Eko Higjiena

Në qershor fillon regjistrimi i tokave bujqësore

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka thënë se pret që ta fillojnë regjistrimin në muajin qershor të këtij viti – derisa ka treguar se ky proces është dashur të përfundojë vitin e kaluar. Stavileci në një intervistë për Tribuna, tregon se subvencionet për bujqit do të vazhdojnë dhe do të bëhet përpjekje që të ulen kamatat nga bankat komerciale për bujqit

Kosova thuhet se është vend me tokë të pëlleshme bujqësore. Por, askush nuk e di sa tokë bujqësore ka vendi. Ministria e Bujqësisë vitin e kaluar kishte planifikuar që të verifikojë saktë se ku ndodhen ato toka, por regjistrimi kishte dështuar shkaku i zgjedhjeve lokale të nëntorit. Tash, kjo pikë ka hyrë prapë në prioritet të Qeverisë.

Kreu i Ministrisë së Bujqësisë, Blerand Stavileci, në një intervistë për gazetën Tribuna ka treguar se regjistrimi pret që ta fillojnë në muajin qershor të këtij viti.
Mesi i vitit, sipas ministrit, paraqet kushte të kënaqshme në terren ngase mund të vihet më lehtë deri te përgjigjet e fermerëve, sepse të gjitha kulturat bujqësore tashmë janë në fushë në këtë periudhë.
Pos kësaj, Stavileci ka treguar edhe disa plane tjera që ministria që ai drejton, do t’i realizojë këtë vit. Armatosja e rojeve të pyjeve dhe subvencionet për bujqit kosovarë janë disa nga projektet e ministrisë.
Ndërsa, problem më vete edhe më tutje paraqesin kamatat e larta nga bankat komerciale për bujqit.

Tribuna: Cilat janë vështirësitë me të cilat po përballen fermerët në Kosovë?
Stavileci: Sikurse çdo veprimtari tjetër që ka vështirësitë e saj, edhe veprimtaritë bujqësore nuk janë të lehta. Cikli i tërësishëm prej mbjelljes deri në nxjerrjen apo prodhimin e produkteve bujqësore kërkon përkushtim, njohuri profesionale, por ka edhe kosto. Këto janë problemet e para me të cilat ballafaqohen fermerët, të cilët ne me punën tonë po mundohemi t’ua lehtësojmë dhe t’i përkrahim, si përmes shërbimeve këshillimore, ashtu edhe përmes përkrahjes së drejtpërdrejtë financiare. Por, në këtë rrafsh, problematikë është edhe mekanizmi i vjetruar bujqësor, që ne tek vitin e kaluar kemi filluar të investojmë dhe vështirësi tjetër pastaj është edhe gjetja e tregjeve për plasimin e produkteve bujqësore, e cila natyrisht që është vështirësi e secilit biznes.

Tribuna: Së fundmi ka ankesa nga bujqit për mospagesë të subvencioneve të mbjelljeve pranverore. Pse janë vonuar pagesat?
Stavileci: Për mbjelljet pranverore dhe disa masa të tjera mbështetëse tani janë duke u realizuar, sepse përpos që ka pasur rritje të numrit të fermerëve përfitues, ka qenë edhe një problem i brendshëm ndërmjet Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave rreth kredisë që kemi marrë nga Banka Botërore, ku pjesa e parë e mjeteve të parapara për investim në vitin 2013 nga kjo kredi është përfshirë në kuadër të buxhetit të brendshëm e jo si buxhet shtesë. Tash është bërë alokimi i buxhetit dhe të gjitha obligimet e mbetura janë duke u paguar. Gjithashtu, procesi që nga aplikimi i fermerëve deri te realizimi i investimit është mjaft kompleks dhe ndodh që shpeshherë fermerët edhe të tërhiqen nga investimet dhe neve nganjëherë mund të na ndodh shembull që në muajin nëntor t’ia konfirmojmë përkrahjen fermerit tjetër dhe këto procedura nuk përfundojnë kurrë brenda një viti kalendarik. Pra, duhet kuptuar këto procedura, para se të nxirren përfundime edhe nga ana e fermerëve.

Tribuna: A ka rrezik që të ndërpritet subvencionimi për këtë kategori apo do të ndryshojë mënyra e subvencionimit?
Stavileci: Jo, subvencionimi do të vazhdojë. Programi ynë zhvillimor nuk është ‘ad hoc’, por afatgjatë dhe i detajuar deri në vitin 2020. Gjithashtu, është i harmonizuar edhe me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së. Madje, është zgjedhur edhe programi më i mirë nga BE-ja në vitin e kaluar. E sivjet, përpos masave mbështetëse që kemi pasur në vitin e kaluar, kemi përsëri zgjerim të programit. Pagesat direkte apo subvencionimi dhe grantet investive nuk janë praktika që i kemi zbuluar ne, por praktika në të gjitha vendet e BE-së dhe ne do ta vazhdojmë përkrahjen gjithmonë në përputhje me praktikat më të mira bujqësore dhe mundësitë që kemi si shtet.

Eco Higjiena

Tribuna: A po vazhdon toka bujqësore të uzurpohet nga ndërtimet e egra?
Stavileci: Ndërrimi i destinimit të tokave bujqësore është i lejuar, por ka procedura të cilat nuk po përfillen nga disa komuna. Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, komunat kanë për obligim të bëjnë zbatimin e ligjit për tokën bujqësore dhe procedurat e përgjegjësitë për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore janë të rregulluara me akte nënligjore, ku nga ministria kërkohet pëlqimi vetëm për tokat bujqësore të klasës 1-4, të cilat kanë bonitet më të lartë. Ne, me propozim të komunave, varësisht se çfarë parashohin ato në planet zhvillimore të tyre për zona të ndryshme e japim edhe pëlqimin apo mospëlqimin tonë të cilin komunat mund ta shndërrojnë në vendim ose ta refuzojnë në tërësi. Por, problemi është që shumica e komunave nuk i kanë as planet zhvillimore komunale dhe shumica e atyre që i kanë, nuk e kanë aprovimin e ministrisë për zgjerimin e zonës urbane në zonat rurale, sepse për ne si institucion është e rëndësishme që theksi të vihet edhe tek planifikimi hapësinor rural dhe si plan i fundit të jetë edhe zonimi i ndërtimeve në çdo fshat.

Tribuna: Sa sipërfaqe të tokës bujqësorë janë zënë deri tani me objekte afariste dhe në cilat komuna ka ndodhur kjo më shumë?
Stavileci: Edhe pse obligohen me ligj që të raportojnë, duke i përjashtuar disa komuna, shumica e tyre nuk na kanë ofruar shënimet që ua kemi kërkuar lidhur me këtë dukuri negative dhe nuk kemi të dhëna të sakta për humbjet e sipërfaqes së tokës bujqësore, mirëpo si dukuri më e theksuar është në qytetet e mëdha, në zona të ndryshme industriale dhe afër magjistraleve.

Tribuna: A ka filluar regjistrimi i tokave bujqësore?
Stavileci: Jo, ende nuk ka filluar. Ka qenë i paraparë që të fillojë më 1 nëntor 2013, por për shkak të zgjedhjeve lokale të nëntorit, na është dashur ta shtyjmë. Deri te ky vendim kemi ardhur sepse nuk mund të bëhej fushata informative njëkohësisht me fushatën politike, ngaqë nuk do të kishte efekt dhe do të mund të keqpërdorej politikisht projekti. Gjithashtu, operacioni i punës në terren bazohet edhe në Komisionin Komunal të Regjistrimit, ku kryetarët e komunave kanë rol kyç dhe zgjedhjet natyrisht që kanë prioritet për ta, prandaj nuk kemi dashur që të rrezikojmë mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit. Ne tashmë kemi amendamentuar ligjin për regjistrimin e bujqësisë dhe është dërguar në kuvend për aprovim. Regjistrimin planifikojmë ta fillojmë në muajin qershor të këtij viti dhe jemi përcaktuar për këtë muaj, pasi që kushtet në terren janë më të përshtatshme dhe mund të vihet më lehtë deri tek përgjigjet e fermerëve, sepse të gjitha kulturat bujqësore tashmë janë në fushë në këtë periudhë.

Tribuna: Bujqit e Kosovës çdo herë po ankohen se kamatat nga bankat komerciale për ta janë të larta. A jeni duke punuar në zvogëlimin e këtyre kamatave?
Stavileci: Po, kjo ka qenë një problem dhe vazhdon të mbetet ende, por jo në përmasat që kishte si problem më herët. Ju e dini që ne kemi krijuar një fond garantues për kredi bujqësore, program shumëvjeçar. Viti i kaluar ka qenë viti i parë dhe natyrisht që brenda një viti nuk mund të ndryshojë gjendja, por gjatë kësaj jave në Kosovë kemi edhe ekspertët amerikanë që i ka angazhuar USAID-i për ta negociuar asokohe këtë program me bankat dhe tashmë janë duke i analizuar dhe krahasuar të dhënat me raportin e BQK-së e së shpejti do të bëjmë publik edhe raportin e parë me efektet e para të këtij programi. Fokus i këtij programi janë kreditë nga 5 mijë, deri në 250 mijë euro dhe ajo që mund të them tash është se kemi efekte pozitive, por ende nuk janë në nivelin e kënaqshëm.

Tribuna: Çfarë është duke bërë ministria juaj në ruajtjen e pyjeve, pasi shkatërrimi i tyre po vazhdon çdo ditë?
Stavileci: Ruajtja e pyjeve, përkatësisht mbrojtja e tyre, dhënia e lejeve për prerje dhe tenderimi janë kompetencë e komunave. Rojet e pyjeve tashmë janë duke u armatosur nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe nëse shohim të dhënat e punës së tyre, vetëm vitin e kaluar kanë adresuar rreth 5600 fletëparaqitje për prerësit ilegalë në gjykata. Pra, në mbrojtjen e pyjeve janë të përfshira shumë institucione dhe nuk varet gjithçka vetëm nga roja e pyllit, por edhe nga policia dhe veçanërisht nga gjykatat, të cilat do të duhej të shqiptonin gjoba edhe më të mëdha, sesa që po shqiptojnë apo që kanë shqiptuar deri më tash.