RCCOLA

Luli si model i dështuar

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj – Lulzim Basha-Luli i Tiranës dhe Kadri Veseli-Luli i Prishtinës janë treguar modele të dështuara në menaxhimin e partive. Ata kanë shënuar humbje lapidare në zgjedhjet e qershorit, duke i sjellë partitë e tyre në nivelet më të ulëta ndonjëherë. Ata bënë histori, por për të keq. Të dy udhëheqin parti demokratike dhe të dy kanë nofka të njëjta. Por, të dy kanë të përbashkët edhe disfatat e thella në zgjedhjet e fundit, në një hark kohor prej jo më shumë se dy javësh.

Kadri Veseli e Lulzim Basha janë treguar modele të dështuara të menaxhimit të partive që i morën nga kryetarët historikë të tyre, Hashim Thaçi e Sali Berisha. Në vend që t’i forcojnë, ata i degdisën ato si mos më keq, në humbje historike.

Lulzim Bashën e thërrasin shkurt Lul, ndërkaq Kadri Veseli nofkën e luftës e kishte Luli. Por, trashëgimia e Veselit në luftë e pas saj, ashtu si dhe ajo e Bashës si ministër e kryetar Tirane nuk iu ka mjaftuar që partitë politike që i udhëheqin të dalin fituese.

Veseli, partia e të cilit ishte në pushtet, mezi ia doli t’i fitojë 23 deputetë, ndërkaq Basha që ishte në opozitë në vend se ta rrisë partinë, e fundosi atë. Ka disa arsye pse ka ndodhur kështu dhe pse “Modeli Lul” ka dështuar.

* * *

Kur Partia Demokratike e Kosovës bëri koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Veseli erdhi në krye të partisë pas zgjedhjes së Thaçit president, më shumë se si të bashkëqeveriste mirë me oponentin politik ai e kishte hallin se si sa më shpejt të mund të organizonte zgjedhje të reja dhe, siç pretendonte, ta marrë postin e kryeministrit. Në funksion të kësaj, Veseli edhe mbështeti rrëzimin e qeverisë, ndërkohë që paraprakisht për disa muaj takoi qytetarë anekënd vendit, në atë që nuk ishte gjë tjetër veç fushatë jozyrtare parazgjedhore.

Njerëzve ua kërkonte besimin për t’u bërë kryeministër, për të nisur një “fillim të ri”. Por, befasisht, në momente të fundi ai hoqi dorë nga ky qëllim dhe mundësinë ia ofroi Ramush Haradinajt. Kjo duket se nuk u mirëprit nga elektorati i PDK’së dhe në zgjedhjet e 11 qershorit, partia u ndëshkua rëndë.

Gati një dekadë në pushtet e PDK’së së udhëhequr nga Thaçi dhe më pas Veseli u karakterizua me keqqeverisje, korrupsion e nepotizëm. Koalicioni i improvizuar nuk e shpëtoi Veselin, i cili u godit rëndë dhe PDK shënoi humbje historike, humbje dramatike. Një goditje nga e cila vështirë se do të marrë veten, pavarësisht se mund të vazhdojë së qëndruari në pushtet.

Mobi Casa

Veseli dështoi në përpjekjen e tij për t’u shfaqur lider i fortë dhe për ta zëvendësuar Thaçin. Ai nuk ia doli madje as t’i ruajë votat e partisë, e lëre më t’i shtojë ato. Për këtë debakël, ai as që po mërzitet të marrë përgjegjësi. Nuk e ka të lehtë aspak, sepse goditja ishte e ashpër. E ashpër dhe vështirë e riparueshme.

E tillë ishte edhe goditja ndaj Lulzim Bashës, njeriut që mori drejtimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë pas largimit të Sali Berishës. Njeriu të cilit i mveshet përgjegjësia për keqpërdorimet e pretenduara në ndërtimin e Rrugës së Kombit, vrasjet e 21 janarit dhe stagnimin e Tiranës gjatë kohës që e qeveriste u ndëshkua ashpër nga votuesit, duke ia humbur partisë më se 200 mijë vota.

Ndryshe nga Veseli e PDK që ishin në pushtet, ky dhe PD ishin në opozitë dhe do të ishte e logjikshme që votat të shtoheshin. Por Basha, vetjak e përjashtues, ia dha teposhtëzën partisë.

Ai zgjodhi të hyjë në zgjedhje pas një spektakli të dështuar me çadër në mes të sheshit, që përfundoi me përfshirje për një kohë të shkurtër në qeveri të disa ministrave teknikë dhe me shtyrje të shkurtër të zgjedhjeve, pas një marrëveshjeje jotransparente me Edi Ramën.

Ai zgjodhi të hyjë në zgjedhje me një listë personale kandidatësh për deputetë, duke lënë jashtë emra të njohur e historikë të partisë. Ai zgjodhi të marrë pjesë në zgjedhje, edhe pse betohej se nuk do të ndodhte kështu dhe zgjedhje nuk do të kishte.

Papjekuria politike dhe koketimi me Ramën i kushtuan rëndë atij dhe partisë. Aq rëndë sa pasojat mund të jenë të pariparueshme. Pavarësisht kësaj Basha nuk dha dorëheqje siç pritej, por ngriu funksionet partiake për t’iu futur garës dhe për të provuar ta rimarrë partinë. Një përpjekje që mund të rezultojë e kotë dhe me një fund tragjikomik për këtë karikaturë prej politikani.

* * *

Luli i Prishtinës dhe Luli i Tiranës me ekipet e tyre nuk ia dolën t’i bindin votuesit se janë në rrugë të drejtë. Me qasjen e tyre, me gabimet trashanike politike në momente delikate dhe me shmangie nga marrja e përgjegjësisë, ata treguan se nuk janë të denjë për vendimmarrje, pavarësisht se ky i Prishtinës gjatë gjithë fushatës nuk e hoqi nga goja këtë fjalë. Me ta në krye, partive respektive nuk iu parashikohet e ardhme e lumtur.