UBT

Kurti: E bekuan dorën e Serbisë në Kosovë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

E konsideron Asociacionin e Komunave Serbe një organ të fuqishëm të cilin nuk do të mund ta shpërndajë as Kuvendi e as presidenti i Kosovës. Për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kjo është një e drejtë e vetos që i është dhënë Serbisë për të futur duart brenda rregullimit të brendshëm të Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, Kurti ka thënë se pretendimi i qeveritarëve se nuk do lejohet formimi i pushtetit të tretë ka rënë në ujë kur ata bekuan faktin që asociacioni të ketë fjalën kryesore për të përcaktuar një komandant rajonal që duhet të jetë i përkatësisë nacionale serbe.

Ndërkohë, Kurti vlerëson se takimi i liderëve partiakë për reformën zgjedhore është paralelizëm që po i bëhet Komisionit të krijuar në Kuvend. Kurti ka shpjeguar se pretendimi se atij i është refuzuar viza për SHBA është gënjeshtër e mediave të pushtetit, sepse ai nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare.

Telegrafi: E keni cilësuar të dëmshme marrëveshjen me Serbinë në përmbajtjen e saj, ndërkohë që vlerësohet se problematik do të jetë edhe zbatimi i saj praktik. Cili është komenti juaj?

Kurti: Marrëveshja me Serbinë është jashtëzakonisht e dëmshme për shtet-ndërtimin në Kosovë. Ajo i hedh bazat e autonomisë territoriale të veriut të vendit. Asociacioni i Komunave, apo Bashkësia, po themelohet nga negociatat me Serbinë. Kjo është përfshirje direkte e Serbisë në rregullimin e brendshëm territorial të Kosovës. Për më tepër, këtë Asociacion pas themelimit nuk do të mund ta shfuqizojë asnjë nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës.

Kuvendin ka të drejtë ta shpërndajë presidenti, Qeverinë mund ta shuajë kryeministri, por asnjëri prej tyre nuk e shpërndan Asociacionin. Ky është instalim i të drejtës së vetos. Marrëveshja parasheh amnistimin dhe legalizimin e strukturale kriminale të Serbisë. Përmes Pikës 8 të saj, strukturave të MUP-it, BIA-s dhe Rojave të Urës, u mundësohet përfshirja në institucionet kosovare të sigurisë.

Telegrafi: A është tejkaluar Plani i Ahtisaarit?

Kurti: Asociacioni praktikisht do ta zgjedhë vetë komandantin rajonal të Policisë, duke qenë se lista me emrat e propozimeve që i shkojnë ministrit do të jetë e paracaktuar nga Asociacioni. Kjo procedurë është e ngjashme me çfarë ishte paraparë në Planin e Ahtisaarit. Por, dallimi është se aty bëhej fjalë për komandantët e stacioneve komunale, ndërkaq, tashmë bëhet fjalë për zgjidhjen e komandantit rajonal në baza etnike. E kjo është e rëndësishme për ata që thonë se nuk është tejkaluar Plani i Ahtisaarit.
Në fakt, kjo nuk është asgjë më pak se themelimi i pushtetit të tretë, pra atij rajonal. E njëjta gjë ndodh edhe me gjykatat mbi baza etnike. Kjo ndarje tek gjykatat është e dyfishtë. Ajo nuk kufizohet vetëm me veriun. Gjykata e Apelit, përveç Mitrovicës së veriut do të jetë e vendosur edhe në Prishtinë, me ç’rast ndarja në baza etnike thellohet deri në nivel nacional.

Telegrafi: Në këtë situatë, pse fokusohet çështja te zbatimi i marrëveshjes?

Kurti: Arsyeja kryesore pse fokusi i opinionit po orientohet tek zbatimi i marrëveshjes dhe vështirësitë që mund të dalin gjatë këtij procesi, është shmangia e debatit për vetë përmbajtjen skandaloze të marrëveshjes, duke aluduar kështu se problemi është tek zbatimi dhe jo tek marrëveshja si e tillë. Por, kjo marrëveshje është kaq e dëmshme për arsyen e njëjtë pse edhe do të ketë pengesa për zbatimin e saj.

Është fjala për strukturat ilegale të Serbisë të dirigjuara nga Serbia dhe servilizmin e Qeverisë së Kosovës të kapur nga krimi e korrupsioni që s’mund ta bëj as edhe një hap përpara drejt shtet-ndërtimit. Zhvillimi i kësaj logjike na i jep të gjitha arsyet të besojmë se marrëveshjet e ardhshme do të jenë edhe më të dëmshme.

Telegrafi: Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar marrëveshjen edhe me shprehjen e pakënaqësisë gjatë seancës së Kuvendit, por edhe me anë të një proteste afër ndërtesës së Kuvendit. Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të kundërshtimit?

