Fundamenti

Nga kush zhvlerësohen figurat kombëtare?

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Nga Reshat Sahitaj – Çuditërisht, gjatë çdo bisede private, familjare, madje edhe zyrtare, të gjitha përfundojnë me zhvlerësimin e figurave tona kombëtare. Nuk ekziston mbase vetëm një figurë e pranueshme për të gjithë, ngase për secilin personalitet do të gjejmë anët negative që ai/ajo të etiketohet si anti-kombëtare. Sikur një gjë e tillë të bëhej për personalitetet bashkëkohore do të ishte e kuptueshme, sepse emri i tyre e rrezikon postin e tjetrit, mirëpo kjo po ndodh edhe me figura të një largësie shekuj më parë e që me emra të tyre ne duhet të krenohemi.

Pretekste debile për zhvlerësime

Pavarësisht që për disa figura të kohës së mëhershme nuk kemi studime komplete, si për mbretin Bardhyl, Gencin apo Teutën, në kohën aktuale me ato pak fakte që posedomë duhet të mburremi që jemi pasardhës të këtyre figurave, e veç- mas të mbretëreshës Teuta, e cila sundoi qindra vjet më parë se Kleopatra, e cila është e njohur në historinë botërore, ose të Olimpisë, nëna e Aleksandrit të Madh. Gjatë tërë historisë populli ynë ka dhënë figura, që po të ishin pjesë e një populli tjetër, ata do të shndërroheshin në figura botërore, si: Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Hasan Prishtina, Nënë Tereza, Adem Demaçi, Adem Jashari… e shumë e shumë të tjerë, që ishin dhe do të mbeten krenaria jonë.

Mirëpo, te ne shqiptarët, sikur ekziston një ndjenjë xhelozie autodestruktive, dhe do të përpiqemi me çdo kusht t’i zbulojmë të pazbulueshmet e të përhapim dezinformata duke hedhur baltë e pluhur mbi krenarinë tonë. Sikur zhvlerësimet të bëheshin vetëm gjatë bisedave private ndërshqiptare, nuk do të ishte ndonjë problem madhor, por çështja është se këto dhe figurat e tjera kombëtare njollosen edhe përmes shkrimeve nga disa intelektualë, të cilët krekosen përmes mjeteve të informimit në televizione dhe portale të shumta se e paskan zbuluar se Skënderbeu nuk paska qenë i gjatë, nuk paska qenë me muskuj të zhvilluar të një sportisti e se ai nuk paska luftuar kundër Perandorisë Osmane për krijimin e shtetit shqiptar , por për Vatikanin. Sipas këtyre pseudo-intelektualëve, Skënderbeu duhet të hiqet nga historia dhe fëmijët tanë të gjeneratave të ardhshme duhet të mësojnë për Sulltan Muratin si shpë- timtar i popullit tonë dhe gjuhës sonë. Në gjendje më të mirë nuk qëndron as Ali Pashë Tepelena, sepse, sipas pseudo-intelektualëve tanë të shitur e të pashitur, ai paska qenë pederast.

Imagjinojeni se sa larg shkon imagjinata jonë e varfër për të gjetur pretekst të urrehet Ali Pashë Tepelena, që ishte mik i poetit të njohur botëror Bajronit, që shërbente shembull për inspirim të romanit të njohur botëror “Konti i Monte Kristos” nga Aleksandër Dyma e shumë e shumë piktorëve, dramaturgëve, muzikantëve në mbarë Evropën. Nuk qëndron larg ofendimeve, sharjeve, fyerjeve as Nënë Tereza, pranë emrit të së cilës përkulet çdo personalitet botëror, por jo ne shqiptarët, sepse për disa të shitur e të pashitur Nëna Terezë ka kontribuar për Vatikanin, shkruajnë disa nga tanët.

