Maliqi: Ndalu, Kryetar, mos i mashtro më qytetarët!

Gjilan – Kryetari e ka filluar fushatën zgjedhore përmes disa organizimeve të quajtura “Buxhetim me pjesëmarrje”, duke i mbajtur këto takime me qytetarët. Por ai e di shumë mirë se kërkesat që paraqiten në këto tubime nuk do të realizohen në vitin fiskal 2025-2026, për shkak se jemi në prag të zgjedhjeve komunale ka shkruar Latif Maliqi këshilltar komunal nga LDK.
Postimi i plotë:
Për tri vite rresht janë mbajtur këto tubime nëpër fshatra, e tash janë zhvendosur në lagjet e qytetit. Pyetja që shtrohet me të drejtë është: A janë realizuar këto kërkesa nga vitet e kaluara?
A janë zbatuar projektet e kërkuara nga qytetarët gjatë tri viteve të fundit?
Këto tubime nuk mund të zëvendësojnë dëgjimet zyrtare për buxhetin. Dëgjimet buxhetore duhet të udhëhiqen nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa. Aty bëhet harmonizimi i kërkesave të qytetarëve, përcaktimi i prioriteteve dhe pastaj ato dërgohen për miratim në Kuvendin Komunal.
Në këto tubime të organizuara nga kryetari, përveç tij dhe disa drejtorëve, mungon përfaqësimi nga organet e Kuvendit. Kjo lë të kuptohet qartë se ky kryetar nuk e sheh Kuvendin si organ vendimmarrës, por vetëm si një mjet për viktimizim politik.
Në fund të mandatit të tij, po bëhet e qartë se kryetari nuk i trajton njësoj të gjithë qytetarët e komunës. Po të kishte vullnet, ai do të organizonte dëgjime publike në secilin lokalitet, ku qytetarët do të shprehnin drejtpërdrejt nevojat dhe problemet e tyre, sepse ata i përballojnë ato çdo ditë.
“Buxhetimi me pjesëmarrje” nuk është vetëm një mashtrim optik, por edhe një mashtrim i vërtetë ndaj qytetarëve, sidomos kur shohim përqindjen e vogël të projekteve që realisht realizohen nga ky proces. Nëse e analizojmë buxhetin komunal dhe shumën e ndarë për këto projekte, dyshimet tona vetëm sa forcohen: kjo është një fushatë e mirëfilltë parazgjedhore, me premtime të rreme.
Shumë shpejt qytetarët do ta kuptojnë këtë mashtrim dhe do ta përkthejnë në ndëshkim përmes votës. Prandaj, të them sinqerisht: ndalu, kryetar, mos i mashtro më qytetarët!
Koha është e shkurtër dhe shumë shpejt do të dalim para qytetarëve. Ata janë gjykatësit më të mirë dhe do të japin vlerësimin që meriton./rajonipress/