Eko Higjiena

Mësuesit nga diaspora: “Kësaj radhe institucionet nuk guxojnë të dështojnë”

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Opinionet e tyre rreth konferencës për institucionalizimin e shkollës shqipe në diasporë, i shprehin mësuesit: Xhevat Isufi nga Suedia dhe Vaxhid Sejdiu, nga Zvicra.

Xhevat Isufi, mësues i shkollës shqipe në Suedi, e sheh me shumë optimizëm konferencën për mësimin plotësues në gjuhüën shqipe, që u mbajt ditë më parë në Prishtinë. “ Ajo me siguri do ta japë kontributin e vet. Në të u diskutua për problemet me të cilat mërgata jonë, gjegjësisht shkolla shqipe, ballafaqohet vazhdimisht, prandaj i jemi mirënjohës Ministrisë së Diasporës për organizimin e saj. Ajo u zhvillua në mbështetje të ligjit për diasporën dhe debati u soll rreth kurikulës apo planprogrameve, gjegjësisht për njësimin e tyre për gjithë diasporën shqiptare, përpunimin e programeve dhe teksteve e mjeteve mësimore të përbashkëta, për një organizim më të mirë të shkollës shqipe”, thotë mësuesi Isufi.

Ndërkaq ai e veçon licencimin e mësuesve si çështje të cilës i duhet kushtuar rëndësi e veçantë. “Më i rëndësishmi është licencimi sepse në diasporën tonë, në periudha të ndryshme, kanë punuar njerëz që ndoshta nuk kanë qenë të përgatitur për të ushtruar detyrën e mësuesit. Prandaj, kjo konferencë e hap rrugën që të bëhet licencimi konform rregullave në shtetet e ndryshme ku organizohet mësimi plotësues dhe këtë e konsideroj si hap të qëlluar”.

Trajtim jashtëzakonisht i mirë i mësimit shqip në Suedi

Mësimi në gjuhën shqipe në Suedi ka specifikat e veta dhe zhvillohet në kushte shumë më të favorshme krahasuar me atë në vendet tjera. Arsimtarët që japin lëndët në gjuhët e komuniteteve të huaja kanë një trajtim shumë të mirë, sqaron Isufi.

“Shteti suedez mësimin e gjuhës shqipe e mbron me ligj dhe e organizon përmes institucioneve arsimore të Suedisë, duke filluar nga ministria e arsimit e deri te komunat. Mësuesit e huaj i gëzojnë të gjitha të drejtat sikur mësuesit suedezë. Në Suedi mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet në115 komuna.

Janë 150 mësues me normë të plotë që paguhen nga shteti suedez. Nota e gjuhës shqipe është e barabartë me notat e lëndëve tjera Njëkohësisht ka planprograme të veçanta për mësimin e gjuhëve të huaja ku hyn edhe gjuha shqipe”, sqaron bashkëbiseduesi.

Mobi Casa

Mësuesit dërgohen në kurse të ndryshme por edhe në studime për të kompletuar arsimimin e tyre me lëndët si didaktikë, pedagogji etj., duke pasur si qëllim arritjen e nivelit të mësimit që e zhvillojnë kolegët suedezë, thotë Xhevat Isufi duke folur për favoret që krijon sistemi arsimor i Suedisë për të huajt, prandaj edhe për shqiptarët.

Vaxhid Sejdiu: Mobilizimi i tri ministrive, garancë për seriozitet

Edhe Vaxhid Sejdiu, mësues dhe aktivist i LAPSH-it, Zvicër, i cili udhëheq me sukses prej vitesh mësimin shqip në Kantonin St. Gallen, ka fjalë të mira për konferencën. Ai shpreson se mobilizimi i ministrive, organizuese të kësaj konference kësaj here do të japë frytet e pritura.

”Është bërë një punë e madhe. Shpresoj se në të ardhmen do të bëhet edhe më shumë, pasi që kjo është një nismë e mbarë, me angazhimin e përbashkët të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës”.

I pyetur për mundësinë që edhe kësaj here konkluzionet të mbeten vetëm në letër, ai thotë: “Mendoj se kësaj radhe puna do të jetë më serioze për shkak të angazhimit të institucioneve përkatëse. Këtu janë involvuar 3 ministri, në një mënyrë është treguar se të gjitha palët janë të gatshme për të ecur përpara. Të gjithë kanë marrë obligime. Me rekomandimet e reja dhe grupet e reja të punës të ngritura këtu, me përbërje ekspertësh, do të vazhdohet puna dhe të gjitha kërkesat e parashtruara do të merren parasysh”, thotë Sejdiu.

E vetmja mangësi sipas mësuesit shqiptar nga Zvicra, me prejardhje nga Kumanova, është mungesa e përfaqësuesve të shqiptarëve të Maqedonisë. “Unë kam një shqetësim që e thashë edhe në konferencë, se është për keqardhje mospjesëmarrja e përfaqësuesve të arsimit shqip në Maqedoni. Mendoj se kjo mungesë ishte e dëmshme për procesin dhe fundja, është absurde mospjesëmarrja e atyre që thirren në emrin e popullit shqiptar atje”, thotë Vaxhid Sejdiu.(albinfo)