Fundamenti

Ndihmojini vendorët

/ 5 minuta lexim

Qeveria duhet t’i ndihmojë prodhuesit vendorë, veçanërisht investitorët në industrinë e rëndë, ndryshe e ardhmja e tyre është e zymtë. Heqja e taksës së çimentos ndikoi që SharrCemi ta humbë gati krejt tregun.

Planifikojmë t’i investojmë 90 milionë euro në katër projekte kapitale. Shumë para kemi investuar edhe në mbrojtjen e mjedisit. Drejtori menaxhues i SharrCemit, Emmanuel Mitsou flet për Express.

Express: Si po mbijeton Sharrcemi tash, pas heqjes se taksës së çimentos me Shqipërinë?

E. Mitsou: Pas tërheqjes se masave mbrojtëse, Sharrcemi e ka humbur plotësisht tregun, pasi që importuesit kanë depërtuar në mënyrë shumë agresive duke i zbritur çmimet në nivele të papara vetëm për të përfituar nga tregu i Kosovës.

Express: Sa është pjesëmarrja aktuale e Sharrcemit në tregun e çimentos në Kosovë? A jeni të kënaqur me shtrirjen që e keni aktualisht në treg?

E. Mitsou: Pjesëmarrja jonë ka shënuar rënie në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Në rrethana të tilla, vetëm duke iu falënderuar mbështetjes së Grupit, ne jemi në gjendje të mbajmë, ose të përpiqemi të mbajmë një pjesë të tregut. Natyrisht, një zgjidhje e tillë ka efekte të tmerrshme anësore: linja jonë kryesore e prodhimit është dashur të ndërpritet dhe kjo sjell telashe dhe pasiguri për punonjësit dhe kontraktorët tanë. Momentalisht ne kemi humbur gati tërë tregun dhe kjo rrezikon seriozisht prodhimin në fabrikën e çimentos në Sharrcem.

Express: A do të duhej që Qeveria e Kosovës të vazhdojë me taksën për çimenton?

Eco Higjiena

E. Mitsou: Shteti i Kosovës i ka të gjitha parakushtet për të pasur një industri vendore të çimentos, prandaj ka qenë dëm i madh kur vendimmarrësit e Republikës së Kosovës vendosën kundër masave të përkohshme mbrojtëse për prodhuesin e vetëm të çimentos në vendin e tyre dhe të cilët janë parakusht për krijimin e industrisë vendore. Më duhet t’ju rikujtoj se legjislacioni ndërkombëtar dhe ai i Kosovës parashohin mundësinë e intervenimit të shtetit në mënyrë precize për rastet e tilla të vërshimeve të importit që mund të shkaktojnë dëmtim material të industrisë lokale.

Sipas mendimit tim, faktet janë aty, korniza ligjore e miratuar nga Kuvendi ekziston po ashtu, është e qartë se masat duhen zbatuar – jo ndoshta në normën e asaj fillestare, por sidoqoftë ato duhet të ekzistojnë në një mënyrë efikase dhe për një periudhë të arsyeshme. SharrCem është një fabrikë e vjetër të cilës i nevojitet kohë dhe investime për të arritur efikasitetin e prodhuesve tjerë rajonalë.

Masat do t’i jepnin SharrCem-it hapësirë për frymëmarrje me një periudhë të kufizuar kohore prej përafërsisht 4 viteve që të lejojë fabrikën të prodhojë dhe shesë deri në, apo shumë afër kapacitetit të saj. Industria e çimentos është industri e rëndë dhe investimet në këtë industri janë shumë intensive në aspektin e kapitalit.

Kështu që makineria dhe stabilimentet lidhen me zgjidhje që përshtaten sipas nevojës, të cilat kërkojnë dizajnim, prodhim jashtë vendit, si dhe instalimin e pajisjeve në fabrikë pa e penguar funksionimin, dhe për të gjitha këto nevojitet kohë. Gjatë kësaj periudhe të masave mbrojtëse, importet nuk do të shuhen, siç nuk ka ndodhur as gjatë masave të përkohshme, gjatë së cilave importet italiane kanë vazhduar; ishte zgjidhja e importuesit vendor të çimentos shqiptare (Fushë-Krujë, që është nën pronësi dhe menaxhim libanez) të ndërpresin importin.

Kjo periudhë dhe këto masa i nevojiten kompanisë për ta përfunduar programin investues për modernizim si dhe përmirësim të kostos-efikasitetit që të bëhet konkurrente.

Ky program, qëllim dhe kohëzgjatje janë parashikuar dhe pranuar në Marrëveshjen e Privatizimit. Bazuar në të gjitha këto fakte, besoj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej të vazhdonte me masat finale mbrojtëse, gjithmonë duke pasur parasysh se ngritja e një industrie të çimentos, e cila do të plotësojë nevojat e tregut vendor do të jetë kontribuues i madh i zhvillimit dhe ardhmërisë ekonomike të Republikës së Kosovës, si dhe do të kontribuojë në zvogëlimin e bilancit negative tregtar, të cilën e ka Kosova.

Ne duhet të mbajmë në mend se qeveria ende ka opsionin sipas ligjit të vendosë masat finale. Për mua, zgjedhja e mosvendosjes së masave në rrethanat e sotme është ekuivalente me deklarimet se mbijetesa e industrisë lokale dhe tërheqja e investimeve të jashtme nuk janë prioritete.