Fundamenti

Kur poeti nuk vdes dhe ndërroi vetëm jetën “tjetër”…

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Poetët nuk vdesin, por ata vetëm e ndryshojnë jetën “tjetër”. Pra, me veprat e tyre mbetën të gjallë dhe të pavdekshëm. Jeta e tyre është pak më ndryshe se e njerëzve të tjerë. Nuk janë njerëz të rëndomtë, por janë frymorë të rrallë me dhunti natyrore. Ata përherë janë të trazuar në shpirt e në zemër. Jetojnë me vargje, strofa, fjalë, rima, tinguj e me teknika të tjera. Pse jo? Ja, papritur na vdiq poeti ynë gjilanas, Haxhi Vokshi! Një vdekje e dhembshme. E, dhimbja ta rëndon trupin e mendjen. Të shtangon e të tmerron… T`i ndalë përnjëherë të gjitha ëndrrat e jetës. Kjo e ka vdekja. Vdekjen nuk e do askush, ajo vjen e na merr kurodo.

Ligj i natyrës. Ligj i fortë dhe përbindësh! Sot, secili koleg, mik, poet, krijues të tjerë, nuk janë të kthjelltë si dje, por ata sot ndjejnë dhembje për shokun e tyre që ju mungon. Edhe dita e sotit nuk ka dritë si dje. Edhe era e kësaj vjeshte nuk e ka aromën e ditëve tjera. Gjithçka nuk është si dje. Sot është pak tjetër ditë. Ditë me dhembje, ditë me lot, por edhe ditë e mos harrimit të kolegut e shokut tonë krijues. Pra, të gjithë mendjen e trupin e kemi te dhimbja për poetin tonë të vdekur. Dhe, kështu është jeta. Ajo të merr para kohe. E mori edhe Haxhi Vokshin, poet, i cili, një ditë para se të vdesë, u gjend në përurimin e librit të Gjergj Gjergjit –Gashit “Martirët shqiptarë 1846-1848). Erdhi poeti dhe u ulë aty në të djathtë afër derës në sallës së KK të Gjilanit. Sa e sa krijues që hynin në sallë, e përshëndetnin poetin që sot na mungon. Kjo mbeti vetëm një kujtim i një kohe! E, ai, atyre ua shtrënguar dorën shokëve kolegë, sikur më t’mos takoheshin më! Një parandjenjë e mëshehur. Parandjenjë e ndjeshme, por e padukshme. Vetëm imagjinatë. E, poeti, kur dje na shtrëngonte dorën, ai sot mungon. Na mungon Haxhi Vokshi, poet i një gjeneratë të hershme.

Por, ja vdekja. Ajo e mori të shtunën në orët e pasdites, në moshën 73-vjeçare. Ai ishte i lindur në Voksh në vitin 1940, Malësia e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc, Junik dhe në Deçan, të mesmen në Pejë, ndërsa Fakultetin Filozofik (Gjuhë dhe letërsi shqiptare) në Prishtinë. Punoi në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, prej nga dhe doli në pension. Aty, te varri i tij i sapohapur, u gjend edhe Sadudin Berisha, qytetetar nga Gjilani, e lexoi telegramin që ka shprehur dhimbje z. Lutfi Haziri, me rastin e vdekjes së poetit Haxhi Vokshti. Ai i lexoi këto fjalë: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e papritur e të shpejtë të profesorit, intelektualit, poetit, bashkëvendësit e veprimtarit tonë të palodhshëm Haxhi Vokshi. Lidhja Demokratike e Kosovës, në Gjilan e kujton për devotshmërinë, punën e palodhshme e tij të dhënë gjatë dy dekadave e gjysmë të të qenit si anëtar dhe veprimtar i palodhshëm i kauzës politike e nacionale, të dhënë për të sotmen e Gjilanit dhe gjithë Kosovës.

Fundamenti

Ishte udhërrëfyes dhe shembull tipik i punës së palodhur për Liri, Pavarësi e Demokraci. Puna intelektuale, krijimtaria poetike, përcaktimi i qartë i kauzës së tij nacionale, do mbeten kujtimi më i mirë për gjithë atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, qoftë si profesor yni, poet, intelektual e veprimtar i palodhshëm, si trashëgimi për të sotmen dhe gjeneratat e ardhshme. Veprimtaria e tij e gjithëpërfshirëse do ta bëjë të pavdekshëm. Gjilani do ta përkujtojë përherë, thuhet në telegramin ngushëllues, z. Lutfi Haziri kryetar i Degës në Gjilan.

Siç dihet, Haxhi Vokshi ishte autor i disa veprave letrare. Krijimet e tij janë të përfshira në disa antologji të letërsisë. Me shkrime filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme. Ishte autori i disa veprave letrare, si janë: “Shqetësimi i vargut”, “Koha e ditës sonë”. “Përralla e kulla”, “Udhëtimi me korbin”, “Lirika këndon vetë” etj. /Tefik Selimi/rajonipress/