Maloku: Qytetarët kërkuan kompromis politik, jo autokraci
Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit kanë dhënë mesazh të qartë për kompromis politik dhe funksionalizim të institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Maloku tha se qytetarët treguan kulturë demokratike dhe kërkuan nga liderët politikë më shumë seriozitet në proceset paszgjedhore.
“E para është që qytetarët e Republikës së Kosovës treguan që edhe Kosova duhet me doemos t’i përkas vendeve, familjes së vendeve me demokraci vibrante, për arsye se treguan gjithsesi kulturë të mirë dhe për rrjedhojë dhanë mesazh të fuqishëm për spektrin politik, e posaçërisht për liderët e tyre, që të jenë më seriozë pas proceseve zgjedhore. Kjo “serioz”, për mua nënkupton që ta kuptojnë se Kosova është demokraci parlamentare dhe në demokraci parlamentare çelësi është kompromisi, marrëveshja politike. Për rrjedhojë qytetari tha: “nuk duam autokraci, duam marrëveshje politike, duam demokraci dhe duam kompromis mes palëve”. Në instancë të fundit të gjithë janë, po flas për subjektet më të mëdha në vend, të gjithë janë shqiptarë dhe nuk kanë asnjë arsye specifike që të refuzojnë njëri-tjetrin deri në masën sa të jenë të padurueshme në raporte ndërmjet vete”, tha ai.
Maloku, tha se zgjedhjet kanë ndryshuar raportet politike brenda Kuvendit të Kosovës dhe se subjektet politike duhet ta lexojnë rezultatin si kërkesë për marrëveshje politike.
“Subjekteve politike iu ndërrua fuqia përbrenda Kuvendit të Republikës. Pavarësisht shpjegimeve se na qenka dalja pak e kështu me radhë, megjithatë subjektet politike në Kuvendin e Republikës kanë pozicione të ndryshme tanimë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një pozicion më ndryshe, tani e ka shumë më ndryshe dhe shumë më të mirë. Për rrjedhojë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu edhe Partia Demokratike e Kosovës megjithatë ka treguar që kanë një stabilitet edhe në këtë krizë të mungesës së votës. Dhe Lëvizja Vetëvendosje, që më së shumti ka ulje të numrit të deputetëve në Kuvendin e Republikës, pavarësisht votës së përqendruar tek ky subjekt politik. Procesi si i tillë do të duhej të merrej si mesazh thelbësor: kompromis, marrëveshje politike. A do të ketë kompromis e marrëveshje politike, a e kanë marrë këtë mesazh spektri politik e posaçërisht liderët, ngelet për t’u parë”, tha ai.
Sipas tij, kriza politike në vend buron nga mungesa e kompromisit pas zgjedhjeve të vitit 2025.
“Faktikisht ishte narrativ i krijuar që gjoja zgjedhjet e 7 qershorit 2026 erdhen si pasojë e moszgjedhjes së shefit të shtetit. Mirëpo burimi i mosmarrëveshjeve, burimi i krizave politike është më 09 shkurt 2025 dhe kjo është si pasojë e mospasjes së dëgjueshmërisë për ta pranuar realitetin në Republikën e Kosovës, sistemin e saj politik që është marrëveshja, kompromisi, marrëveshja dhe ecja drejt formimit të institucioneve. Sikur të kishte një vullnet të pastër, qytetari, qoftë më 09 shkurt e posaçërisht edhe më 28 dhjetor të vitit 2025, i dha privilegjin e përgjegjësisë subjekteve më të mëdha në vend që të ecin përpara. Nuk e pati këtë vullnet (flas për Lëvizjen Vetëvendosje) dhe për rrjedhojë ato prodhuan edhe kriza politike, diplomatike edhe ekonomike dhe një proces shtesë zgjedhor, i cili lutem shumë që të jetë i fundit. Kjo “lutem shumë” mbështetet në atë që ta kuptojë subjekti më i madh në vend, që e ka privilegjin e përgjegjësisë edhe përgjegjësinë që të formojë institucionet”, tha ai.
Maloku theksoi se subjekti i parë ka të garantuar vetëm pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe se gjithçka tjetër duhet të jetë rezultat i marrëveshjeve politike.
“Tani çështja e formimit të institucioneve shkon gjithçka prej fillimit. Subjekti i parë pas procesit zgjedhor të 7 qershorit e ka të vetmen gjë të garantuar në këtë çështje, që është pozita e kryetarit të Kuvendit të Republikës dhe të gjitha opsionet e tjera mund të jenë pjesë e marrëveshjes së caktuar politike mes akterëve të skenës politike në Republikën e Kosovës, që lutem shumë të ndodhë dhe mos të kemi më procese zgjedhore. Pra të përmbyllet një mandat, për faktin që Republikën e Kosovës e presin shumë angazhime dhe qytetarët kanë nevoja plot. Dhe që proceset zgjedhore të mos jenë më alternativë e zgjidhjes së problemeve në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai shtoi se marrëveshjet politike duhet të arrihen para konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së institucioneve të reja.
“Tani, pas 28 dhjetorit të vitit 2025 subjekti më i madh pati dominancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për rrjedhojë edhe që mund të bëjë gjithçka vet dhe nuk e njohu prapë u tha realitetin e nevojës për kompromis. Dhe gjërat shkuan siç shkuan, duke bërë, duke respektuar vetë fuqinë që e pati në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo duke mos e kujtuar që kemi edhe çështjen e shefit të shtetit. Tani është jashtëzakonisht e rekomandueshme që gjithçka të nisë, pra marrëveshjet të nisin para konstituimit të Kuvendit dhe në instancë të fundit nga praktika që kemi pasur të dihet që kemi një marrëveshje politike e cila i paraprin formimit, konkretisht konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së shefit të shtetit. Kjo kishte me qenë më e shëndetshmja, kishte me treguar kulturë politike nga një subjekt politik, e sidomos nga i pari pas procesit zgjedhor dhe të ecet përpara. Ndryshe në qoftë se provohet që të taktizohet duke bërë konkretisht konstituimin te Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, më pastaj bërjen e qeverisë, pa e menduar dhe çështjen e shefit të shtetit atëherë kushton gjë shkon kësaj rruge, besimin dhe shpresimin e kam që në Kosovë duhet të shkohet prapë në një proces zgjedhor”, tha ai.


