Uji Dea

Nga llogoret në sallën e gjyqit: Udhëheqësit e luftës së Kosovës përballen me një betejë të re

/ 11 minuta lexim

Më shumë se dy dekada pasi luftuan përkrah njëri-tjetrit, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë ribashkuar në Gjykatën Speciale për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Në vitin 1998, gjatë muajve të parë të luftës në Kosovë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi punonin të gjithë së bashku në një ndërtesë të vogël në fshatin e largët të Likocit në majë të një kodre, që shërbente si shtabi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Më 3 prill, katër liderët e kohës së luftës do të jenë sërish bashkë, këtë herë para prokurorëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në sallën e gjyqit në Hagë për t’i dëgjuar akuzat kundër tyre të lexuara në sallën e gjyqit, ndërkohë që fillon gjykimi i tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të cilët të gjithë u bënë politikanë të lartë pas përfundimit të luftës së viteve 1998-99, akuzohen se janë përgjegjës për kryerjen e një sërë krimesh kundër qindra civilëve dhe joluftëtarëve gjatë konfliktit të armatosur.

Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Hashim Thaçi: Presidenca i shkurtohet për shkak të aktakuzës

25 vitet e fundit qysh kur ai u bë drejtor politik i UÇK-së, për Hashim Thaçin 55-vjeçar, kanë qenë një kohë plot ngjarje.

Në vitin 1998, ai mbante kontakte me diplomatë nga një fshat i Kosovës, ndërkohë që i shmangej ndjekjes nga policia serbe. Disa muaj më vonë, ai e gjen veten në një avion ushtarak francez nga aeroporti i Prishtinës i kontrolluar nga Serbia në rrugën e tij për në kështjellën mesjetare të Rambujesë në Francë, ku, për befasinë e shumë njerëzve, ai e udhëhoqi delegacionin e Kosovës në bisedimet përfundimisht joproduktive me përfaqësuesit e presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq.

Kur u kthye në Kosovë, NATO po i niste sulmet e saj nga ajri në Jugosllavinë e atëhershme të cilat kishin si qëllim ta detyronin Millosheviqin t’i jepte fund fushatës së tij të represionit, ndërkohë që Thaçi po e themelonte qeverinë e tij të përkohshme për periudhën e pasluftës, në të cilën ai do të ishte kryeministër, megjithëse kishte vetëm kompetenca të kufizuara sepse OKB-ja mori kontrollin mbi Kosovën pas tërheqjes së Millosheviqit.

Kur lufta përfundoi në qershor të vitit 1999, Thaçi përdori një helikopter të NATO-s për t’u kthyer në selinë kryesore të UÇK-së në fshatin Berishë të Kosovës dhe nuk e veshi më asnjëherë uniformën e UÇK-së. Në vend të kësaj, Thaçi themeloi një parti politike, Partinë Demokratike të Kosovës, PDK (fillimisht Partia e Progresit Demokratik të Kosovës), të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2016 kur u bë president i Kosovës.

Para se të bëhej udhëheqës shteti, Thaçi shërbeu si kryeministër (vitet 2008-2014) dhe më pas njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm (2015-2016) pasi partia e tij fitoi tri palë zgjedhje parlamentare radhazi në vitet 2007, 2010 dhe 2014.

Më 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, Thaçi lexoi deklaratën, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në historinë e vendit dhe duke u vendosur si lideri i pakontestueshëm i shtetit të porsalindur.

Por, përderisa ai ka qenë një figurë kyçe për më shumë se dy dekada, ai gjithashtu është përfshirë nga polemika, përfshirë edhe akuzat për krime të kryera nga udhëheqësit e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës.

Në dhjetor të vitit 2010, Thaçi pësoi një nga goditjet më të mëdha të karrierës së tij, kur Këshilli i Evropës publikoi një raport përmes të cilit pretendohej se ai ishte udhëheqësi i një rrjeti të krimit të organizuar i përfshirë në vepra, mes tjerash, edhe për trafikimin e organeve në fund të luftës së Kosovës.

Thaçi e quajti raportin “skandaloz” dhe “të mbushur me shpifje dhe gënjeshtra” dhe më vonë njoftoi se do ta padiste autorin e raportit, politikanin zviceran Dick Marty, megjithëse një padi e tillë nuk ndodhi kurrë.

