluara. Këtu, në Zhegër i kemi të gjitha të mirat e jetës. Rruga na është afër shtëpisë. E kemi afër shkollën, ambulancën, tregun, të afërmit tanë dhe “sende” të tjera. Po e lusim Zotin të kemi shëndet. Nuk jemi më në Nasalë, ku kemi hequr të zitë e ullirit. Tash jetojmë ndryshe, më bukur se më parë. Atje, në Nasalë, nuk kemi pasur shitore, as rrugë, as dru për dimër, por kemi jetuar si të “izoluar” nga bota. Mezi kemi dalë nga dimri i ashpër. Kem jetuar me shumë mund e punë.

Edhe ato vite që i kemi kaluar, kanë qenë të stërngarkuara me jetën e rëndë. Kur kemi pasur ndonjë raste të sëmura nga familja, jemi detyruar ta kalojmë ujin e Moravës edhe në kohës dimri. Ose, rruga kah Lladova ka qenë e tëra me baltë dhe ujë. Kanë hequr edhe kafshët shtëpiake. Pra, kemi jetuar si në një vend të ndarë dhe të izoluar nga bota. Tash, është krejt tjetër jetë. Dielli i parë që i lëshon rrezet, bien në ballinat e shtëpive tona. Dhe, thonë, “Ku hyn dielli, nuk hyn mjeku”! Kjo është e vërtetë. Vetëm me punë ia kemi dalë ta bëjmë këtë ndryshim jete. Njeriu duhet ta kërkojë fatin dhe të bukurën e saj”, tha në fund Jonuz Ukshini, një qytetar, i cili është shpërngulur para 6 vjetësh nga trolli i të parëve, por që tani ka ndryshuar rrënjësisht jetën në të mirë.

U ndamë nga kjo familja Ukshini, e cila na la mbresa të thella për ndryshimin e jetës kah e jeta e re, sot…/tefik selimi/rajonipress/