UBT

Në pranverë, sërish zgjedhje!

/ 9 minuta lexim

Dinamika qeverisëse dhe varësia nga Lista Serbe, sfida të patejkalueshme

Sipas analistit politik Hidajet Ahmeti, në pranverën e vitit që vjen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme duhet të ndodhin dhe janë krejtësisht të pashmangshme, për faktin se me këtë dinamikë të filluar të punës së Qeverisë dhe me shantazhet që i bëhen nga Lista Serbe vetëm sa do të mund të dëmtohen gjithnjë e më shumë interesat e shtetit të Kosovës, si në planin e brendshëm edhe në atë të jashtëm.

Duke parë funksionimin jashtëzakonisht të brishtë të Qeverisë së tanishme të Kosovës, të koalicionit PAN, analistët politikë vlerësojnë se mund të jetë fare lehtë i realizueshëm synimi dhe zotimi i opozitës kosovare që pas zgjedhjeve lokale, më së largu deri në pranverë, ta rrezojnë Qeverinë e pakicës që simbolikisht po duket sikur po varet si në fije të perit dhe është e kushtëzuar në çdo vendim serioz nga qëndrimet dhe dirigjimi i Beogradit karshi Listës Serbe, duke e rrezikuar kështu agjendën shtetërore dhe politikën nacionale ekonomike e zhvillimore. Në këtë rrafsh vlerësimi, nuk përjashtohet fare mundësia që në pranverën e vitit 2018 të kemi serish zgjedhje të parakohshme, pasi që as vetë PDKja kurrsesi nuk do të durojë qeverisjen e AAK-së me kryeministër dhe ngritjen e saj dhe të AKR-së për një kohë më të gjatë, e cila ka gjithë ato dikastere me vetëm 2 deputetë sa i kanë mbetur. Sipas analistit politik Hidajet Ahmeti, në pranverën e vitit që vjen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme duhet të ndodhin dhe janë krejtësisht të pashmangshme për faktin se me këtë dinamikë të filluar të punës së Qeverisë dhe me shantazhet që i bëhen nga Lista Serbe vetëm sa do të mund të dëmtohen gjithnjë e më shumë interesat e shtetit të Kosovës, si në planin e brendshëm edhe në atë të jashtëm.

Zhgënjim pas zhgënjimi

Analisti Hidajet Ahmetit thekson se derisa kemi edhe më tutje këtë skenë të njëjtë politike me të njëjtit njerëz, zhgënjimi qytetar do të vazhdojë të jetë në rritje dhe është pak e pritshme për të pasur ndryshime më pozitive, nga kushdo që rreshtohet edhe në ekzekutivin e ardhshëm.”Kur dihet konstelacioni qeverisës, e mbi të gjitha kur dihet faktorizimi i Listës Serbe dhe determinizmin e shumë proceseve të rëndësishme për Republikën e Kosovës nga deputetët e kësaj liste, zgjedhjet nacionale janë të pashmangshme. Është një lodhje e paparë që qytetarët të përjetojnë zgjedhje të njëpasnjëshme, pasi që nuk kanë alternativë për të zgjedhur, por prapë do të fuqizojnë strukturat, të cilat kanë kriminalizuar institucionet publike e kanë zbehur substancën e Republikës”, potencoi ai. “Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, në njërën anë për shkak lodhjes së qytetarëve, kurse në anën tjetër për shkak të kostos financiare dhe kostos kohë deri në konsolidimin e institucioneve të reja. Kemi një përvojë të hidhur pas dy palë zgjedhjeve nacionale, gjithherë si shkak i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e krye kuvendarit dhe mandatarit për formimin e Qeverisë. Partitë, të cilat kanë qenë dhe janë pjesë e pushtetit do të përdorin të gjitha mekanizmat e pushtetit për të manipuluar me votuesit potencialë”, u shpreh Ahmeti për “Kosova Sot”.

