RCCOLA

Mësuesi dhe poeti i Gjilanit që shpërndau rreze diturie

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Hysen Këqiku u lind më 05.07.1944 në Velegllavë (Velia Glaua) të Dardanës (ish-Kamenicë). Shkollën fillore e filloi në Vendlindje dhe e vazhdoi në Vaksincë dhe Llojan të Kumanovës, nga se më 1956, pikërisht me 28 Nëntor, familja e tij shpërngulet prej Velegllave dhe vendoset në Vaksincë, ku jetoi deri më 1973. Gjimnazin e kreu në Preshevë, kurse shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Shkup.

Më pastaj pa u shkëputur nga marrëdhënia e punës, si mësimdhënës i gjuhës shqipe, i vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Me shkrime ka filluar të merret si nxënës i shkollës fillore në Velegllavë, Vaksincë dhe Llojan, kurse si gjimnazist në vitin 1965, e botoi vjershën e parë në “Zani i rinisë” me titull “Vendlindjes”.

Gjatë kohës sa ishte në marrëdhënie pune në Shkollën fillore “Rilindja” në Llojan, formoi grupin letrar “Migjeni” dhe bashkë me anëtarët e këtij grupi nxorri fletushkën mujore “Dielli” e më vonë “Gëzimi”. Poashtu gjatë këtyre pesë vjetëve, sa punoi në Llojan, nëpër fshatrat e Kumanovës mblodhi doke, zakone dhe këngë dasme dhe me to, hartoi një libër “Doke e zakone të dasmës të përcjellura me këngë, në shtojcën e së cilës janë të botuara 250 këngë dasme me interes folklorik. (ruhet në IA – Prishtinë).

Në vitin 1968, me aktivitetin letrar që zhvilloi me grupin letrar, pati sukses që për herë të parë në historinë e themelimit të Radio Kumanovës të emitohet një program 15 minutësh për fëmijë në gjuhën shqipe.

Poashtu edhe gazeta javore “Nash vesnik” e Kumanovës pas kërkesave të pareshtura dhe dërgimit të punimeve të grupit letrar të shkollës fillore “Rilindja” në Llojan, u arrit i njëjti qëllim që në tetor të vitit 1968, ta botojë gjysmën e faqes së fundit me vjersha të këtij grupi letrar në gjuhën shqipe.

Vjershat dhe tregimet e tij për fëmijë dhe të rritur janë botuar në revistat e kohës që dilnin në gjuhën shqipe si në “Flaka evëllazërimit”, “Jehona”, “Gëzimi”, “Venera”, “Sogjetima”, “Shkëndija”,”Nositi”, “Fatosi”,“Pionieri”,”Gepi”,”Bashkimi” (Gjilan), “Agmia” (Gjilan”)dhe “Rilindja për fëmiijë”, “Ylberi” etj.

Në vitin 1973, bashkë me familjen shpërngulet nga Vaksinca dhe vendoset në Gjilan, ku filloi punën, në të njëjtin profesion, mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Musa Zajmi”. Edhe këtu formoi grupin letrar “Migjeni” e më vonë “Ali Huruglica”, me të cilët vazhdoi nxjerrjen e një reviste vjetore të shkollës me titull “Mimoza”.
Prej vitit 1983 – 1987, nxori revistën komunale për fëmijë “Venera” dhe ishte redaktor i saj.

Anëtar dhe sekretar i Klubit letrar “Dardania” ishte që nga viti 1975 – 1988, kur organet policore serbe e përjashtojnë nga Klubi si të papërshtatshëm ideopolitikisht.
Në vitin 1990 bashkë me një grup humanitarësh, në Gjilan themeloi SHHBK “Nëna Tereze” dhe zgjidhet kryetar i saj, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 1997. Po ashtu, sa ishte kryetar i Shoqatës Humanitare, Bamirëse të Kosovës, në kuadër të saj, në Gjilan themeloi degën e paraplagjiatëve të Kosovës.

