Fundamenti

Kosa e lirisë së shprehjes

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Faton Ismajli – Secili prej nesh duhet ta çojë përpara idenë e edukimit medial si ilaç për t’i rritur lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, njëkohësisht për t’u larguar nga gjuha fyese, denigruese, kërcënuese. Rrjedhimisht, të mos shohim skena gjunjëzimi nëpër gjykata, si në rastet e Reshat Sadikit dhe Driton Malokut, që i kanosën deputetët dhe përfunduan të akuzuar e dënuar për një fjalë në mediat sociale.

I
Mërgimtarët Reshat Sadiki dhe Driton Maloku janë viktima të fjalëve të tyre në mediat sociale. Të dytë kishin ardhur për t’u kënaqur në vendlindje. Megjithatë, ata, sapo hynë në Republikë, u ndaluan dhe e shijuan dorën e shtetit. U gjykuan dhe u dënuan, sepse, sa ishin në Gjermani e Zvicër, u kujdesën që t’i përdornin rrjetet sociale për t’i kanosur deputetët e Kuvendit të Kosovës. Madje, mërgimtari me vendbanim në Bon, në kërcënimin ndaj deputetit, kishte shkruar se “vetëm kosa i vjen hakesh” ish-kryeministrit.

Deputetët e kërcënuar e përdorën të drejtën e tyre ligjore, i dërguan kërcënimet në organet e drejtësisë dhe, natyrisht, shteti u kujdes që t’i gjente kërcënuesit dhe t’i sillte para drejtësisë. Një rrugë krejtësisht normale, e ndjekur nga të zgjedhur e popullit. Secili prej nesh duhet ta bëjë të njëjtën gjë nesër, nëse merr kërcënime për jetë.

Për ta sqaruar edhe më shumë, shteti e ka obligim ligjor t’i ndjekë kërcënuesit dhe ata që kanosin zyrtarët e shtetit pa pasur fare nevojë për denoncim. Ndërsa, kanosja dhe kërcënimi ndaj qytetarëve iniciohet vetëm nëse qytetari ngrit kallëzim penal sepse ndihet i kanosur ose kërcënuar.

Kërcënime sikur të Reshatit dhe Dritonit ka me mijëra çdo ditë, mirëpo të kërcënuarit, për shumë arsye, nuk i denoncojnë kërcënuesit në organet e hetuesisë dhe, rrjedhimisht, ata mbesin pa u dënuar.

Dënimet nuk janë treguar efektive pa u kombinuar edhe me faktorë të tjerë, përfshirë edukimin. Jo edukimin për shkrim e lexim, se, me gjasë, kërcënuesit po dinë deri diku të shkruajnë dhe të bëjnë kërcënime e të kanosin njerëz në rrjete sociale. Edukimi duhet të fokusohet në atë se si t’i përdorim mediat, si të shkruajmë në rrjete sociale, çfarë nuk duhet të shkruajmë.

II
Gjuha është mjet, si vetura, si telefoni, si revolja, si hekurudha. Përmes gjuhës dërgojmë mesazhe, informacione, mendime, qëndrime, ofendime dhe mund të nxisim urrejtje e të bëjmë vepra penale. Gjuha i paraprin pothuajse secilit veprim. I paraprin edhe luftës.

Si vetura, telefoni, revolja e hekurudha, edhe gjuha mund të kryejë, pra, edhe funksione të këqija.
Për shkak se dikush i keqpërdor veturën, telefonin e revolen, apriori nuk mund t’i ndalojmë së përdoruri këto mjete, mirëpo shoqëritë demokratike kanë krijuar rregulla dhe kufizime se si të përdoren shpikjet moderne. Janë miratuar edhe sanksione ligjore ndaj të gjithë atyre që e përdorin gjuhën për të kanosur e kërcënuar.

Natyrisht, me bazën aktuale ligjore nuk lejohet përdorimi i gjuhës së urrejtjes, nuk lejohet as nxitja e mosdurimit kombëtar, racor, gjinor e fetar. Nuk lejohet as gjuha fyese. Në vendin tonë ka ligje që ndalojnë e kufizojnë dhe parashohin dënime për ata që përdorin gjuhë të tillë.

Kur dikush përdor gjuhë të urrejtjes e mosdurimit kombëtar, racor, fetar e gjinor, mekanizmat shtetërorë kanë për detyrë që të aktivizohen dhe t’i ndjekin kryerësit e veprave të tilla penale. Kur dikush përdor shpifje dhe fyerje, mekanizmat shtetërorë mund t’i vërë në lëvizje ai që mendon se është i fyer ose kur mendon se ka shpifur dikush për të.

