…më zi ma bëfshi! (ad hoc)

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli – Filloi fushata parazgjedhore! Ndonëse mund të ketë edhe tre-katë muaj, kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale, ku duhet të marrë pjesë edhe qyteti ynë me rrethinë, partitë politike bëjnë fushata për përvetësimin e qytetarëve, sikur zgjedhjet të ishin pas një jave!

Lufta bëhet e ashpër, po, bëhet, siç po shihet, qoftë edhe për një votë. Nuk kanë faj, siç ka dëshmuar realiteti ynë i deritashëm, pasi një lumturi e madhe e mëtuesve të pushtetit, varet nga çdo votë e qytetarit. E dinë mëtuesit e ardhshëm të pushtetit rëndësinë e votës. Sidomos ata që u ulën ndonjëherë në kolltukun e pushtetin e “qeverisën” si në kohën e pushtuesit turk, tamam si pashallarë. Që bënë çka dashtën, e keqtrajtuan qytetarin e nuk iu përgjigjën askujt, asnjëherë.

Prandaj, edhe luftojnë, për një votë – për një. Sidomos në realitetin tonë shoqëror ku shoqëria, në kohë të fundit, të bojkoton votimin. Njerëzit nuk brengosen fare të dalin në votime. Apo edhe bojkotimi është një mënyrë deklarimi e votimi qytetar.

Mbi pesëdhjetë për qind e qytetarëve nuk dalin në votime. Ndoshta edhe më shumë. Po nuk tregojnë lakmuesit e pushtetit. I shtojnë pjesës së votuesve edhe nja dhjetë për qind të atyre që nuk kanë votuar fare dhe, që ta shpejtojnë procesin, thonë kaq e kaq dolën në votime, domethënë mbi gjysma e votuesve të planifikuar! Që të vlejnë votimet. Që të zihen pozitat e dëshiruara të politikanëve tanë, të cilët mendojnë se janë elita e shoqërisë sonë. Që të thonë ne jemi të zgjedhurit e popullit. Që kemi ardhur të qeverisim me votën e besuar të popullit.

Anipse nuk i kanë mbi gjysmën e votave të popullsisë. Se populli ka provuar qeverisjen e mirë, të drejtë e tejet të suksesshme të tyre…

Është zhgënjyer populli, prandaj të bojkoton. Nuk të përgjigjet fare. Të tregon se nuk ka kë ta votojë. Kë ta zgjedhë. Hej, populli është zhgënjyer. Të bojkoton. Nuk të voton! Nuk ka kë ta votojë. Është mashtruar. Është zhgënjyer. Prandaj të bojkoton.

Mobi Casa

Mua, qytetarë të nderuar, më pëlqen reagimi i masës. Atëherë kur reagon arsyeshëm, logjikshëm, me mend. P. sh. më pëlqen ndëshkimi që ia jep udhëheqjes së pamerituar. Udhëheqjes që i ka bërë e i bën keq qytetarit, ndërsa thotë se ka bërë e po bën mirë. Udhëheqjes që të gënjen para syve dhe pa asnjë turp. Udhëheqjes që nuk skuqet. Që nuk ka fytyrë fare. Por, qytetarë të nderuar, unë mendoj se qytetari, me kulturë politike, duhet të jetë qytetar edhe më aktiv i shoqërisë sonë.

Duhet t’i interesojë politika, të marrë pjesë në zgjedhje, bile të jetë edhe pjesë e atyre që do të votohen, sepse duhet formuar institucionet që i duhen shoqërisë për të krijuar rregullin në shoqëri, përndryshe do të kishim kaosin ku njeriu nuk do të mund të jetonte si njeri. Unë, qytetarë të nderuar, mendoj se duhet të interesohemi shumë për atë se kush do të propozohet për ta votuar, kush do të fitojë në votime dhe kush do ta qeverisë qytetarin tonë. Sepse, qytetarë të nderuar, njeriu nuk duhet lënë në dorë të gjithkujt.

Sepse, qytetarë të nderuar, duke heshtur, duke u anuar dhe duke mos u angazhuar fare, mund ta pësojmë si me ata që ishin deri më tash. Se mund të vijnë edhe më të këqij se ata që ishin deri më tash. Unë kam frikë nga kjo, prandaj sa herë flitet në radio, televizion, në shoqëri; sa herë shkruhet në gazeta, në portale të ndryshme dhe kudo tjetër, në mure, në shtylla, në lisa, në trotuare e kudo tjetër, bëhem tërë sy e veshë të kuptoj se ç’po ndodh, se si thotë populli, më ka djegë tamli e i fryj kosit, se jemi djegur keq, e kemi pësuar njëherë e nuk duam ta pësojmë prapë; na ka mësuar përvoja, kush nuk mëson nga përvoja le ta përjetojë prapë, se nuk na dhimbset fare, bash hiç, fare, në qafë e pastë vetveten.

