Uji Dea

Behgjet Pacolli: Vendimi i Gjykatës së Lartë konfirmon të drejtën time, zbardh “horrorin juridik” rreth Aeroportit të Vlorës

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Teksti i plotë i postimit të biznesmenit dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë, për të cilin ai thotë se konfirmon të drejtën e tij dhe përshkruan, sipas tij, padrejtësitë me të cilat është përballur në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Në reagimin e tij publik, Pacolli u bën thirrje qytetarëve që ta lexojnë me kujdes vendimin e Gjykatës së Lartë, duke theksuar se ai pasqyron me argumente juridike atë që e cilëson si një “horror juridik” të përjetuar nga ai, familja dhe kompania e tij.

“Jam duke lexuar vendimin e Gjykatës së Lartë, i cili u zbardh sot. Në mënyrë krejt njerëzore, ju ftoj të gjithë juve që keni ndjekur çështjen e Aeroportit të Vlorës ta lexoni me kujdes këtë vendim. Mbi të gjitha, do të ishte e drejtë dhe korrekte që ta lexonin edhe ata që, për muaj me radhë, kanë helmuar opinionin publik dhe ambientin shoqëror me interpretime ‘vetëm për të thënë diçka’ ose me qëndrime të nxitura nga dashakeqësia apo interesi”, shkruan Pacolli.

Ai thekson se rëndësi të veçantë ka që vendimi të lexohet nga njerëzit që i kanë besuar ndër vite, pasi, sipas tij, konkluzionet e Gjykatës së Lartë përshkruajnë në detaje atë që ai e quan “horror juridik”, i cili, sipas tij, i është shkaktuar familjes dhe kompanisë së tij për më shumë se një vit.

Pacolli shprehet se pasojat emocionale kanë qenë të mëdha dhe se ai dhe familja e tij kanë kaluar nëpër fyerje, kërcënime, poshtërime dhe denigrime të vazhdueshme.

Sipas tij, janë kërcënuar me jetë, janë larguar nga takimet e VIA-s, u është ndaluar puna, janë dëbuar nga kantieri, u është ndërprerë energjia elektrike dhe interneti, janë përvetësuar miliona euro nga llogaritë e VIA-s, janë bllokuar rrugët hyrëse dhe terminali i aeroportit, ndërsa janë dëmtuar edhe pajisje e inventar.

Në reagimin e tij, Pacolli drejton akuza të drejtpërdrejta ndaj Valon Ademit, për të cilin pretendon se ka organizuar këto veprime dhe se, sipas tij, ka ushtruar ndikim në vendimmarrje lidhur me administrimin e projektit.

“Të gjitha këto (e më tepër) kanë ndodhur para syve të institucioneve shtetërore, pa asnjë ndërhyrje efektive. Denoncimet tona kanë mbetur të paproceduara dhe pa përgjigje. Kemi trokitur në çdo derë, por i kemi gjetur të gjitha të mbyllura”, shkruan ai.

Pacolli thekson se shpresa e tij mbetet te Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nga e cila pret një hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional.

FIDANISHTJA

Ai vlerëson se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është vetëm një akt procedural, por një dokument që, sipas tij, argumenton juridikisht realitetin e përjetuar gjatë kësaj periudhe.

Biznesmeni shpreh mirënjohje për familjen e tij, duke theksuar se ajo i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj sfide, të cilën thotë se nuk do ta kishte imagjinuar kurrë ta përjetonte në Shqipëri.

Pacolli shton se kishte besuar se një investim i përmasave të Aeroportit të Vlorës do të pritej me respekt nga institucionet shtetërore, por në vend të kësaj, sipas tij, u përball me vendime gjyqësore që tani, siç pretendon, edhe Gjykata e Lartë i ka konstatuar si të jashtëligjshme, duke e futur në një proces me pasoja të rënda juridike, financiare dhe emocionale.

Ai pretendon se edhe aktualisht aeroporti vazhdon të mbahet i bllokuar nga grupe të jashtëligjshme, të cilat, sipas tij, pengojnë hyrjet dhe rrugët e aksesit në praninë e Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse.

Pacolli shprehet se vendimi i instancës më të lartë gjyqësore i ka rikthyer besimin në drejtësi dhe forcën për të vazhduar betejën ligjore.

Në fund të reagimit, ai falënderon ekipin e tij juridik në Tiranë, zyrën e avokatëve Eduard Halimi dhe Arlind Ahmetaj, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë procesit, si dhe të gjithë ata që, sipas tij, nuk e humbën besimin tek ai dhe kompania e tij.

Pacolli thekson se kjo përballje nisi sepse nuk pranoi të bëjë kompromis me parimet mbi të cilat ka ndërtuar jetën dhe veprimtarinë e tij në biznes, duke nënvizuar se ato nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë të negociueshme.

Në përfundim, ai u bën edhe një herë thirrje qytetarëve që ta lexojnë vendimin e Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar atë jo vetëm si një fitore juridike, por edhe si një fitore të madhe morale./rajonipress/