Komandanti legjendar Adem Jashari po ashtu nuk kursehet nga etiketimet, sharjet dhe ofendimet që i bëhen kësaj figure legjendare për të cilin Bernard Kusheneri thoshte se po të ekzistonte çmimi Nobel për sakrificë, Adem Jashari do të dekorohej, mirëpo për ne shqiptarët Adem Jashari e kishte shtëpinë afër depos së municionit dhe se diçka nuk ishte në rregull me të, thonë e shkruajnë disa të shitur e të pashitur. Nëse me vëmendje i lexojmë gazetat tona, portalet tona, disa libra “shkencor” tonë, do të vëreni se nuk ka asnjë figurë kombëtare për të cilën nuk shkruajnë keq. Vetëm të ndalen me shkrimet e tyre autodestruktive, nuk ka rrezik, por problemi është se këta bëhen zëdhënës të së keqes dhe si tellallët e dikurshëm me libra të tyre nën sqetulla dalin në televizione e në biseda me shokë duke u krenuar se paskan zbuluar se filan figure historike jona nuk duhet të ekzistojë në faqet e lekturave shkollore, e në vend të tyre të mësohet Sulltan Murati e sundues të tjerë që vranë e masakruan popullin tonë shekuj me radhë.

Vlerësohen të pamerituarit

Diçka absurde dhe e pabesueshme po ngjan ndër ne shqiptarët, kur lexojmë studime “shkencore” mbi veprimtarinë e disa figurave, të cilat nuk e meritojnë të jenë në faqet e historisë, e aq më pak t’u ndërtojmë përmendore e të disa institucione t’i emërojmë me emra të tillë. Disa studiues të shitur ose të pashitur fluturojnë në hapësirë e kohë për të gjetur “fakte” se gjatë Perandorisë Osmane ka pasur qindra oficerë shqiptarë, ka pasur kaq e kaq shqiptarë në oborrin mbretëror të sulltanëve të Perandorisë Osmane, duke u krenuar me ata të cilët i jepnin informata sunduesve sesi duhet shtypur e masakruar populli ynë.

Eco Higjiena

Pa asnjë fije turpi shqiptarët krenohen me Sulltan Muratin, i cili dhunoi, masakroi, vrau e preu shqiptarët më të devotshëm vetëm e vetëm pse kërkonin liri për popullin e vet. Perandorinë Otomane e quajnë demokratike dhe humaniste, edhe më keq; e quajnë shpë- timtare të popullit shqiptar. Të njëjtët studiues të shitur ose të pashitur e bëjnë krahasimin me Perandorinë e Jugosllavisë, duke shkruar se Fadil Hoxha, Sinan Hasani e shumë të tjerë kishin aftësi të jashtëzakonshme, saqë ky i fundit ishte edhe kryetar i Jugosllavisë.

Perandoria e Jugosllavisë nuk ka asnjë ndryshim prej Perandorisë Osmane, sepse që të dy ishin sunduese, e për ta zgjatur sundimin shërbeheshin me njerëzit e popullit tonë, të cilët ne sot dëshirojmë t’u ngrehim përmendore si burra e gra të mira që ishin. Ne shqiptarët nuk hezitojmë ta rehabilitojmë as Ahmet Zogun, i cili kishte nënshkruar marrëveshje më Serbinë të kthehej në Shqipëri e si kundërshpërblim t’ia falte një pjesë të mirë të territoreve më të bukura shqiptare. Është e paimagjinueshme të vrapojmë për t’i përvetësuar disa personalitete botërore të njohura e t’i mësojmë ata se kishin ose kanë origjinë shqiptare e që nuk kanë të bëjnë asgjë më ne. Në mesin e këtyre personaliteteve botërore janë yje të ndryshëm të Hollivudit si dhe figura të mëdha të vendeve te tyre, por që nuk kanë të bëjnë asgjë me origjinën si shqiptar.

Mirëpo, kemi edhe disa figura shumë të njohura vërtet me origjinë shqiptare, si Mehmet Ali Pasha, i cili e krijoi Egjiptin, e që nuk bëri asgjë për popullin e tij. Në anën tjetër, kemi po ashtu figura të njohura me origjinë shqiptare që arritën poste të larta në Vatikan, por që kurrë nuk i ndihmuan popullit prej nga e kishin origjinën. Ngritja e figurave të tilla dhe zhvlerësimi i figurave kombëtare, është shenjë se ne jemi autodestruktivë.

