UBT

“Nacionalistët” e vonuar!

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Veton Nevzadi – Në politikë shpesh thuhen të pavërteta që kanë për qëllim diskreditimin e kundërshtarit, qofshin ato gjëra që nuk u beson askush, madje as edhe ata që i nxjerrin ato fjalë nga goja e tyre. Sido që të jetë, në komunikimin e përditshëm publik ndërmjet pozitës dhe opozitës, janë normale kundërshtitë për shkak të pikëpamjeve të ndryshme që ndajnë ato për rregullimin e jetës shoqërore dhe menaxhimin e vendit.

Deri këtu krejt është në rregull!

Pastaj, kuptohen edhe politikat ditore të ndokujt që për qëllim kanë përfitimin e ndonjë poeni nga zhvillimet e proceseve të ndryshme politike, por nuk është e hijshme tendenca e bastardimit të gjuhës dhe komunikimit publik nën çdo nivel. Çka e bën edhe më të rëndë këtë fakt është se gjithë kjo bëhet duke iu referuar një patriotizmi patetik në kohë paqeje, i cili është fyes, i shpifur, madje jashtë kontekstit real të kohës dhe jashtë fushëveprimit praktik.

Nga përvoja jetësore, secili njeri e din që fyerja në marrëdhëniet ndërnjerëzore reflekton më shumë për mungesë argumentesh të atij që e bën atë sesa për ndonjë të vërtetë eventuale që mund ta ketë një njeri. Qasja fyese është pasqyrim i panikut të atij që e përdorë atë. Ajo si e tillë përdoret në mungesë të ndonjë argumenti të qëndrueshëm, i cili do ta bënte të panevojshme dhe të tepërt në komunikimin që bëhet në mes njerëzve. Për më tepër edhe me e papranueshme bëhet fyerja, kur atë në emër të një “ndershmërie” ose të një morali politik e adapton si pjesë të paraqitjeve të tij një lider politik, i cili madje ka edhe pretendime t’a udhëheqë këtë vend ndonjëherë.

Fjala është për Albin Kurtin, kryetarin e VV, i cili në mënyrë të paskrupullt në secilën paraqitje të tij shfaqë urrejtje patologjike ndaj kryeministrit aktual të Kosovës Hashim Thaçi, madje duke përçmuar gjithë spektrin politik të vendit sa herë që i atij diçka nuk i pëlqen. Paraqitja e tij publike është shembulli me i shëmtuar se si kontaminohet paturpësisht komunikimi politik i një vendi, dhe se si ky komunikim lëshohet në kuotat më të ulëta të mundshme të tij, krejt kjo në emër të një ‘nacionalizmi” të vonuar dhe hipotetik.

Nëse thuhet se “nacionalizimi është streha e fundit e maskarenjve”, atëherë lirisht mund të them se ky është shembulli më i mirë dhe më konkret për ata që dëshiron ta kuptojë këtë fjali gjeniale që përdoret për ilustrimin e shembujve të tillë.

KKVITI

Po çfarë mund të presësh nga dikush që hiqet si mbrojtës i Kushtetutës së vendit vetëm atëherë kur ajo i përshtatet atij dhe momenteve politike të tij, përderisa në mënyrë të vazhdueshme fyen dhe nënçmon produktet e po kësaj Kushtetute për të cilën qytetarët e këtij vendi (madje edhe vet ai) kanë luftuar, vuajtur dhe punuar shumë.
Çfarë mund të presim nga dikush që shtiret se është për respektim të ligjit dhe shtetit ligjor, ndërsa në anën tjetër jemi të gjithë dëshmitarë sesi ushtron dhunë dhe fyen pikërisht zbatuesit e ligjit kudo që ata i kërkojnë që ta respektojë atë, madje edhe huliganët më të këqinjë të rrugës do t’a kishin lakmi! (Skemat e njohura publike për këto sjellje të vrazhda të tij)

Apo, a mund të pritet më mirë nga një lider apo organizim politik, i cili që nga themelimi, pasuesit dhe qytetarët e vendit i konsideron si delet, e që në kontinuitet nënçmon inteligjencën e njerëzve me veprimet përçmuese duke mos kursyer askënd nga fyerjet dhe shpifjet nga më të çuditshmet. Mjafton të mos kesh bindje të njëjta politike të!

Sa mund të pritet diçka nga dikush që për hir të pushtetit dhe mëtimit që të arrijë atë, u gëzohet madje edhe të këqijave që mund t’i ndodhin këtij vendi? E pashë tek kundërshtonte dhe vajtonte dështimin e bisedimeve me Serbinë dhe tash po e shoh tek kundërshton dhe vajton arritjen e marrëveshjes dhe implementimit të saj. A s’është ky paradoks? Ndoshta edhe këtu duhet ta arsyetojmë sepse zgjidhja e problemit të Veriut do t’ia heq edhe strehëzën e vetme politike “nacionalistëve” të vonuar në mungesë të një vizioni prosperues për vendin.

Dhe meqë kësaj rradhe po flas për vizionin prosperues, atëherë lirisht them se që nga paraqitjet e para i ka munguar alternativa dhe oferta zhvillimore konkrete për Kosovën dhe qytetarët e saj. Krejt çka është munduar të ofrojë gjendet lehtë në librat e vjetër të ekonomisë dhe politikës së viteve ’70 –të dhe 80-ta të kohës së realizmit socialist të mbetura si relikte nga Traktati i Varshavës. Në mungesë të idesë së qartë nuk u ofrohet asgjë tjetër qytetarëve, përveç ulurimave dhe ofendimeve nga më të “ulëta”, sharjet me nanë, madje edhe injektimin e idesë tek pasuesit e tij të verbër për vrasje të kundërshtarëve politik, ashtu siç bëri këtyre ditëve njëri nga ta në njërin nga rrjetet sociale. Zatën, ambiciet e paarritshme për pushtet turbullojnë disa njerëz deri në absurditet!

Nëse punët e bëra në të kaluarën tregojnë vendosmërinë, kualitetin dhe besnikërinë e një njeriu ndaj vendit, nëse bartja e proceseve të rënda dhe marrja e përgjegjësive në kohë të vështira është atribut liderëve, nëse çdo herë këto punë të vështira kanë prodhuar diçka të dobishme dhe pozitive për këtë vend, ndërsa rezultatet e tyre po i gëzojnë gjeneratat e reja, dhe në të gjitha këto procese udhëheqës ishin Hashim Thaçi dhe udhëheqës tjerët të dëshmuar, atëherë cila do të ishte arsyeja që t’i besohej më shumë “nacionalistëve” të vonuar kur na flasin për patriotizmin?!

Në qoftë së personalitetet vlerësohen nga veprat që ata kanë bërë në të kaluarën e tyre, nëse e kaluara flet afirmativisht për ata, atëherë asgjë nuk mund të më bindë mua dhe shumë kënd tjetër që Albin Kurti qenka më patriot dhe atdhedashës se sa Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e udhëheqës të tjerë. Përkundrazi!