Mobi Casa

Kurti: Lëvizja Vetëvendosje do t’i përdor të gjitha mundësitë dhe do t’i vë në funksion të gjitha kapacitetet e saj për ta ndaluar këtë marrëveshje të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Ne jemi të bindur se kushti për ta ndaluar këtë marrëveshje është ndalimi i kësaj Qeverie. Qenia e kësaj Qeverie është e lidhur për negociata e kompromise. Pushteti i Thaçit në Kosovë e nënkupton Serbinë brenda Kosovës.

Përvetësimi e zhvatja e pasurisë publike sjell trashjen e dosjeve. Hijen e këtyre dosjeve në Kuvend, e shohim në formën e vendimeve që miratohen me diktat. Kështu, privatizimi i egër dhe grabitja e pasurisë publike, përveç shtypjes e varfërisë që shkakton tek qytetarët, sublimohet edhe në rritje të kontrollit të Serbisë brenda Kosovës.

Andaj, kur Thaçi na thotë se kjo marrëveshje është më e mira për rrethanat aktuale, gjithmonë duhet kujtuar se rrethana kryesore është ai vet. Po ashtu, kur na thuhet se Marrëveshja është kompromis që reflekton raportin e forcave, s’duhet harruar se fajtorët kryesorë pse Serbia është përpara nesh në këtë drejtim, janë po ata që votuan Marrëveshjen aktuale që kishin nënshkruar Planin e Ahtisaarit me ç’rast ishin pajtuar që Kosova të mos ketë ushtrinë e saj.

Raporti i forcave pas kësaj marrëveshjeje që i jep Serbisë pushtet territorial brenda Kosovës, do të vazhdojë të ndryshojë në dëmin tone. Rezultati i sotëm bëhet shkaku i nesërm. Ky qerthull fundosës duhet ndaluar, e ky ndalim i fundosjes do të ndodhë vetëm duke i dhënë fund kësaj Qeverie. Kjo Qeveri është shkaku i krejt këtij degradimi, rrëzimi i saj është kusht për përparimin.

Telegrafi: Ka pasur disa takime të drejtuesve të partive politike rreth reformës zgjedhore dhe kushtetuese, por në shumicën e rasteve kanë përfunduar pa sukses. Ku qëndron problemi, sipas jush?

Kurti: Së pari duhet thënë se vetë fokusimi tek ndryshimi i Ligjit Zgjedhor, ndërkohë që problemi i vjedhjes së zgjedhjeve ishte në radhë të parë çështje e shkeljes së këtij ligjit, përbën trajtim dhe adresim të gabuar të problemit. Në anën tjetër, takimi i liderëve është paralelizëm që po iu bëhet institucioneve, gjegjësisht Komisionit që vetë e kanë krijuar në Kuvend.

Mbi të gjitha, kushti i vërtetë për mbajtjen e zgjedhjeve është populli i Kosovës. Ne jemi të bindur se çfarëdo formalitetesh që do të parashihen në Ligjin për Zgjedhje, ato nuk janë kurrfarë garancie për mbarëvajtjen e tyre. Vullneti për ndryshim dhe bashkimi i qytetarëve të pakënaqur për t’u angazhuar në kundërshtimin e padrejtësive politike e shoqërore, do të çelë perspektiva e do të zbulojë potenciale të reja.

Telegrafi: Së fundi është raportuar në media se juve ju është refuzuar viza për SHBA. Ka pasur komente se kjo është bërë për shkak keni raporte jo aq miqësore me politikanët amerikanë. Përmendet këtu edhe rasti i disa konfrontimeve verbale me ish-ambasadoren amerikane Tina Kaidanow. Cili është komenti juaj?

Kurti: Nuk e di të kemi pasur ndonjë konfrontim verbal me ish-ambasadoren Kaidanow, por është e vërtetë se ne nuk kemi qenë dakord me shumë prej qëndrimeve të saj, ku ajo përmes ndërhyrjeve të saj ka tejkaluar përshkrimin e punës së një ambasadori.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, me gjithë vjedhjet masive të votave, Lëvizja Vetëvendosje u provua si një forcë politike që nuk mund të injorohet. Atëbotë ne u takuam jo vetëm me ambasadorin Dell që vetëm një muaj më herët kishte deklaruar se nuk do të takohej me ne, por edhe me zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Evropën. Gjithsesi, duhet thënë se qëndrimet e VV-së janë të drejta, parimore dhe në funksion të realizimet të projektit tonë politik.

Ne do të takohemi me të gjithë miqtë që janë në përkrahje të kauzës tonë, por dua ta theksoj se nuk do të bëjmë asnjë lëshim nga parimet prej të cilave udhëhiqemi, për t’u takuar me dikë, sepse ne në Lëvizje besojmë se legjitimiteti për programin tonë duhet kërkuar nga brenda, prej popullit të Kosovës.

Ndërkaq, refuzimit të vizës dua t’i përgjigjem shkurt: Është gënjeshtër e mediave të pushtetit, sepse nuk kam marrë asnjë përgjigje zyrtare. /A. Fazliu/Telegrafi/