Si u zhvlerësua lufta çlirimtare ?

Është e njohur se pa luftë nuk vjen liria e asnjë populli. Lufta çlirimtare ishte obligim dhe domosdoshmëri, për të gjithë ata që e dëshironin lirinë e jo partinë politike. Me çlirimin e Kosovës, shefat e luftës rreth tyre i afruan ata që nuk luftuan, por që lidheshin me interesa të ndryshme personale, duke i injoruar një pjesë të madhe të shokëve të tyre luftëtarët e vërtetë të lirisë. Shefat e luftës vepruan edhe më keq, jo vetëm që i privilegjuan ata që nuk luftuan, por u ofruan shërbime për mbrojtje ishbashkëpunëtorëve të armikut, duke i mbrojtur si veprimtarë të çështjes kombëtare e si kundërshpërblim ata paguanin për sigurinë e jetës së tyre. Disa nga këta të mbrojtur arritën që më para të merrnin edhe poste të rëndësishme në Qeveri dhe në Kuvend, e të cilët disa prej tyre dyshohet se janë dëshmitarë të Gjykatës Speciale, sepse tanimë mbrojtjen e kanë sigurua nga ndërkombëtarët.

Kjo praktikë në mesin e ushtarëve të lirisë ka nxitur moskënaqësi ndaj shefave të luftës. Në anën tjetër, nën shefat e luftës si komandantë e nën komandantë, për një shumë të vogël parash nënshkruanin dëshmi se filan djali apo vajzë ka qenë luftë- tar/re e që në fakt luftën as në televizion nuk e kishte përcjellë. Kjo praktikë e ka indinjuar një pjesë të madhe të luftëtarëve të lirisë. Indinjatë të madhe në opinionin tonë kanë shkaktuar edhe disa shefa të luftës gjatë procesit të Hagës, të cilët deklaronin se nuk kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës, por luftimet ishin zhvilluar parcialisht sa për ta mbrojtur pragun e shtëpisë. Gjatë procesit në Hagë , disa që para opinionit tonë paraqiteshin të guximshëm e të rrezikshëm, atje qanin dhe deklaronin se luftimet ishin zhvilluar pa urdhër komandues që për ndërkombëtarët ishte fakt se nuk kishte pasur rezistencë të organizuar në emër të UÇKsë, por kishte pasur konflikt. Këto deklarata nxitën urrejtje ndaj disa shefave të luftës, të cilët jo vetëm që i injoruan shokët e tyre, por deklaroheshin se UÇK-ja nuk ishte ushtri çlirimtare e organizuar.

Figurat nuk i mbron ligji shtetëror

Duke u bazuar se ne ende nuk e kemi një histori kombëtare të shkruar qoftë për të kaluarën , qoftë për UÇKnë, është krejt normale që ekzistojnë krijues të cilët shkruajnë dhe flasin sipas dëshirave të tyre dhe sipas urdhrave nga të cilët paguhen ata. Kudo në botën e civilizuar, figurat kombëtare mbrohen më ligj dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë përpjekje për shembjen e imazhit të tyre. Askush nuk ka të drejtë të ofendojë apo të dëmtojë përmendoret e tyre, sepse dënohet në bazë të ligjeve në fuqi. Pasi nuk ekziston e shkruar historia kombëtare, pasi nuk ekziston e shkruar historia e luftës së UÇK-së, pasi nuk ekziston mbrojtja e figurave kombëtare me ligj, është krejt normale që do të kemi studiues të shitur e të pashitur që shkruajnë sipas dëshirave dhe porosive që u bëhen. Shpresojmë që në vitet në vazhdim të rregullohet me ligj gjendja e mbrojtjes së figurave historike kombëtare. Shteti nuk krijohet për një ditë, e as për një vit, por duhet të kalojë një kohë e gjatë e vite të shumta derisa gjërat ngadalë të vijnë në binarë.