Unë nuk dua ta pësoj për së dyti, si e pësova njëherë, më mashtruan, më thanë janë burra të mirë e u mashtrova – votova, prandaj i hap sytë, tani, i bëj katër, të duket i mirë – të del dreq me brirë, nuk dua të mashtrohem, dua të jem qytetar aktiv sa është e mundur dhe të ndikoj edhe me votën time.

Prandaj, qytetarë të nderuar, më intereson çdokush që flet për votimet e zgjedhjet, se nga ajo varet e ardhmja jonë, se nuk i lihet pushteti çdokujt në dorë, prandaj e dëgjoj me kujdes këdo që flet për votimet e zgjedhjet, sepse dua të kuptoj se çka po ndodh e çka do të ndodh me ne, çka do të na gjej e në dorën e kujt do të jemi, çfarë dreqi do të na hajë…, prandaj e dëgjoj, gjithsesi, si jo, edhe një ish-nxënësin tim, i cili ka shkuar lart, është ngjitur lart në politike, është i zoti, apo po i ec, po më duket se punët në jetë na ecin ose jo, ku di unë, më duket kjo si një punë e paracaktuar, për çka na ec e për çka nuk na ec e, po them, edhe atij ish-nxënësit tim duket i ec politika, puna e pushtetit, sepse ka hipur lart në pozitë e ja ai del flet shumë për politikën, në fakt, na flet për një parti politike, flet për zgjedhjet e ardhshme dhe unë, tani e dëgjoj çka po thotë, normalisht, po them, jo normal, si e thonë gabimisht disa, e dëgjoj se çka po flet, kujt po i flet, çka po premton…etj etj.

E dëgjoj, gjithsesi, si jo, ish-nxënësin tim, tani lart në politikë e në pushtet, normalisht, si thashë, po i ec dhe i ectë!, pse jo?, veç le të bëhet mirë dhe mirë shumë që, ish-nxënësi im, angazhohet në politikë e pushtet, se është i ri dhe të rinjtë janë në gjendje të punojnë më shumë, janë edhe më të drejtë e më të njerëzishëm, më duket mua, por çka t’i bëjmë që, një rast, jo, më falni, jo një rast, po siç po më kujtohet tani, disa raste me radhë, ai foli politikisht, d.m.th. foli si flasin veç politikanët e politika, me nder me thënë, d.m.th. foli diç që më tmerroi, sepse mua m’u duk se tha (ishalla nuk është e vërtetë!), p.sh. se partia jonë është shembull për qeverisje të mirë e se ne do të ecim gjurmëve të deritashme të qeverisjes së partisë sonë; se nga kjo parti mësojnë qytetarët sesi duhet të bëhet politika, sesi duhet të qeveriset; se nuk ka qytetar që nuk është bërë i lumtur me të mirat e qeverisjes së partisë sonë e të tjera e të tjera lavdërata pa vend, pa kuptim, aspak të qëndrueshme të njerëzishme etj. etj., në vend se të thoshte, p. sh., se ne, brezi i ri, do të angazhojmë njerëzit më të ditur e më të njerëzishëm, e do të punojmë sinqerisht, e do t’i shërojmë plagët e paraardhësve tanë “qeverisës”, e se do të punojmë sinqerisht, jo vetëm për vetveten në pozitë, po edhe për qytetarin etj.etj., prandaj, të nderuar qytetarë, unë u tmerrova nga ato fjalë se e di se si u keqpërdor pushteti, si na shtypën e na bënë shumë padrejtësi aq sa, qytetarë të nderuar, na detyruan të mendojmë a të jetojmë a të dalim të vdesim duke luftuar për të drejtën, për dinjitetin, për jetën tonë etj., etj.; pse e di se të kënaqur, vërtet, kanë qenë ata që ishin në pozitë, të cilët nuk na qeverisën po na sunduan e na shtypën; pse e di se mirë ata i bënë vetvetes, familjeve të tyre, ithtarëve të tyre partiakë; vërtet, të kënaqur ishin ata e jo ne, ne vuajtëm keq dhe vuajtja na bëri edhe të mendojmë keq, na bëri të mendojmë që ta marrim ligjin vetë në dorë, po, qe, Zoti na ruajti e shpëtuam, se ku ta dish se çka do të bëhej e ku do të ishim tani, prandaj, tani, qytetarë të nderuar, nuk mendoj tjetër vetëm si t’i dalloj e t’i votoj ata që na bëjnë e mund të na bëjnë më pak keq (se nuk besoj më se ka vërtet të mirë!) e të dal t’i votoj ata, se, sa iu përket këtyre, që na sunduan e na shtypën (dhe përkundër kësaj edhe po lavdërohen se kanë bërë mirë e, madje, qysh tash, po thonë se do ta vazhdojmë të njëjtën mënyrë të qeverisje, që domethënë të njëjtën mënyrë të shtypjes së qytetarit, të cilën ata po e quajnë qeverisje e mirë, qeverisje shembull, qeverisje shkollë etj, etj.), që tash, qytetarë të nderuar, po deklarohem publikisht: në i votofsha edhe njëherë edhe më zi ma bëfshin!