RCCOLA

Filmi shqip i Kosovës në Shqipëri

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Flamur Hyseni – Gjuha shqipe si edhe secila gjuhë tjetër mund të jetë e unifikuar vetëm zyrtarisht. Pra është logjikisht e pa pranueshme ti kemi dy gjuhë shqipe standarde, por nuk përjashtohet mundësia me na ba vaki edhe kjo! E cila kish me u quajt: vaki shqiptare.

Sa shqiptari i Shqipërisë është që as idenë nuk e ka se si flitet dhe shkruhet shqipja në Preshevë dhe Bujanoc, se si shkruhet dhe flitet shqipja në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Strugë, se si shkruhet e flitet shqipja ne Ulqin, se si shkruhet e flitet shqipja prej shqiptarëve në Gjermani, Zvicër, e prej shumë shqiptarëve të tjerë në Evropë e përtej.

Filmi (seriali produkt i Kosovës) në televizionin privat në Tiranë është transmetua edhe me titra për shqiptarët që e dinë dhe e duan gjuhën shqipe standarde. Shumë lehtë ka qenë për shqiptarët e tjerë, ka ekzistu mundësia mos mi lexu titrat. Fundja, qëllimi i filmit është me u kuptu prej të gjithëve.

Filmi (seriali produkt i Kosovës) i transmetuar në një televizion privat të Tiranës, me titra, nuk duhet të shihet sulm kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë, por tentim i disa personave me kriju problem të pa qenë, sepse gjuha shqipe në hapësirat ku flitet i ka lokalizmat e saj plus dialektet. Lokalizëm është edhe e folura e shqipes ne territorin e Kosovës dhe Shqipërisë, e cila prapë dallon se si flitet në Gjilan, e se si flitet në Deqan, se si flitet në Shkodër, e se si flitet në Korçë, se si flitet në Ulqin, e se si fitet në Preshevë, e se si flitet në Gjakovë, e se si flitet në Tetovë, si edhe në hapësirat e tjera ku flitet shqip, çdoherë në raport me gjuhën shqipe standarde.

Çdo përpjekje për unifikim të dialekteve, do të shkaktoj përçarje kombëtare e cila na ka kushtu shumë gjatë shekullit 20, dhe si duket do të na kushtoj shumë edhe në këtë shekull.

Secili e flet gjuhën e tij në hapësirën se ku jeton dhe vepron. Pra edhe secili shqiptar. Diçka tjetër është nëse e mendojmë për gjuhën shqipe standarde. Këtë duhet ta mësojmë. Nuk është e lehtë me mësu gjuhën shqipe standarde.

Fundamenti

Shqiptarët që e kanë mësu gjuhën shqipe standarde nuk u kanë faj shqiptarëve që nuk e kanë mësu dhe nuk po e mësojnë gjuhën shqipe standarde.

E rëndësishme është të angazhohemi se, si ta mbrojmë gjuhën shqipe standarde dhe dialektet e saj prej zhdukjes, siç e theksoi shumë mirë para disa dite Daut Dauti.


Shumë mirë është që një film (serial prudukt i Kosovës) është transmetu në një televizion privat të Tiranës, ndërsa, edhe më mirë që ky televizion ka arritë ta bëjë të mundur të kuptohet filmi përmes titrave edhe në gjuhën shqipe standarde. Nuk është punë e lehtë kjo.

Kushdo që gjuhën shqipe standarde e konsideron gjuhë vetëm të Shqipërisë, mos ta mëson, por nuk ka të drejtë me kontestu.


E vetmja mundësi që shqiptarët të kuptohen saktë me njëri-tjetrin në shqip, është që ta mësojnë mirë gjuhën shqipe standarde. Përndryshe, do të na duhen titrat.


Nuk unifikohet e pa unifikueshmja. Nuk unifikohen dialektet sepse janë dialekte të gjuhës, dhe as nuk vlerësohen se cili është dialekt i duhur, dhe cili i pa duhur.