QKMF-ja me pajisje të reja, qytetari: “Na thonë t’i blejmë vetë injeksionet”
Gjilan – Një qytetare ka reaguar publikisht ndaj gjendjes në shërbimin e Mjekësisë Familjare në Gjilan, duke ngritur shqetësime për furnizimin me barna dhe kohën e pritjes së pacientëve.
Bona Aliu, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka shkruar se pacientët në Emergjencë përballen me mungesë të barnave bazë dhe, sipas saj, detyrohen t’i blejnë vetë injeksionet.
“Në Gjilan, në Emergjencë, neve si pacient, na dërgojnë me ble një injeksion 0.20 cent, e ju thoni pajisje. Pret në Emergjencë 1 orë, deri sa ta marrin brenda”, ka shkruar Aliu.
Reagimi vjen në kohën kur Komuna e Gjilanit ka njoftuar për pajisje të reja mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në kuadër të bashkëpunimit me projektin AQH.
Sipas njoftimit të komunës, pajisjet e reja synojnë të lehtësojnë punën e profesionistëve shëndetësorë dhe të përmirësojnë kushtet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në QKMF dhe njësitë e saj.
Përderisa komuna e paraqet investimin në pajisje si hap për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, reagimi i qytetarit ngre një tjetër çështje: a janë të mjaftueshme pajisjet e reja nëse pacientët përballen me mungesë të barnave dhe pritje në Emergjencë?/rajonipress/


