Maliqi: Respektimi i dëshmorëve tanë duhet të jetë i përhershëm dhe në çdo formë

Gjilan – Nëse institucionet shtetërore nuk i respektojnë figurat emblematike të historisë sonë, atëherë qytetari duhet të reagojë dhe t’i mbrojë ato figura nga ata që udhëheqin institucionet pa ndjenjë përgjegjësie. Sepse ata që nuk e kursyen jetën për këtë vend, janë meritorët e vërtetë për gjithçka kemi sot ka shkruar Latif Maliqi këshilltar komunal nga radhët e LDK-së.
Postimi i plotë:
Nga njëherë duhet të jemi vetëkritikë. Vërtet kemi arritur në një pikë ku në tubimet e organizuara për dëshmorët tanë vihen në pah interesat personale e politike. A nuk do duhej që institucionet tona, të paktën në raste të tilla, të jenë në krye të organizimit zyrtar?
Ideali i dëshmorëve nuk ka pasur qëllim partinë apo interesat personale të ndonjë individi, por lirinë dhe të mirën e përbashkët.
A kemi shkuar kaq larg si shoqëri, sa të mos i pastrojmë më as shtatoret e ngritura për figurat tona të ndritura?
Dikur, institucionet bashkë me banorët kujdeseshin për pastrimin dhe rregullimin e shtatoreve para përvjetorëve të dëshmorëve. Dikur mbilleshin lule, rregullohej hapësira përreth, zbukurohej ambienti me përkushtim dhe respekt.
A jemi bërë vërtet kaq të varfër sa nuk mund ta ndërrojmë as flamurin e vendosur pranë një shtatoreje?
Të paktën për një ditë, kur përkulemi para gjakut të derdhur për liri, a nuk meriton një flamur i pastër e i ri të valojë mbi atë shtatore?
Dikur, me mjete vetjake ndërroheshin flamujt, dhe madje ishte një nder e krenari për atë që arrinte ta bëjë këtë i pari. Fshatrat e qytetet visheshin me flamuj, për të treguar se kjo është një ditë e veçantë.
Respektimi i dëshmorëve tanë duhet të jetë i përhershëm dhe në çdo formë. Ata nuk na ndanë, nuk na veçuan. Ata dhanë jetën për bashkimin tonë, për të ardhmen tonë. Ne sot po tregojmë padrejtësi ndaj tyre me neglizhencën dhe harresën tonë.
Nëse institucionet shtetërore nuk i respektojnë figurat emblematike të historisë sonë, atëherë qytetari duhet të reagojë dhe t’i mbrojë ato figura nga ata që udhëheqin institucionet pa ndjenjë përgjegjësie. Sepse ata që nuk e kursyen jetën për këtë vend, janë meritorët e vërtetë për gjithçka kemi sot.
Neve duhet të na vrasë ndërgjegjja. Ata gjithmonë do të jenë të respektuar, gjithmonë të paharruar.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve!