Uji Dea

Legjitimiteti para dëshirës, presidente!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Adrian Çollaku -Gjithkush mund ta kuptojë dëshirën e Jahjagës për të qëndruar edhe më tutje në krye të shtetit, por në asnjë vend demokratik dhe të zhvilluar nuk kemi një president i cili vjen në krye të shtetit pa iu nënshtruar rregullave të zgjedhjes demokratike.

Andaj, edhe Jahjaga duhet ta dijë se më e rëndësishme për vendin është legjitimiteti i njerëzve që na përfaqësojnë sesa dëshirat e tyre për të qëndruar në karriget e buta të pushtetit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të premten vendosi që edhe katër vjet në krye të shtetit ta kemi njeriun, e cila na doli nga zarfi e ambasadorit amerikan. Atifete Jahjagën më nuk mund ta detyrojë askush që ta lërë në gjysmë mandatin e saj, sepse fjala e instancës më të lartë gjyqësore në vend është e fundit, dhe nuk ka asnjë marrëveshje politike, apo çfarëdo qoftë tjetër që e detyron atë të heqë dorë nga posti i presidentit. Për nga aspekti ligjor Jahjaga është shumë OK. Partitë që kanë qenë pjesë e marrëveshjes politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, mund të mos jenë të kënaqura me vendimin e Kushtetueses, pro kjo në tekefundit nuk ka shumë rëndësi.

Megjithatë, në bazë të reagimeve të deritashme të tri këtyre subjekteve politike, ky vendim thuajse ishte i pritshëm edhe prej tyre. Madje, të krijohet përshtypja se edhe Gjykata Kushtetuese e ka marrë miratimin e tyre. Këtu duhet përjashtuar zhurmën e vogël që e ka bërë në këtë aspekt Lidhja Demokratike e Isa Mustafës, por edhe kjo zhurmë ka qenë shumë e zbehtë, ose është vetëm bërë sa për sy e faqe.

***

Mobi Casa

Marrëveshja politike e treshes Hashim Thaçi-Isa Mustafa- Behgjet Pacolli, nën garancinë e ambasadorit Christofer Dell, mund të jetë “shkelur” edhe nga vetë “treshja” për shkak të dy faktorëve. Faktori i parë mund të jetë fakti se asnjëra nga partitë politike, as PDK, as LDK e as AKR nuk janë të përgatitura sa duhet për të hyrë në garë zgjedhore, prandaj edhe janë pajtuar që njëherë për njëherë të mos ketë zgjedhje. Nëse do të respektohej kjo marrëveshje, atëherë zgjedhjet presidenciale do të duhej të mbaheshin qysh në vjeshtën e këtij viti, dhe për këtë duket se askush nuk ishte gati.

Ndërkaq, faktori i dytë mund të jetë frika që partitë e kanë nga Ambasada Amerikane, sidomos kur e kanë pasur parasysh faktin se Atifete Jahjaga që nga ardhja e saj në krye të shtetit ka gëzuar një mbështetje shumë të fuqishme të SHBA-ve. Dhe rrjedhimisht kundërshtimi i qëndrimit të Jahjagës në krye të shtetit do të nënkuptonte kundërshtim të amerikanëve.

***

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtën Atifete Jahjagës që të qëndrojë edhe katër vjet në krye të institucionit më të rëndësishëm të vendit, ajo megjithatë është produkt i një marrëveshjeje politike, me të cilën marrëveshje është anashkaluar në tërësi Kushtetuta, si akti më i lartë juridik dhe politik në vend. Prandaj, edhe me shumë të drejtë shtrohet dilema se sa do të jetë Atiefte Jahjaga simbol i unitetit të popullit, për faktin se ajo nuk ka kaluar nëpër një proces të rregullt zgjedhor, rregulla këto për t’u zgjedhur në një post publik në një sistem demokratik.

Ajo po ashtu nuk ka as legjitimitet, sepse pa iu nënshtruar garës zgjedhore askush nuk e di fuqinë dhe peshën e saj politike. Prandaj, gjithkush mund ta kuptojë dëshirën e saj për të qëndruar edhe më tutje në krye të shtetit, por në asnjë vend demokratik dhe të zhvilluar nuk kemi një president i cili vjen në krye të shtetit pa iu nënshtruar rregullave të zgjedhjes demokratike. Andaj, edhe Jahjaga duhet ta dijë se më i rëndësishëm për vendin është legjitimiteti i njerëzve që na përfaqësojnë sesa dëshirat e tyre për të qëndruar në karriget e buta të pushtetit.