RCCOLA

Mosdeklarimi i qëllimshëm i pasurisë?

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Mbi 80 për qind e zyrtarëve publikë të niveleve komunale, e kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kosovare Kundër-korrupsion, që nga fillimi i konstituimeve të kuvendeve komunale, pas ndryshimeve që kanë ndodhur pas zgjedhjeve të 2013-s.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion, Hasan Preteni, thotë se në bazë të listave që Agjencia i ka pranuar nga zyrtarët e kontaktuar nëpër institucione të ndryshme, deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës dhe pas largimit nga funksioni publik, obligim ligjor për deklarimin e pasurisë kanë 1,629 zyrtarë.

“Kemi pasur zgjedhjet lokale dhe të gjithë ata të zgjedhurit dhe të emëruarit nga drejtorët e komunave, kanë për obligim të deklarojnë pasurinë 30 ditë pas marrjes të detyrës. Njëherësh, ata që nuk janë më në ato pozita, e kanë obligim të deklarojnë pasurinë deri në 30 ditë pas largimit nga detyra. Afate të sakta nuk mund të përcaktojmë, sepse në të gjitha komunat nuk janë konstituar kuvendet komunale në të njëjtën ditë”, deklaron Preteni.

Megjithatë, Preteni thekson se deri më tani AKK-ja nuk ka pranuar disa lista nga komunat në pjesën veriore të Kosovës.

“Na kanë mbetur edhe disa komuna të pjesës veriore, por do t’i përcjellim afatet e tyre, kështu që edhe ata do të kenë qasjen dhe tretmanin e njëjtë. Nuk do të hezitojmë t’i publikojmë emrat e të gjithë e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë, pa marrë parasysh nga cila komunë vijnë”, thotë Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, nëse zyrtarët e obliguar nuk e deklarojnë pasurinë brenda afatit ligjor, agjencia do të bëjë publikimin e emrave të tyre dhe njëkohësisht do të paraqesë kallëzim penal te prokuroritë kompetente, konform Kodit Penal të Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se hezitimi i mosdeklarimit të pasurisë, në disa raste, është i qëllimshëm.

Mobi Casa

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv në Lëvizjen “Fol”, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e rinj publikë e kanë problem që të bëjnë publike pasurinë e tyre.

“Ka një hezitim, por besoj se ky hezitim mund të jetë rastësor, nuk është çështje e neglizhencës së atyre zyrtarëve, sa është më shumë çështje që e kanë problem, që të fillojnë dhe të japin (të dhëna) për publikun, sepse një pjesë e madhe e tyre janë zyrtarë të rinj dhe sapo kanë marrë pozitat publike. Ata e kanë problem që të ketë qasje agjencia, rrjedhimisht shoqëria civile dhe mediat, në pasurinë e tyre”, shprehet Zogaj.

Ndërkaq, sa i përket zyrtarëve publikë në komunat veriore të Kosovës, Zogaj thotë se problemi nuk është administrativ dhe teknik, por problemi është politik, i pranimit të institucioneve të Kosovës.

Prandaj, Zogaj konsideron se nuk mund të pritet që në një periudhë të afërt kohore, zyrtarët komunalë në atë pjesë të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre.

“Por, kjo nuk do të thotë se Agjencia dhe institucionet e Kosovës të mos bëjnë presion që zyrtarët publikë në atë pjesë, të bëjnë publike pasurinë e tyre. Dhe, pa diskutim, duhet pranuar se zgjedhjet e tre nëntorit dhe një dhjetorit, kanë pranuar edhe kuadrin ligjor të Kosovës, e këtu përfshihet edhe deklarimi i pasurisë”, thekson Zogaj.

Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, obligon të gjithë zyrtarët që të deklarojnë pasurinë e tundshme, atë të patundshme, paratë e gatshme nëpër banka, aksionet në shoqëri komerciale, letra me vlerë, para të gatshme në institucionet kreditore, borxhet, të hyrat vjetore, si dhe prejardhjen e tyre.

Ky ligj, po ashtu, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale. /REL/