Mobi Casa

Në kuadrin e Shoqatës, derisa ishte kryetar i saj, nxori dy libra me shtojca letrare :”Bamirësia”dhe “Flakërima”. Është themelues i Sindikatës së Pavarur të shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan si dhe anëtar i grupit iniciues për themelimin e Sindikatës së Pavarur për Arsim , Shkencë dhe Kulturë në Gjilan më 1990, ku pas themelimit u zgjodh kryetar i Komisionit për Informim.

Në vitin 1992, bashkë me Mehmetali Rexhepin dhe Shefik Shkodrën themeloi Klubin letrar “Rexhep Elmazi”, kurse me Nazmi Musën dhe Shaban Shabanin – Shoqatën e Pavarur Kulturore, e cila për disa vjet rresht ndikoi në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore kombëtare në Gjilan.

Që nga viti 1968, ka qenë i ndjekur dhe nën përcjelljen e përhershme të organeve policore serbe dhe të shërbëtorëve të tyre.Disa herë është arrestuar nga policia, ndaj të cilit është ushtruar dhunë psikike dhe fizike.

Si krijues letrar është i prezantuar në disa publikime të autorëve të ndryshëm: Autorë të ndryshëm:”Libri që po shkruhet”, Gjilan 1979, Autorë të ndryshëm:”Bëmirësia”, Gjilan 1991, Autorë të ndryshëm:”Flakërimë”, Gjilan 1992, Autorë të ndryshëm:”Agurrona”, Gjilan 1993, Odhise Grillo:”Leksikon, Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë 1872-1995”, Tiranë 1997, Revista letrare për fëmijë “Pionieri”, numri jubilar i 50- vjetorit të daljes, 5 nr.1, Prishtinë 1998, Demir Behluli:”Portrete shkrimtarësh”, Prishtinë 2002, Hasan Hasani:” Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001”, Prishtinë 2003.

Hysen Këqiku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, editor i Shtëpisë botuese”Kurora” dhe jeton në Gjilan.

Veprat të botuara:

1. “Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, “Shkëndija”, Prishtinë 1994,
2. “Ti dil nga loja”, poezi për fëmijë, “Pionieri”, Prishtinë 1995,
3 . “Kufij që preken”, dramë për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1997,
4. “Dritë mbi Lotinë”, poezi për të rritur, “Vatra”, Prishtinë 1999,
5. “Ujëvarë e patharë”, poemë për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë 2000,
6. “Qëndresë me besa-besë”, poemë për fëmijë”, “Ura” Gjilan, 2000,
7. “Velia Glaua, ëndërr e ripërtërirë” I”, monografi, “Ura” Gjilan 2001,
8. “Velia Glaua ëndërr e ripërtërirë I – gjenealogji 1720-1996”, “Ura”, Gjilan 2001,
9. “Kujtim malli për shkollën time I”, poezi të fëmijëve, “Kurora”, Gjilan 2004,
10. ”Psherëtimë për tokën”, panoramë letrare I, “Kurora”, Gjilan 2004,
11. “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, “Kurora”, Gjilan 2005,
12. “Kujtim malli për shkollën time II”, poezi të fëmijëve, “Kurora”, Gjilan 2007.
13. Nazif Përlepnica, hero në mes të heronjve”, “kurora” 2008, Gjilan
14. “Një atdhe me dashuri”, “Kurora”, Gjilan 2008
15.”Demir Behluli”- monografi, “Kurora”, Gjilan 2008
17.”Vegim i përflakur” kurorë sonetesh, “Kurora”, Gjilan 2008

Këto libra të tij unë i kam,mbase ai do të kenë shkruar edhe të tjera,të cilat ende nuk më kanë rënë në dorë. Pra veprimtar si Hysen Kqiku, janë e kombit,e letërsisë sonë,e shkollave tona. Ata i kanë sjellë dhe do të i sjellin kombit krenari e dritë diturie./shaban cakolli//rajonipress/