PDK-ja, përgjegjëse për krizat politike

Eco Higjiena

Tërmet që do të tronditë dhe do të shembë këtë qeverisje të brishtë të koalicionit jofunksional PAN parasheh në pranverën e vitit që vjen edhe analisti Skënder Mulliqi. Shpëtimi dhe vazhdimi i jetëgjatë- sisë së kësaj qeverie, sipas Mulliqit, mund të vijë vetëm nëse opozita nuk është e interesuar që ta rrëzojë, për t’i lënë në dorë temat e nxehta që janë në pritje për t’u përfunduar, sikur që janë Demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që mundë ta djegin dhe ta dëmtojnë seriozisht këtë përbërje të qeverisë në aspektin politik, nëse i përmbush të tria këto tema. Mulliqi gjithë përgjegjësinë për krizat e deritanishme, edhe kësaj që mund të vijë në pranverën 2018, ia adreson PDK-së. “Që nga viti 2007, kur pushtetin e mori PDK-ja, gjithçka është duke shkuar jo mirë. U formuan qeveri të cilat jo që nuk i avancuan proceset zhvillimore përpara, por ato qeveri më gjithçka na kthyen mbrapa, duke u bërë pengesë e madhe që faza e tranzicionit të përmbyllet me sukses. Kemi ngecur aty diku në mes të rrugës duke mos bërë përparime, të cilët i përmbushin detyrimet karshi qytetarëve. Nuk ka qeveri të mirë kur punohet pa program afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe kur nuk caktohen prioritetet zhvillimore si duhet. Dy qeveritë e fundit të formuara nga koalicioni i madh PDKLDK nuk e dërguan mandatin qeverisës deri në fund, së ashtu deshi PDK-ja, e cila më shumë u kujdes për vete sesa të bëjë diçka të hairit karshi Kosovës”, theksoi ai. “Dihet së si u formua Qeveria ‘Haradinaj’ me koalicion parazgjedhor nga PAN-i dhe nga Lista Serbe, e që nuk përfaqësojnë shumicën në Parlament, prandaj edhe jetëgjatësia e saj duket së do të jetë edhe më afatshkurtër sesa Qeveria, të cilën e drejtoi Isa Mustafa. Shumëkush ka mendim se kjo qeveri për shkak të opstrukcioneve të Listës Serbe dhe në mungesës së kuorumit për të sjellë ligje do të bjerë në pranverë. Unë megjithatë mendoj se kjo qeveri ndoshta edhe do të këtë jetëgjatësi pak më shumë, sepse as PDKja dhe as opozita duket që nuk janë shumë të interesuara që Qeveria Haradinaj të përfundojë me pranverën e vitit 2018, duke synuar që t’ia lënë “pataten e nxehtë në duar” edhe për disa kohë, kur dihet se këtë qeveri e presin detyra shumë të rënda, siç janë: fillimi i Gjykatës Speciale, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi”, vijoi më tej Mulliqi.”Konsideroj se nga kjo strategji edhe Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do të ngutet shumë që ta procedojë në Kuvend temën e Demarkimit edhe për disa kohë, edhe përkundër insistimit të faktorit ndërkombëtar që kjo punë të kryhet, pasi që është vërë kusht për liberalizim të vizave”, potencoi ai. Sidoqoftë, edhe sipas Mulliqit, ajo që është më e keqja për qytetarët dhe Kosovën është se qeveritë e deritashme punuan me defekte të mëdha, u zhytën në krim dhe korrupsion, në pasurim të paligjshëm të pushtetarëve, e në shumë keqpërdorime të tjera të formës përfituese, prandaj është vështirë të korrigjohen e të eliminohen këto gjëra.

Të mos lejohet varësia nga Lista Serbe

Analisti politik, Gani Qarri, vlerëson se opozita nuk duhet të nxitohet në kohë në përpjekjen e saj për shkurtimin e mandatit të këtij koalicioni qeverisës, derisa akoma nuk ka asnjë njësi matëse bindëse për punën e bërë. Ai thotë se edhe deputetët e opozitës e kanë për obligim që të bashkëveprojnë për interesat e shtetit së bashku me pozitën dhe të mos veprojnë vetëm për inate politike, sepse vetëm kështu devalvohet roli dhe pamundësohet shantazhi i Listës Serbe.”Për momentin, unë vërtet e shoh të paarsyeshëm dhe si jorealist synimin e opozitës kosovare që menjëherë pas zgjedhjeve lokale, apo më së largu deri në pranverën e vitit që vjen, ta rrezojnë qeverinë e aktuale. Populli i Kosovës as qeveria aktuale nuk varen fare nga qendrat e huaja si Beogradi e as nga Lista Serbe, por nga vota e deputetëve shumicë, të cilët për interesa madhore të shtetit dhe ato kombëtare nuk duhet të veprojnë sipas diktateve partiake edhe kur ndonjëra nga to ende kryesohet në mënyrë të pamerituar nga kryetarë të ndryshkur ideologjikisht dhe mosha e shtyrë me vitet e kaluara”, u shpreh ai. “Kështu që, siç është e njohur për të gjithë ne, pa marrë parasysh segmentin udhëheqës të Qeverisë, numrin absolut të deputetëve nuk e përbën Lista Serbe as pakicat e tjera, por shumica shqiptare, ndaj vendimet në Kuvendin e Kosovës nuk mund të varen, kushtëzohen as dirigjohen në asnjë rrethanë as mënyrë nga Lista Serbe as Beogradi, po qe se deputetët shqiptarë këtë nuk duan ta lejojnë, kur kihet parasysh përqindja e tyre në Parlament. Ata siç nuk duhet të lejojnë Qeverinë të kushtëzohet nga kurrfarë liste e imponuar nga jashtë vendit, nuk duhet të pranojnë as të dirigjohen nga partitë e veta, vend e pa vend, por të votojnë sipas prioriteteve dhe interesave të shtetit dhe popullit që i takojnë, për të mos e rrezikuar kështu agjendën shtetërore të zhvillimit ekonomik as politikën tonë kombëtare”, tha Gani Qarri.

Opozita pret t’i bëjë 61 vota

Synimi i opozitës është që me çdo çmim të punojë dhe të mobilizohet që në kohën më të shkurtër të mundshme, t’i mbledhë votat dhe t’ia marrë mandatin kësaj qeverie derisa vendimet e dëmshme në interes të vendit nuk kanë filluar të marrin formë. Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se opozita është vazhdimisht e mobilizuar dhe është vetëm çështje ditësh kur do të piqen kushtet për t’i thënë mjaft kësaj qeverisje.”Këtu nuk kërkohet as mund, as kurrfarë strategjie për rrëzimin e qeverisë. Dihet fare mirë që në momentin që ne si opozitë arrijmë t’i sigurojmë 61 vota qeveria është e rrëzuar. Derisa nuk arrijmë t’i bëjmë këto vota kjo qeveri do të vazhdojë të funksionojë kështu si po shkon. Zgjidhje tjetër nuk ka”, tha Arben Gashi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)