Eko Higjiena

Kush e blenë kështu?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Privatizimi i PTK-së rrezikon të dështojë për të njëjtat arsye që dështoi herën e kaluar.

Proceset e papërmbyllura gjyqësore, hetimet që po zhvillohen ndaj zyrtarëve të lartë të saj për keqmenaxhim, shkelja e ligjit nga drejtori menaxhues, numri i madh i punëtorëve dhe rënia e të hyrave po e rrezikojnë seriozisht shitjen e kësaj kompanie.

Të gjithë këta janë faktorë që herën e fundit, sipas atyre që e monitoruan këtë proces, bënë që investitorët e huaj seriozë të tërhiqen në çastet e fundit nga gara për blerjen e PTK-së, shkruan express.

Hapja e fillimi i gjykimit për kontratën e nënshkruar mes PTK-së dhe Z-mobile sipas njohësve të ekonomisë, duket të jetë një nga kontribuuesit në dëmtimin e kompanisë, duke përfshirë edhe një proces tjetër gjyqësor të PTK’së, në Angli.

Përveç kësaj, konstatimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit se drejtori i PTK-së, Ejup Qerimi po e shkel ligjin duke mbajtur dy poste, vlerësohet se e ka vënë në pozitë të keqe ndërmarrjen që po pretendon ta shesë Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit.

Bordit të Drejtorëve të Postë-Telekomit të Kosovës javën e kaluar, edhe zyrtarisht i ka arritur kërkesa e kreut të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, që ta shkarkojnë kryeshefin ekzekutiv, Ejup Qerimi, për konflikt interesi.

Fundamenti

Kjo agjenci në fillimit të muajit të kaluar, pas hetimeve disamujore, kishte marrë vendim se ekziston konflikt interesi në ushtrimin e funksionit nga Ejup Qerimi si anëtar i Bordit të Drejtorëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe drejtor ekzekutiv në PTK.

“Kjo e dëmton shumë vlerën e kompanisë”, thotë zyrtari i përfshirë në proces të privatizimit të PTK-së duke thënë se edhe të hyrat e kompanisë nuk janë ashtu siç po prezantohen.
Sipas tij, ka rreth 30 për qind rënie të të hyrave në total.

Të dhënat zyrtare bazuar në raportin gjashtëmujor të punës së PTK-së tregojnë se pati një performancë të mirë financiare.
“PTK-ja i ka rritur fitimet neto me 10 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, ose 4 për qind më shumë mbi plan biznesin e planifikuar për vitin 2012. Thënë ndryshe, fitimi i PTK-së për këtë gjashtëmujor ka arritur në 24 milion euro”, thuhet në njoftimin e PTK-së.

Por, edhe ish-drejtori i PTK-së, që tani po gjykohet për nënshkrimin e marrëveshjes me Z-mobile, Shyqyri Haxha, thotë se më së shumti kompania është duke u dëmtuar nga rënia e të hyrave.

“Arsye që së fundi janë prezantuar të hyrat me rritje, është rishikimi i marrëveshjes me Monako Telekomin, e cila është arritur në kohën sa kam qenë unë drejtor, ndërsa vetëm është nënshkruar tani”, thekson Haxha.
Ish-kreu i PTK-së pohon se menaxhmenti aktual ka manipuluar me fitimin neto në këtë rast duke mos e prezantuar të hyrat totale të kompanisë.(express)