Ndahet nga jeta Hafëz Sadri Rahimi, imam, që dallohej për ç`asje moderne e bashkëkohore
Gjilan – Vdekja e tij është një humbje jo vetëm për familjen e farefisin, por edhe për Anamoravën e përtej sajë, sepse nuk është vetëm emri i një dijetari, por ishte prania e një dijetari të urtë që e njihte mirë ritmin e jetës, shijen e fjalës së matur dhe peshën e përgjegjësisë para zotit dhe shoqërisë.
Nga Nijazi Hyseni
Sot, me dhembje të madhe mora lajmin se paska ndërruar jetë: Hafëz Sadri Rahimi
Vdekja e tij është një humbje jo vetëm për familjen e farefisin, por edhe për Anamoravën e përtej sajë, sepse nuk është vetëm emri i një dijetari, por ishte prania e një dijetari të urtë që e njihte mirë ritmin e jetës, shijen e fjalës së matur dhe peshën e përgjegjësisë para zotit dhe shoqërisë.
Ai, shërbeu imam në fshatrat: Pozheran, Cërnicë e së fundit edhe në fshatin e lindjes, Malishevë.
Në xhamitë ku shërbeu u bënë vende drite e mirëkuptimi ku besimi mësohej me dashuri dhe morali rritej me shembull.
Këtë kulturë e traditë e trashëgoi nga familja e vet e njohur për mikpritje, dije e bujari që kishin.
Në vitet e 90- ta, kur frika dhe padrejtësia rëndonin mbi çdo shtëpi, Hafëzi qëndron i palëkundur në aktivizimin qytetar.
Kur ishte vështirë të flisje, ai fliste, kur ishte e rrezikshme për të dalë, ai dilte hapur.
Veprimtaria e tij shoqërore dhe angazhimi i tij kombëtarë e patriotik kishin masën e një njeriu që e dinte se dashuria për atdheun dhe respekti për ligjin ecin bashkë, pra pa ATDHE NUK KA FE, këto dyja janë si dy krih të të njëjtit trup.
Ai ishte aty ku duhej të ishte; në ngjarje, në tubime, në veprim duke mbajtur gjallë idenë se një popull mbronë dinjitetin e vet duke mbrojtur të vërtetën.
Nga shumë aktivitete e kontribute që dha Hafëzi vlenë të përmenden ai për mbledhjen e fondit për Shkollën shqipe dhe themelimin e Shoqatës , Nanë Tereza për fshatin tonë.
Hafëz Sadriu ishte mendje ndritur, rrëfimtar i lindur.
Në oda e në kuvende e në biseda të përditshme, ai i kthente ngjarjet shoqërore e politike në tregime të qarta e të dobishme. Përtej detyrës si imam, ai dallohej për ç`asje moderne e bashkëkohore ndaj mësim- besimit. Besonte se feja i hapet mendjes dhe ushqen zemrën.
Ishte tolerant dhe mirëkuptues, model i hoxhës që e nderon traditën duke e pastruar nga paragjykimi dhe ngurtësia.
Ai i përkiste brezit të rrallë të dijetarëve me mendim liberal e progresist, i respektuar nga bashkëkohësit dhe të rinjtë. Pranonte mendimin ndryshe. I besonte shkencës dhe argumentit, qoftë me tema politike, ekonomike apo shoqërore.
Hafëzi kishte edhe shpirt ndërmarrësi. Ai mendonte dhe vepronte i bindur se aftësitë dhe dija janë dhurata që duhet vënë në shërbim të së mirës së përbashkët.
Si interpretues i librit të Shenjtë, ai e lexonte tekstin me syrin e kohës dhe me zemrën e përhershme të mësimit hyjnor. Nuk e përdorte fjalën për të gjykuar, por për të udhëzuar.
Nga se, me Hafëzin edhe për nga gjaku familjar jemi të afërt, prandaj nga vitet e 90-ta kemi bërë shumë aktivitete të përbashkëta dhe ruaj shumë kKujtime për Te, do t’i veçoja disa prej tyre:
- Marrja pjesë në Kuvendin themelues të PSHDK-së, mbajtur në rrethana të jashtëzakonshme në Bellanicë të Komunës së Malishevës, edhepse, hafëzi ishte në cilësi të mysafirit ai e mori fjalën dhe përshëndeti punimet e Kuvendit ku nga të pranishmit, fjala e tij fort u pëlqye.
- Ishte pjesëmarrës i grupit të intelektualëve të fshatit tonë: Hazir Haziri, Selami Rashti, Nexhat Zeqiri etj. Në takim me prof. Qosjen në shtëpinë e tij në Prishtinë, Tema që trajtuam aty ishte: Aktualiteti politik i kohës.
Hafëzi me zgjuarsinë e tij tërhoqi vëmendjen e dijetarit, prof. Qosja. - Kujtim tjetër është ai i datës 16 prill 1999, kur paramilitarët serb na dëbuan nga shtëpitë tona në drejtim të rrugës të malit Sharr, një ditë ankthi e pasigurie, fjalët, këshillat dhe kuraja e hafëzit na u bënë shpresë dhe forcë.
Të përjetshme qofshin kujtimet për hafëz Sadriun.
Lamtumirë shoku im, Hafëz.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës.