III
Për ato që u thanë më lart, sigurisht se do të kërkoni shembuj. Pasi t’i lexoni rreshtat e mëposhtëm, do të shtroni disa pyetje dhe do të kërkoni edhe zgjidhje se si t’i shmangemi kufizimit të lirisë së shprehjes, por as të mos përdorim gjuhë të urrejtjes apo gjuhë fyese e kërcënuese.

a) “Jovo” është titulli i këngës së publikuar pas përfundimit të luftës. Teksti i kësaj kënge ka gjuhë të urrejtjes, ka gjuhë denigruese për një grup të caktuar shoqëror dhe për persona konkretë. Për ta krijuar gjykimin e drejtë, ju duhet t’i lexoni disa prej vargjeve të kësaj kënge: “Ska ma shkije pa lidhje”, “Ska ma popa te flliqt jovo shkije ma nuk ka”, “Ska ma shkina me musteqe qe dilshin në pazar”, “Rada Trajkoviqin secili në UNMIK e mjel”, “Magjupt i kena përzanë, i kena çu në Serbi”, “Në emërtime rrugore, shkija ma nuk ka”. Bazuar në lajmet e kohës, kënga ishte bllokuar nga UNMIK-u për t’u transmetuar në media. Këtë këngë mund ta dëgjoni edhe sot nëpër faqe të ndryshme në internet.

b) Në Kosovë ka ekzistuar një gazetë me emrin “Dita”. Është themeluar pas përfundimit të luftës. Ka publikuar një tekst me titull “Kur Petari bëhet Piter…”. Teksti ka përmbajtur pretendime se si një pjesëtar i pakicës serbe ishte i përfshirë në masakra. Disa ditë pas publikimit të tekstit dhe fotografisë, Petari gjendet i vrarë. Media lihet përgjegjëse për këtë rast. Më vonë, e njëjta medie ishte mbyllur nga mbikëqyrësit ndërkombëtarë që kishin pushtet absolut në Kosovë. Nuk ka pasur një proces gjyqësor për të vërtetuar se shkaku i tekstit është vrarë një qytetar serb.

c) Njihen si “Trazirat e marsit 2004”. Para nisjes së bllokimit të rrugëve dhe shkatërrimit të objekteve të kultit nga protestuesit, kishin nisur raportimet e mediave se si disa fëmijë shqiptarë ishin ballafaquar me serbë në veri të Mitrovicës. Sipas rrëfimit të fëmijëve shqiptarë, serbët ua kishin lëshuar qentë dhe kishin kërcyer në Lumin Ibër. Aty, kishin vdekur tre, ndërsa fëmija i katërt kishte shpëtuar. I tërë ky rrëfim ishte transmetuar nga mediat pa e marrë edhe anën zyrtare, pa e marrë edhe anën tjetër. Edhe për këtë rast ka pasur pretendime se mediat, përkatësisht RTK-ja ishte fajtore pse kjo ngjarje degjeneroi në trazira të dhunshme në gjithë Kosovën.

d) Ikballe Huduti është një aktiviste e një organizate fetare. Në janarin e vitit 2020, ajo, përmes një teksti të përkthyer, bëri thirrje për hakmarrje, pasi amerikanët vranë një gjeneral iranian. Huduti shkroi në “Facebook” se hakmarrja ndaj këtij akti është obligim.. Nëntë muaj më vonë, prokuroria e akuzoi për nxitje në terrorizëm. Në fund të vitit 2021, ajo u lirua nga akuza. Gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar se e akuzuara ka kryer apo ka pasur qëllim që ta kryejë veprën penale të shtyrjes për kryerjen e veprave terroriste. Në gjykatë, Huduti tha se teksti nuk ishte mendim i saj, por një përkthim dhe gjykata konstatoi se mendime sikur të Igballes kishte edhe në vende të tjera, mesazhe këto që nuk përbënin vepër penale.

Uji Dea

“….vërtetojnë se në mbarë opinionin botëror, kishte mendime me përmbajtje të ngjashme dhe më të ashpra sesa postimi i përkthyer i të akuzuarës në rrjetin sociale “Facebook” dhe se asnjë nga këto opinione të postuara në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare nuk ishte cilësuar si ndonjë shtytje për kryerjen e veprave penale apo diçka të ngjashme”- thuhet në aktgjykim.

Rrjedhimisht, postimi i saj në “Facebook” ka hyrë në domenin e lirisë së shprehjes pavarësisht se me mesazhin e saj mund të mos pajtohemi. Liria e shprehjes ia ka mundësuar secilit të thotë edhe diçka që për kutin tim ose tuajin mund të jetë e gabueshme.

a) Lulzim Peci, profesor i biologjisë, i etur për famë dhe paraqitje televizive, nga Vushtrria u bë lajm para disa muajsh. Jo për mënyrën se si i edukon nxënësit, jo për ndonjë hulumtim nga bota bimore e shtazore, por për një vallëzim mediokër. Tash, besoj, secili ka harruar se ai ka ekzistuar ndonjëherë. Ai e shfrytëzoi të drejtën e lirisë së shprehjes, duke e bërë publike në “Tik-Tok” mënyrën se si vallëzon.

