Fundamenti

Muskulaturë politikanësh dhe akraballëk injorantësh

/ 5 minuta lexim

Nga Emin Azemi – Gjatë një komunikimi të rastësishëm me një mikun timin, më ra të kuptoj se dy-tri kompani nga vendi evropian ku ai jeton aktualisht, po bëhen gati të investojnë në Maqedoni. Miku im ndërmjetësues që është me origjinë nga Kosova, në pika të shkurtra më foli për natyrën dhe profilin e këtyre investimeve dhe u shpreh i entuziazmuar nga pritja që i kishin bërë autoritetet zyrtare në Shkup delegacionit shumëanëtarësh të investitorëve evropianë. Një lajm i mirë gjithsesi që rikthen pakëz shpresë për gjithë ata që po jetojnë minutat e fundit të depresionit social në këtë shtet që nuk e ka filluar aq mirë vitin, sidomos në planin ekonomik.

Por, kureshtja e gazetarit më nxiti ta pyes mikun se, pasi që ishte nga Kosova, se cila ishte arsyeja që investimet në fjalë nuk po bëheshin në atdheun e tij, por në Maqedoni. Lista jo e gjatë e motiveve që kishin shtyrë këta investitorë të zgjedhin pikërisht Maqedoninë e jo Kosovën, më shtyri pak të mendoj, ndonëse nuk ishin gjëra që nuk i kisha ditur.

Përderisa po bluaja në kokë pasojat e kësaj shmangieje që po i bëjnë investitorët e huaj Kosovës, m’u kujtua një komunikatë e para do kohësh e Odës Ekonomike të Kosovës e cila kritikonte burokracinë vendore dhe gjithë mekanizmat shtetërorë për mungesë përgjegjësie institucionale në thithjen e investimeve të huaja. Me sa më kujtohet, ajo komunikatë thoshte që Kosova duhet të mësojë edhe nga Maqedonia se si të motivojë investitorët e huaj e në veçanti ata evropianë dhe të rrisë eksportet.

Deri sa në Kosovë humbet kohë në kërkim të arsyeve për dështim, thuhej afërsisht në atë komunikatë, të tjerët gjejnë rrugë për të arritur synimet e zhvillimit ekonomik, duke përmendur me këtë rast qasjen e Maqedonisë e cila duhej analizohet mirë nga të gjithë.

Kosova e pasluftës, e stërngarkuar me muskuj komandantësh që harruan t’ua lëshojnë rendin atyre që dinë të qeverisin më mirë se ata, është rikthyer në një shkollë të keqe menaxhimi me asetet kombëtare, të cilat, në mungesë të sensit për nikoqirllëk shiten pa fije ngurrimi, duke i orientuar mbrapsht politikat makroekonomike në dëm të investimeve direkte vendore e të huaja dhe në shpërpjesëtim me nevojat dhe faktorët e brendshëm ekonomikë e social.

UBT

Përderisa po vazhdon ky “fitnes” kombëtar i politikës muskuloze kosovare, shtetet fqinje, përfshirë edhe Maqedoninë, po përfitojnë pikërisht nga neglizhenca dhe jonikoqirllëku institucional i drejtuesve të shtetit të Kosovës. Mjafton të analizohen, bie fjala, shifrat e qarkullimit tregtar për të kuptuar se në ç’parametra joprofitabilë lëvizin politikat ekonomike zhvillimore kosovare.

Përderisa Maqedonia vitin që lamë pas ka eksportuar mallra në vlerë afro dy miliardë euro, Kosova mezi e ka arritur vlerën 200 milionë euro. Se Kosova vërtetë duhet të mësojë nga Maqedonia flet edhe e dhëna se vetëm nga zonat industriale në lindje të Shkupit, eksporti i kalon mbi 550 milionë euro brenda gjashtë muajve.

Një fakt tjetër që lidhet gjithsesi me gjithë ata politikanë e këshilltarë politikanësh që bëjnë “bajram me veten” në Kosovë, ndërlidhet pikërisht me metodat mafioze të akrabave e kushërinjve të ministrave e kryeministrave në dëbimin e investitorëve seriozë nga vendi i tyre dhe për pasojë riorientimi i tyre pikërisht në Maqedoni. Në zonat e lira industriale të Maqedonisë që funksionojnë në lindje të Shkupit, që nga viti 2009 është duke funksionuar me sukses prodhuesi gjerman i pajisjeve elektronike për vetura, Draexlmaier Automotive Eletronics, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar të instalohet në zonën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku parashihej të punësohen fillimisht 100 e më pastaj edhe 500 punëtorë. Pas përpjekjeve të sikletshme tremuajshe të mbushura me ‘’aktivitete lobuese’’ të turli matrapazi e spirihuci, të ardhur rishtas nga katundi, që rastësisht mund të kenë qëlluar miq e familjarë të zyrtarëve të lartë kosovarë, prodhuesi gjerman pat hequr dorë nga Kosova dhe qe orientuar në Maqedonia.

Madje nuk shkoi shumë kohë dhe pronarët e Draexlmaier Automotive Eletronics patën shpallë njoftimin për hapjen e linjës së dytë të prodhimit, e për të rritur numrin e të punësuarve nga 4,300 në 4,900 veta , me paga mesatare të vendit. E njëjta ndërmarrje gjermane tashmë ka edhe dy linja prodhimi në Serbi, sepse edhe atje, sikur edhe në Maqedoni, kishte gjetur gjuhë të përbashkët dhe interes për të prodhuar.

Për gjithë ata që ende kanë dilema se pse nuk ka dinamikë zhvillimi jeta në Kosovë, patjetër që duhet të nxitet nga shembujt e mësipërm për të mësuar se muskulatura e politikanëve dhe akraballëku i injorantëve janë tumoret kancerogen të ardhmërisë së Kosovës.