Fundamenti

MSA dhe dialogu

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Studimi i fizibilitetit i Komisionit Evropian që e paraqet Kosovën kryesisht të gatshme për të filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) vlerëson dialogun Kosovë-Serbi si një ndër parakushtet për avancim në procesin e negociimit të MSA-së.

Lëvdatat rreth këtij procesi dhe rreth Marrëveshjes Kosovë-Serbi të prillit 2013, në fakt zënë një vend të rëndësishëm në vlerësimin e Komisionit Evropian rreth procesit të MSA-së. Kjo u konfirmua së fundi edhe në Kuvendin e Kosovës, gjatë raportimit të Ministres për Integrim Evropian në seancë plenare rreth ecurisë së deritanishme të negociimit të MSA-së.

Raporti i dërguar nga Qeveria në Kuvend potencon se “në mënyrë që të fillojnë negociatat për MSA-në, Kosova duhet të vazhdojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në mes të Beogradit dhe Prishtinës deri më tani dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” U tha se ashtu siç dialogu me Kosovën do të jetë parakusht për Serbinë në negociatat për anëtarësim në BE që do t’i ketë kjo e fundit, edhe për Kosovën, avancimi në dialogun me Serbinë do të jetë kusht në avancimin e MSA-së dhe proceseve të tjera që lidhen me integrimin evropian.

Se hapja e negociatave për MSA-në ishte vendim i rëndësishëm për Kosovën, ajo nuk diskutohet, edhe pse Kosova do të mund të përfitojë nga ky proces vetëm nëse tregohet e përgjegjshme në plotësimin e kritereve të përcaktuara, shumë prej të cilave lidhen me tregtinë e lirë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik si dhe reformat në sektorë të ndryshëm. Por është esenciale që qysh tani të kuptohet që pavarësisht plotësimit të këtyre kritereve, BE e ka bërë të qartë që do të mund të ecet përpara vetëm nëse ka suksese në dialogun Kosovë-Serbi. Fatkeqësisht, ashtu siç e kam thënë shumë herë në Kuvendin e Kosovës, sjellja e Qeverisë së Kosovës në negociatat me Serbinë, dhe mungesa e përgjegjësisë së saj në plotësimin e kritereve teknike të përcaktuara nga BE, ka bindur institucionet e BE-së se në Qeverinë e Kosovës kanë një partner shumë joserioz.

UBT

Përderisa Qeveria nuk ka treguar as gatishmëri e as aftësi për të plotësuar kriteret teknike e politike, është bërë e qartë që BE mund të kërkojë koncesione në dialogun Kosovë-Serbi dhe pastaj si shpërblim për këto koncesione të jepë ndonjë ‘karrotë’ në procesin e integrimit evropian. Thirrja që vazhdimisht ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës që të mos shndërrohet procesi i integrimit evropian në një proces të koncesioneve në dialog me Serbinë, u injorua nga Qeveria. Prandaj edhe zyrtarë të qeverisë nuk hezitojnë të pranojnë që hapja e negociatave për MSA-në është bërë kryesisht për shkak të arritjes së Marrëveshjes Kosovë-Serbi, ndërkaq kushtet apo kriteret e tjera mbetën pothuajse nën hije të vlerësimi të dialogut të Brukselit. Një proces i tillë i vlerësimit të veprimeve të një shteti që synon integrimin në BE është jo i natyrshëm dhe nuk i ndihmon reformave të domosdoshme në vend.

Ashtu siç u konfirmua në procesin e liberalizimit të vizave, qytetarët nuk mund të presin nga Qeveria Thaçi plotësim të kritereve të cilat përmirësojnë jetën e tyre. Nuk mund as të presin zhvillim ekonomik që do t’ua bëjë atyre jetën në Kosovë të përballueshme, që rrjedhimisht do të largonte idenë e migrimit ilegal nga planet e tyre. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se hapa të avancimit drejt BE-së nuk do të ketë. Por këta hapa do të arrihen si shpërmblim për dialogun Kosovë-Serbi, e jo si rezultat i përmbushjes së kritereve në sundim të ligjit apo ekonomi. Prandaj kjo Qeveri duhet të shkojë shpejtë, në mënyrë që edhe Kosova të ecë drejt BE-së sa më shpejtë.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)