Mobi Casa

Gërxhaliu: Të ndalet shkatërrimi i ndërmarrjeve publike përmes privatizimit apo partneritetit publiko-privat

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike (OEK) ka bërë thirrje që të ndalet shkatërrimi i ndërmarrjeve publike përmes privatizimit apo partneritetit publiko-privat.

“Duke pasur parasysh privatizimin e egër që ka përcjell Kosovën e pasluftës, ku me qindra ndërmarrje publike dhe shoqërore janë shkatërruar dhe në vend që të jenë në funksion të zhvillimit, punësimit dhe përmirësimit të bilancit të pagesave, ato janë poligone ndërtimi apo destinacione të tjera me pak efekte ekonomike në interes të shtetit dhe shoqërisë”.

“Mirëpo, duke pasur parasysh politizimin, keqmenaxhimin, joprofesionalizimin dhe shkatërrimin e ndërmarrjeve publike aktuale siç janë: Trepça, Posta, Telekomi, Infrakosi, KEK-u, Trainkosi, etj. Vijmë në konstatim se shpëtimi i këtyre ndërmarrjeve publike është vetëm përmes partneritetit publiko – privat ose privatizimit në norma dhe standarde ndërkombëtare”, ka thënë Gërxhaliu

Ai ka thënë se është shqetësuese kur një ndërmarrje si Trepça, Posta dhe Telekomi i Kosovës në vend që të jenë promotor të vlerave ekonomike dhe performancës ekonomike në interes të qytetarëve dhe shtetit ato të shndërrohen në raste sociale dhe të jenë barrë e qeverisë.

Hidromorava

“Paramendoni Telekomin gjerman ‘Deutsche Telekom’, British Telekom, Swisscom dhe ndërmarrje të tilla të shumë shteteve evropiane të ishin barrë e shtetit, ndërsa mu ato sot janë brende të fuqisë ekonomike të shteteve përkatëse. Realiteti më shqetësues në Kosovë është ajo që lidhet me Trepçën dhe funksionimin e saj. Se politizimi, kriminaliteti, keqmenaxhimi, vjedhja permanente dhe vendosja e njerëzve të paditur nëpër pozita menaxheriale siç është rasti i Trepçës e dëshmon më së miri se si mund të shkatërrohet një vlerë dhe aset kombëtar, strategjik dhe gjeostrategjik. Për ata që nuk e dinë në Trepçë mund të gjinden ¾ të e metaleve dhe elementeve kimike të cilat gjinden në sistemin periodik të Mendeljevit. Dhe kjo ndërmarrje publike të mbetet barrë e shtetit është turpi më i madh i ekonomisë së Kosovës të pas luftës. Sot në mungesë të një shkritoreje të Trepçës, koncentrati i saj eksportohet me një çmim prej 60-80 euro/ton”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se në Zvicër apo në vendet Aziatike nga ky ton koncentrat i Trepçës nxirren 31 metale dhe elemente të ndryshme kimike dhe me nanotekonologji prodhohen edhe produkte farmaceutike si infuzione të ndryshme.Gërxhaliu ka thënë se sot në tregjet botërore një ton Baker kushton 8,070 euro, një ton Nikel kushton 17,810 euro, një ton Zink kushton 2,500 euro, një ton Plumb kushton 2,160 euro dhe një ton Kallaj kushton 24,150 euro.“Për çmimin e arit dhe argjendit është e tepërt të diskutohet. A nuk janë këta indikatorë dëshmi e vlerës së Trepçës dhe kundër argument i atyre që mendojnë se Trepça duhet të mbyllet. Nga një ton koncentrat i Trepçës në qoftë se nxirren vetëm 50 kg metale të ndara si Baker, Nikel dhe Kallaj vlera e shitjes do të jetë me mijëra euro. Prandaj, të orientohemi në sundim të rendit dhe ligjit, në profesionalizëm, zhvillim ekonomik, në ekspertize shkencore vendore dhe ndërkombëtare dhe ta shpëtojmë atë ekonomi e cila është aset dhe dhuratë e cila duhet të jetë në funksion të zhvillimit dhe jo të shkatërrimit dhe mallkimit”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai ka thënë se një ekonomi e një shteti e cila nuk është e orientuar për t’u zhvilluar në resurset natyrore të disponueshme që ka dhe faktorin njeri, paraprakisht është e gjykuar për të dështuar.