Fjolla Ujkani, deputete e pushtetit, reagoi dhe i cilësoi videot si degjeneruese. Pas reagimeve dhe përkrahjes që e mori profesori, deputetja Ujkani kërkoi falje. Mirë që kërkoi falje e nuk ndërmori ndonjë nismë ligjore për të definuar se çka është e mirë, çka është edukim e çka degjenerim, sepse nëse pushteti e përcakton shijen e publikut, shijen e artit, shijen e letërsisë, shijen e muzikës, atëherë ka rrezik që një ditë, pushteti të përcaktojë se vlerë dhe i dobishëm është shikimi i filmave të viteve të 90-a. Kjo nuk ndodhi. Është mirë që nuk ndodhi. Nuk duhet të ndodhë kurrë që pushteti të përcaktojë se çka ka shije e çka është degjenerim në art, kulturë, muzikë e akademi.

IV
Kur përfundon liria e shprehjes? Një përgjigje e shpejtë: Kurrë. Sepse shprehja e mendimit nuk duhet të ketë pasoja për atë që e thotë dhe logjikshëm nuk duhet të ketë pasoja as për atë që e pranon.

Fillimisht, duhet të sqarojmë se ÇKA ËSHTË e ÇKA NUK ËSHTË liria e shprehjes, nocioni më i keqkuptuar dhe i keqpërdorur e i keqinterpretuar prej se ekziston ideja për të menduar lirshëm, për ta shprehur mendimin dhe për lirinë e mediave.

I keqkuptuar, sepse njerëzit, sidomos pjesa me shkollim problematik e mesatar, nuk e kuptojnë esencën e lirisë së shprehjes.

I keqpërdorur, sepse pushteti dhe të fortit e kanë përdorur lirinë e shprehjes për ta rritur pushtetin e tyre dhe për t’i zvogëluar të drejtat e të tjerëve.

Liria e shprehjes është keqkuptuar, sepse njerëzit shkojnë deri në ekstreme për ta përdorur këtë liri, e cila, pastaj, nëse kalon në gjuhë kërcënuese, të urrejtjes, kalon në gjuhë denigruese dhe mund të kalojë në nxitje të vrasjes. Rasti tipik se si media përdoret për të vrarë njerëz, pasqyrohet te filmi “Hotel Rwanda”, ku vrasjet nxiten nga zëri i radios.

Liria e shprehjes është e drejta e njeriut që ta ketë të gabuar mendimin. E drejta e këngëtarit për të kënduar një tekst banal në këngën e tij. E drejta e aktorit për të luajtur një rol krejtësisht të kotë.

Liria e shprehjes nuk është, nëse shpifni, fyeni, kërcënoni, kanosni, bëni thirrje për mosdurim racor, kombëtar a fetar.

Për këtë arsye, liria e shprehjes edhe është kufizuar me instrumente ligjore, të cilat janë treguar të pamjaftueshme për të mos lejuar një përmbajtje të caktuar të depërtojë te lexuesi, shikuesi, dëgjuesi.

Ekziston një zgjidhje më e mirë, më efikase për gjithë këtë problem, një zgjidhje jo e thjeshtë, që është edukimi. Përmes edukimit medial, nisur nga fëmijët, nxënësit, studentët, mërgimtarët, profesorët, pra, e gjithë shoqëria do t’i kuptonte lirinë e shprehjes dhe tejkalimin e kësaj lirie në vepra penale.

Edukimit medial do ta mundësonte krijimin e aftësive te grupet shoqërore për t’i dekonstruktuar përmbajtjet raciste, tekstet që kanë gjuhë të urrejtjes, tekstet që e tejkalojnë lirinë e shprehjes dhe gjuhën që shkakton dhunë. Rrjedhimisht, secili grup shoqëror do të njoftohej me bazat e funksionimit të medias dhe rrjeteve sociale si dhe mënyrën se si t’i përdorim ato që mos të biem ndesh me ligjin.

Në këtë drejtim, secili prej nesh duhet ta çojë përpara idenë e edukimit medial si ilaç për t’i rritur lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, njëkohësisht për t’u larguar nga gjuha fyese, denigruese, kërcënuese. Rrjedhimisht, të mos shohim skena gjunjëzimi nëpër gjykata, si në rastet e Reshat Sadikit dhe Driton Malokut.