Bamirësi pa emër në Gjilan: Katër familje jetima ndihmohen me dru për ngrohje
Gjilan – Një gjest solidariteti është realizuar në Gjilan, ku një dhurues anonim ka mundësuar sigurimin e druve për ngrohje për katër familje jetima në nevojë.
Nisma është realizuar përmes Shoqatës Humanitare “Bereqeti” – Dega në Gjilan, e cila vepron në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve humanitare dhe përkrahjes së familjeve me kushte të vështira ekonomike.
Secila prej katër familjeve është furnizuar me nga katër metra dru për ngrohje, me synimin që t’u lehtësohen kushtet e jetesës gjatë ditëve të ftohta dhe periudhës së dimrit.
Dhuruesi ka zgjedhur të mbetet anonim, ndërsa Shoqata “Bereqeti” e ka vlerësuar këtë akt si një shembull të solidaritetit dhe humanizmit, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tij.
Në mesazhin e saj, shoqata ka përcjellë edhe një varg nga Kurani: “Dhe çfarëdo të mire që të bëni, Allahu e di atë.” (El-Bekare, 197), duke lutur Zotin që ta pranojë veprën e bamirësit dhe ta shpërblejë për kontributin e dhënë.
Në realizimin e këtij aktiviteti ka dhënë ndihmë teknike edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës, për çka Shoqata “Bereqeti” ka shprehur falënderim.
Aktiviteti, sipas organizatorëve, synon të jetë edhe një thirrje për vazhdimin e solidaritetit me familjet në nevojë, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur sigurimi i ngrohjes mbetet një nga nevojat themelore të familjeve me kushte të vështira jetese.
Iljaz ef. Mustafa, koordinator i Degës së “Bereqetit” në Gjilan, në emër të shoqatës ka falënderuar dhuruesin anonim dhe të gjithë ata që kontribuojnë në lehtësimin e jetës së familjeve në nevojë./rajonipress/