Akuzat e Martit u hetuan më pas nga një grup pune i BE-së, e cila arriti në përfundimin se Thaçi dhe të tjerët mund të përballeshin me akuza për krime lufte, megjithëse thoshte se nuk kishte prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për trafikim organesh.

Një dekadë pas akuzave shpërthyese të Marty-t, në nëntor të vitit 2020, Thaçi dha dorëheqjen nga posti i udhëheqësit të shtetit dhe u dërgua në gjykatën e Hagës, dhe që nga atëherë ai është në paraburgim në pritje të gjykimit të tij.

“Kjo nuk është një lamtumirë, por vetëm një mirëupafshim”, ishin fjalët e fundit në fjalimin e tij të dorëheqjes përpara se të hipte në një aeroplan special për në Hagë dhe në fazën tjetër të jetës së tij përplot me ngjarje.

Kadri Veseli, ‘udhëheqësi sekret’

Kur mediat kosovare transmetuan një deklaratë të regjistruar paraprakisht të Kadri Veselit në qershor të vitit 2008, një ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së parë të Kosovës, publiku më në fund qe në gjendje të shihte se si dukej në të vërtetë personi për të cilin të gjithë kishin folur.

Veseli kishte qenë udhëheqësi i shërbimit të fshehtë të inteligjencës së Kosovës, SHIK, që nga themelimi i tij në vitin 1999. SHIK-u ishte i diskutueshëm sepse nuk ishte themeluar me asnjë legjislacion dhe nuk i raportonte askujt.

Kushtetuta e re ngriti një shërbim ligjor inteligjent dhe i dha fund SHIK-ut. Mirëpo operacionet e këtij shërbimi mbeten të paqarta dhe Veseli është nga të paktët që e di saktësisht se çfarë ka bërë.

Veseli këmbëngul, megjithatë, se SHIK-u nuk është përdorur asnjëherë për qëllime politike. “Veprimtaria e SHIK-ut kishte të bënte thjesht me sigurinë… SHIK-u nuk ka ndërhyrë asnjëherë në politikë. Është një nënkuptim absurd sepse ishte krejtësisht apolitik; siguria kombëtare ishte aktiviteti i saj i vetëm,” ka deklaruar Veseli për BIRN në vitin 2017.

Mobi Casa

Veseli zyrtarisht u fut në politikë në nëntor të vitit 2012 kur u bë nënkryetar i partisë së Hashim Thaçit, PDK.

Në vitin 2014, në zgjedhjet e para kur ishte në listën e kandidatëve, Veseli fitoi mandatin e deputetit dhe më pas u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Më vonë Veseli e zëvendësoi Thaçin (themeluesin e partisë ) si udhëheqës i PDK-së pasi ky i fundit u bë president i Kosovës në vitin 2014 dhe shërbeu si kryetar i parlamentit.

Ngritja e tij e shpejtë politike nuk ishte befasuese për shumicën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë, të cilët ia atribuojnë atë fuqisë që ai mori gjatë udhëheqjes të organizatës së inteligjencës – dhe miqësisë së tij të ngushtë me Thaçin.

Në fjalimin e tij të parë si udhëheqës i PDK-së në maj të vitit 2016, Veseli pranoi se në Kosovë ishin grumbulluar probleme gjatë qeverisjes së partisë së tij – periudhë kur vendi kritikohej ndërkombëtarisht për korrupsion dhe qeverisje të keqe.

Veseli lindi në Mitrovicë në vitin 1967 në një familje aktivistësh politikë – dy vëllezërit e tij më të mëdhenj dhe një kushëri u arrestuan nga autoritetet jugosllave në vitin 1981 – dhe Veseli gjithashtu u bë aktivist ndërsa studionte në Universitetin e Prishtinës në vitet 1986-87.

Atje, ai iu bashkua Lëvizjes Popullore të Kosovës, LPK, një organizatë marksiste-leniniste e shqiptarëve të Kosovës, e themeluar në vitin 1982, me qëllim të avancimit të statusit të Kosovës nga një krahinë autonome e Serbisë dhe Jugosllavisë në republikë jugosllave.

