Fundamenti

Morali i matrapazëve

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Se kush është më matrapazi i politikës në Kosovë është me të vërtetë pyetje për një milion dollarë. A janë të tillë deputetët që nuk lejuan shitjen e Postë Telekomit të Kosovës, një fondi investues me aksionarë anonimë, apo ata që me çdo kusht dëshirojnë ta heqin qafe në mënyrë klandestine një nga ndërmarrjet e pakta profitabile në vend.

Ai që më së miri di ta “sillë dhe ta pshtillë” në këtë vend, shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, i quajti matrapazë deputetët që nuk e votuan shitjen e PTK-së bashkë me projektbuxhetin 2014, ndërsa vetë doli në rolin e shenjtorit.

Por, pikërisht “shenjtorët” si Grabovci dhe bashkëpartiakët e tij, kanë dhënë kontribut të madh në shkatërrimin e shumë kompanive publike fitimprurëse, duke i sjellë në gjendje që të mos jenë atraktive për investitorët e huaj.

Kjo për faktin se këto ndërmarrje u mbipunësuan me partizanë partiakë dhe njëkohësisht u favorizuan kompanitë private në kurriz të atyre publike.

Dhe tashmë kompanitë publike dëshirojnë t’i heqin qafe, pasi që maksimalisht i kanë shfrytëzuar për përfitime personale.

Grabovci është ai që për pak vjet dhjetëfishoi pasurinë, duke mos arritur ta dëshmojë para opinionit se ku i fitoi milionat me pagën e tij të deputetit dhe me pagën e bashkëshortes, të cilën po ashtu e ka punësuar në kompani publike.

Nuk është ky paradoksi i vetëm në Kosovë. Fatkeqësisht kemi të bëjmë me një labirint të pafund paradoksesh.

Fundamenti

Vetëm në Kosovë ndodh që asistentët arrestohen për falsifikim të notave, përderisa profesorët vazhdojnë punën në universitet thua se s’ndodhi asgjë ilegale në emër të tyre.

Disa herë u arrestuan nëpunës publikë që u korruptuan me nga 20 euro. Mirë që u dëshmua forca e ligjit në këto raste, mirëpo ata që vodhën miliona vazhdojnë të mbeten të paprekshëm dhe po na moralizojnë se si duhet të luftohet korrupsioni.

Për çdo lëvdatë janë ata policë të Kosovës që u treguan aq efikas në zbulimin e kioskës në qendër të Prishtinës, ku droga shitej me gram, ndërsa krerët e këtij institucioni po dështojnë t’i gjejnë bosët e drogës në vend.

S’po e përmend edhe njëherë skandalin tjetër se si s’po zbulohen vjedhësit e drogës në Dhomën e Sigurisë së lartë në Polici, pasi që për këtë temë u fol shumë herë gjatë këtij viti që po e lamë pas, dhe më herët.

Pra, si pasojë e dështimit të institucioneve përkatëse që t’i kryejnë punët që obligohen me ligj, kemi ardhur në një situatë ku matrapazi shet moral, kur i korruptuari flet për një qeverisje me duar të pastra, etj.

Pra, s’po dihet kush është shenjtori e kush mëkatari këtu. Ndërsa shkrimtari i njohur irlandez, Oscar Wilde, ka thënë se çdo shenjtor e ka një të kaluar dhe çdo mëkatar e ka një të ardhme.