Fundamenti

Ish-ministrja Haradinaj: Mungesa e Kosovës në Samitin e NATO-s, deficit diplomatik

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar për mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke e quajtur “deficit diplomatik”.

Derisa ka komentuar edhe sqarimin e MPJD-së, Haradinaj deklaron se “Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit. Kjo nuk është turp. Turp është të paraqitet mungesa e paaftësia si normalitet”.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka shkruar:

KOSOVA dhe NATO

Në diplomaci nuk ka rëndësi vetëm në cilën sallë hyn, por kush ta hap derën.

Sot Ministria e Punëve të Jashtme qenka munduar ta relativizojë mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s duke thënë se “Kosova nuk merr pjesë në samite sepse nuk është anëtare dhe nuk është në Partneritetin për Paqe”. Kjo është një mendësi disfatiste shtetërore, dhe vetëm gjysma e së vërtetës.

FIDANISHTJA

Po atëherë si ndodhi që në vitin 2024 Presidentja Vjosa Osmani ishte e ftuar në aktivitetin e hapjes me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit si dhe në aktivitetin e përmbylljes të Samitit, me ftesë të Presidentit amerikan? Vetë Presidentja Osmani atë pjesëmarrje e quajti “historike për Kosovën”, duke theksuar se SHBA bëri të mundur praninë e Kosovës pavarësisht se nuk ishte as anëtare e NATO-s dhe as pjesë e Partneritetit për Paqe e as shtet partner.

Pra nuk është e vërtetë që Presidentja Osmani kishte marrë pjesë vetëm në aktivitetet që lidhen me Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo është ftuar nga Presidenti amerikan të marrë pjesë edhe në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s ku është prezentuar si e ftuar e posaçme e Presidentit Amerikan dhe është rreshtuar krahas shteteve anëtare të NATO-s.

Pra, problemi sot nuk është statusi i Kosovës. Statusi ishte i njëjtë edhe atëherë. Por atëherë Kosova kishte lidere të cilës SHBA i besonte dhe e vleresonte aq sa të rishkruajë edhe vet rregullat e aktiviteteve të Samitit.

Problemi është pesha diplomatike dhe aftësia për të ndërtuar mbështetje politike e diplomatike që Kosova të jetë e pranishme aty ku merren vendimet strategjike dhe të avancohet prania ndërkombëtare e shtetit.

Kur ke liderë që angazhohen në diplomaci aktive dhe japin kontribut për agjenda globale, krijohen përjashtime dhe hapen dyer për Kosovën. Kur nuk ke, justifikimet zëvendësojnë rezultatet.

Prandaj, në vend të një sqarimi që mundohet të ulë pritjet e qytetarëve dhe të minimizojë ambiciet diplomatike shtetërore, do të ishte më e ndershme të pranohej se këtë herë Kosova nuk arriti të sigurojë një prani politike në aktivitetet e samitit. Kjo nuk është turp. Turp është të paraqitet mungesa e paaftësia si normalitet.