Rexhep Selimi, një artist mes guerilëve

Në nëntor të vitit 2022, Muzeu i Kosovës organizoi një ekspozitë me piktura, disa prej të cilave erdhën nga qendra e paraburgimit në Hagë.

Artisti pas këtyre veprave nga prapa grilave të burgut ishte Rexhep Selimi, 52-vjeç, i akuzuari i tretë për krime lufte në gjykimin e liderëve të UÇK-së.

“Arti i tij nuk mund të ndalet nga vendi ku ndodhet dhe koha që po kalon”, thotë bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, tani deputete e partisë në pushtet Vetëvendosje, në hapjen e ekspozitës.

Ishte Selimi ai që e bëri paraqitjen e parë publike si pjesëtar i UÇK-së, së bashku me dy pjestarë të tjerë, të gjithë të maskuar, në nëntor të vitit 1997 në funeralin e një mësuesi që u vra nga forcat serbe në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Si një nga themeluesit e UÇK-së, Selimi ishte në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së gjatë rezistencës së armatosur të viteve 1998-99 dhe ishte i zgjedhuri i Hashim Thaçit për ministër të Brendshëm në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, e cila u krijua pas bisedimeve në Rambuje në shkurt të vitit 1999.

Pas luftës, në vitin 2000, Selimi u bë komandant i Qendrës së Stërvitjes dhe Doktrinës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, organ i emergjencës civile i themeluar pas çarmatosjes së UÇK-së.

Mirëpo, karriera e tij ushtarake pësoi një goditje në vitin 2001 kur emri i tij u fut në listë të zezë nga administrata amerikane e Presidentit të atëhershëm George W. Bush. Selimi u sanksionua së bashku me të tjerë të ndryshëm që ishin të lidhur me konfliktin e armatosur midis luftëtarëve etnikë shqiptarë dhe forcave të sigurisë në Maqedoninë e Veriut atë vit. Urdhri ekzekutiv i Bushit thoshte se SHBA-ja kishte në shënjestër individë të cilët “i kërcënojnë përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor”.

Në vitin 2005, Rexhep Selimi iu bashkua partisë së themeluar nga Ramush Haradinaj, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, mirëpo pesë vjet më vonë ia kaloi besnikërinë e tij Lëvizjës Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti. Ai u zgjodh deputet i Vetëvendosjes dhe më vonë u bë kryetar i grupit të saj parlamentar.

Jakup Krasniqi, mësimdhënës historie dhe veprimtar

Jakup Krasniqi, tani 72-vjeçar, u bë kryefjalë në pranverën e vitit 1999, kur u shfaq për herë të parë në publik si zëdhënës i UÇK-së, në një dhomë të errët i shoqëruar nga dy luftëtarë të armatosur dhe me uniformë të cilët rrinin prapa tij.

Historian me profesion, Krasniqi e kaloi pjesën e hershme të karrierës së tij si mësues historie në shkollën fillore të fshatit të tij në Negrovc dhe më pas si profesor në një shkollë të mesme në Drenas.

Aktivist që në rininë e tij, ai u arrestua në vitin 1981 për aktivitetet e tij politike kundër Jugosllavisë komuniste dhe vuajti dhjetë vjet burg. Pas lirimit të tij në vitin 1991, Jakup Krasniqi u bë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, derisa UÇK-ja e mori rajonin e Drenicës në vitin 1998.

Krasniqi ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet e Rambujesë dhe pas luftës iu bashkua PDK-së së Thaçit, duke shërbyer për më shumë se një dekadë si sekretar i përgjithshëm i partisë.

Në vitin 2008, ai u zgjodh kryetar i Kuvendit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2014, kur i ndau rrugët me Thaçin dhe themeloi partinë e tij, Nisma (Nisma) së bashku me ish-bashkëluftëtarin e tij të UÇK-së, Fatmir Limaj. Në kohën kur u arrestua, Krasniqi tashmë ishte në pension.

“Unë jam intelektual, jam një person që e kam luftuar Serbinë me mjete politike dhe asnjëherë nuk e kam drejtuar gishtin mbi popullatën civile, qoftë serbe apo ndonjë etnie tjetër”, pati deklaruar Krasniqi në gjykatë me emocione më 9 nëntor të vitit 2020, ditën kur u shfaq në Dhomat e Specializuara për herë të parë pas dërgimit në Hagë./Balkan Insight