UBT

Kuvendarët e Gjilanit diskutojnë me tone mospajtuese për gjendjen në arsim

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e parë për këtë vit, të cilën e ka kryesuar Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim për interesa publike, raportin e suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, planin operativ emergjent për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, iniciativën e kryetarit të Komunës për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, vendimin për formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Planit të Integritetit, raportin e Zyrës së Prokurimit si dhe raportet e punës së Komiteteve. Kuvendi ka miratuar iniciativën e kryetarit të Komunës për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera dhe e ka autorizuar atë të angazhohet në këtë drejtim.

Bashkëpunimi ndërkomunal në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, bazohet në ofrimin dhe pranimin e shërbimeve, koordinimin e planeve të reagimit emergjent, operacioneve tjera për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë me komunat fqinjë.

Edhe plani operativ emergjent, të cilin në pika të shkurta e ka paraqitur Ensar Kadriu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Kuvendit. Isa Agushi (LDK), kryesues i Komitetit për Shërbime Publike, tha se plani është i mirë, detal, por kësaj drejtorie duhet t`i rritet buxheti, që të ketë mundësi reagimi në situata emergjente.

Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për Komisionin e Mbikëqyrjes së zbatimit të planit të integritetit, i cili përbëhet nga pesë anëtarë të asamblesë komunale: Refik Shala e Rina Ahmeti (LDK), Leonora Bunjaku (PDK), Ibish Ibishi (AAK) dhe Krenare Latifi (VV).

Arsyetimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim e ka paraqitur Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, i cili ka thënë se KEDS-i ka kërkuar tri parcela në Velekincë, Livoç i Poshtëm dhe zonën “Qarku”, me sipërfaqe të përgjithshëm prej 48 metra katrorë, për ndërtimin e tri trafove, si nevojë për stabilizimin e tensionit të energjisë elektrike.

Sa i përket suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, drejtori i Arsimit, Namzi Musa ka thënë se ai është më i mirë për 0.5 për qind në krahasim me gjysmëvjetorin e njëjtë të vitit të kaluar. Nota mesatare në nivel komunal, është 3.70, ka thënë Musa.

Kjo pikë ka nxitur debat te anëtarët e Kuvendit Komunal, ku pozita, nëpërmjet Arben Mehmetit (LDK), që njëherësh është edhe kryesues i Komitetit të Arsimit dhe të tjerëve, e ka mbështetur dhe lavdëruar punën e Drejtorisë së Arsimit, ndërkq opozita, nëpërmjet Izmi Zekës, Riad Rashitit, Leonora Bunjakut, Shukrije Rapucës (PDK), Nevzad Isufit, Fehmi Sylejmanit (VV) dhe të tjerëve, është shprehur e pakënaqur me gjendjen në arsim, duke kërkuar që sukseset të maten përmes krahasimeve.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Musa ka thënë se ai nuk bën krahasime ndërmjet kësaj dhe asaj qeverisje, por u shpreh i bindur se sot në arsimin e Gjilanit, gjendja është dukshëm më e mirë se dje, ndërsa nesër duhet të jetë larg më mirë se sot, pavarësisht se kush vjen në qeverisje, ka thënë ai.

Debati është karakterizuar nga gjuha e ashpër në disa momente, sidomos ndërmjet drejtorit të Arsimit, Nazmi Musa dhe këshilltares së PDK-së, Leonora Bunjaku, aq sa kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, është detyruar të ndërhyjë dhe të kërkojë prej anëtarëve të Kuvendit që të ruajnë kulturën e komunikimit parlamentar dhe të mos ofendojnë njëri-tjetrin.

Mobi Casa

Meqë drejtori i Arsimit ka refuzuar t`i kërkojë falje Leonora Bunjakut, me të cilën u solidarizuan pastaj edhe anëtare të tjera të Kuvendit, për ta lëshuar seancën, këtë e ka bërë vetë kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka arritur ta normalizojë gjendjen dhe Kuvendi ka vazhduar punën me pikat tjera.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe raportet e punës së Komiteteve. Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se këto trupa ndihmëse, përmes punës së tyre profesionale e kanë ndihmuar shumë funksionimin e asamblesë komunale.

Një raport për çështjet e prokurimit e ka paraqitur Salih Kqiku nga Departamenti i Prokurimit, i cili ka thënë se gjatë vitit 2015, janë zhvilluar 124 aktivitete të prokurimit. Ai ka dhënë përgjigje dhe në akuzat e opozitës për mostransparencë, duke thënë se ligji i prokurimit nuk lejon publikimin e planit.

Sa i përket punës së këtij Departamenti, Kqiku tha se organizatat e pavarura kanë dhënë vlerësime pozitive.

Me debate mospajtuese është karakterizuar edhe ky raport. Jakup Bajrami (LDK) tha se nga raporti shihet se në Gjilan është bërë punë e madhe dhe i ka dhënë mbështetje punës së Departamentit të Prokurimit.

Riad Rashiti (PDK), ka thënë se në prokurim ka shkelje të shumta procedurale dhe ligjore. Nevzad Isufi (VV) tha se organizatat e pavarura kanë konstatuar parregullsi në prokurim.

Isa Agushi (LDK) kërkoi nga opozita që akuzat për prokurimin, nëse ka fakte, t`i dërgojë në prokurori, përndryshe, tha ai, mos ia futni kot.

Ndërkaq, Avdyl Aliu (LDK) tha se opozita i ka dërguar akuzat në prokurori, por janë hedhur poshtë për mungesë të fakteve.

Në fund, nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu si dhe drejtorët Nazmi Musa, Ramiz Ramadani e Naser Korça janë përgjigjur në çështjet e ngritura nga anëtarët e Kuvendit. /rajonipress/