UBT

Na jepni dosjen

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Ekipi mbrojtës në rastin “Sopa” po ankohet në prokurorin se nuk po lejon qasje në dosjen e lëndës. Avokatët e të dyshuarave kërkojnë nga gjykata që t’u lejohet që t’i kenë në dispozicion të gjitha provat dhe raportin mjeko ligjor. Nëse kjo kërkesë e tyre u refuzohet, avokatët do t’i drejtohen EULEX’it.

Derisa tri të dyshuarat për rastin “Sopa” po qëndrojnë në paraburgim, avokatët e tyre nuk po rrinë duarkryq. Kështu mbrojtja e të dyshuarave ka drejtuar një kërkesë në adresë të gjyqtarit të procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva nga i cili kërkohet që të gjitha provat dhe shkresat e lëndës t’i kenë në dispozicion të tyre.

Kërkesa që mban emrin e avokatit të Teuta Sopës, bashkëshortja e të ndjerit Hamdi Sopa i është dorëzuar gjykatës dhe prokurorit të çështjes të shtunën. Kjo është bërë me arsyetimin se prej se ka ndodhur rasti mbrojtja nuk ka asgjë nga lënda.

“Deri më sot mbrojtja nuk ka pranuar asnjë provë nga shkresat e dosjes në rastin “Sopa” dhe as që jemi ftuar në ndonjë veprim hetimor të cilin është duke e zhvilluar prokurori i çështjes”, tha për Express avokati Florin Vërtopi.

Në emër edhe të kolegëve të tij Ramë Gashi, që mbron A.Sopën dhe Fatlum Podvorica avokat i E.Sopës, Vërtopi ka kërkuar që të fotokopjohen të gjitha shkresat e lëndës, si dhe raportin e ekspertëve mjeko ligjor në autopsinë e të ndjerit Hamdi Sopa.

“Gjykata, Prokurori i shtetit dhe policia që marrin pjesë në procedurë penale detyrohen që me përkushtim maksimal profesional dhe me përkujdesje të njëjtë të vërtetojnë faktet, e edhe ato që shkojnë në favor të pandehurit. I pandehuri para fillimit të procedurës dhe gjatë zhvillimit të saj ka të drejtë të shfrytëzojë faktet, si dhe provat të cilat janë siguruar nga policia apo Prokuroria, në mënyrë që pas një analize detale të provave dhe fakteve, të mund të propozojë nxjerrje të provave konkrete”, thuhet në kërkesën e ekipit mbrojtës.

Sipas avokatit Vërtopi në bazë të Kodit të Procedurës Penale(neni 61, paragrafi 3) siguron dhe i jep garanci të plota mbrojtjes që të njoftohet me kohë për vendin dhe kohën e zbatimit të veprimeve hetimore, të marrë pjesë në to dhe të shikojë shkresat dhe provat e çështjes.

“Sipas nenit 138 paragrafit 5 të Kodit të procedurës penale raporti i ekspertit i zbulohet të pandehurit apo mbrojtjes të tij dhe të dëmtuarit jo më pak se pesë ditë para fillimit të seancës për deklaratë në procedurë paraprake nga eksperti, por jo më vonë se dhjetë ditë pasi prokurori i shtetit të ketë pranuar raportin e ekspertit”, thuhet në kërkesën e avokatit. Vërtopi përmend edhe nenet e tjera të Kodit ku mbrojtjes i jep të drejtën mbrojtjes që të ketë qasje të plotë në shkresat e lëndës së të pandehurit, për t’u përgatitur për seancën e cila ka të bëjë me caktimin e paraburgimit. Gjithashtu avokati thotë se në bazë të nenit 213 të Kodit, e obligon Prokurorin e çështjes që mbrojtjes t’i jep qasje në shkresat e dosjes.

“Po që se prokurori i çështjes, i refuzon mbrojtjes shikimin dhe fotokopjimin e shkresave të caktuara, të librave, dokumenteve, fotografive dhe objekteve tjera materiale në posedim, ruajtje ose në kontroll të tij, me arsye se ka gjasa reale se shikimi, fotokopjimi mund të rrezikojë qëllimin e hetimit, jetën ose shëndetin e njerëzve, ai me këtë rast duhet të njoftojë mbrojtjen”, thotë avokati i bashkëshortes së Hamdi Sopës. Sipas avokatit Ramë Gashi, i cili me më 7 shkurt ka kërkuar edhe gojarisht nga Prokurori i çështjes që të lejojë të fotokopjohen shkresat e dosjes, ai ka marrë përgjigje se tani për tani nuk do të lejohet fotokopjimi i shkresave të dosjes.

RCCOLA

Sipas Vërtopit prokurori nuk ka dhënë në formë të shkruar asnjë arsye konkrete se cilat janë rrethanat të cilat e bëjnë të besueshme rrezikimin e qëllimit të hetimit.

Ekipi që mbron të dyshuarat në rastin “Sopa” kërkesat e tyre për qasje në lëndë i arsyeton edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe konventën mbi të drejtat qytetare dhe politike.

Sipas Florin Vërtopit këto në mënyrë strikte përcaktojnë “Parimin e barazisë së armëve dhe parimin e të drejtave për një proces të rregullt dhe të drejtë”.

“Nëse i pandehuri nuk informohet për faktet dhe provat të cilat e ngarkojnë, atëherë si mund ai të japë mbrojtje të arsyeshme, dhe si do t’i parashtronte propozimet konkrete qysh në fazën e hetimeve, për sigurimin e provave”, thotë Vërtopi.

Me këtë rast ata kërkojnë që të hënën avokatëve t’u lejohet qasja në shkresat e lëndës si dhe të ftohen në veprimet hetimore. Po që se një gjë e tillë u refuzohet nga gjyqtari, avokati Vërtopi thotë se nuk u mbetet asgjë tjetër përveç se të kërkojnë nga EULEX-i që ta marrë rastin. E gjithë kjo po bëhet pasi të dyshuarat dhe mbrojtësit e tyre kontestojnë raportin e mjekësisë ligjore në të cilën thuhet se i ndjeri Hamdi Sopa është vrarë. Duke u bazuar në këtë raport, prokurori Blerim Isufaj ka urdhëruar arrestimin e bashkëshortes dhe dy vajzave të të ndjerit si të dyshuara kryesore për vrasjen.

Ato dyshohen se kanë kryer vrasjen e rëndë në bashkëveprim.

Të triat gjenden në paraburgim prej 30 ditësh që nga 6 shkurti me vendim të gjykatës. Ato kanë mohuar se e kanë vrarë bashkëshortin përkatësisht babain, duke thënë se i ndjeri ka bërë vetëvrasje. Mirëpo zyrtarë të Departamentit ligjor qëndrojnë prapa raportit se i ndjeri është vrarë me thikë. Edhe prokurori Isufaj ka kërkuar paraburgimin e tyre me dyshimin se të dyshuarat e kanë vrarë me thikë Sopën dhe më pas e kanë hedhur nga ballkoni i katit të nëntë.

Në një deklaratë për Express Isufaj tha se tri të paraburgosurat janë të dyshuarat e vetme për vrasjen e Sopës më 29 janar.