Fundamenti

Kombi duhet me vepra!

/ 4 minuta lexim

Nga Dionis Xhafa – Ndërkohë që shqiptarët po vuajnë në shumicë dërrmuese për të mira materiale edhe minimale, në skenë dalin edhe mendime lidhur me ëndrrën e kahershme të shqiptarëve, bashkimin kombëtar. Lidhur me këtë temë kanë folur njerëz të rëndësishëm të vendit, politologë, por edhe politikanë, ndër të tjera kryeministri i Shqipërisë. Edi Rama do të theksonte në Prishtinë se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen dhe nuk ngurroi ta rithotë këtë mesazh.

Ndërkohq që në Kosovë kishte këtë fjalor nacionalist, Rama ditë më pas takoi Vuçiçin dhe foli për marrëdhënie të mira me Serbinë, paçka të shkuarës të dhimbshme. Deklaratën e Ramës, e ka komentuar edhe një nga mendimtarët më në zë të trojeve shqiptare, Rexhep Qosja, sipas të cilit deklarata e kreut të qeverisë në Tiranë është vizionare. Në një shkrim të tijin, Qosja do të thoshte se kombi shqiptar do të bashkohet (Kosova dhe Shqipëria), pasi është një komb i ndarë padrejtësisht.

Shumë ishin ata që hodhën dyshime se deklarata e Ramës mund të jetë bërë si presion ndaj BE-së që të mund të integrojë Shqipërinë më shpejt në familjen e saj, e nga ana tjetër të mund të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Duke marrë shkas nga ajo që kanë deklaruar diplomatët evropianë se “për së paku disa vite nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE”, deklaratat e Ramës mund të shihen edhe si formë presioni, se shqiptarët e duan BE-në, por jo të presin kaq shumë, sa kjo ëndërr të venitet me kohën.

Ndërkaq, edhe politologu dhe iniciuesi i “Lista për Shqipërinë Natyrale”, Koço Danaj do të fliste për bashkimin kombëtar. Sipas Danajt, Shqipëria dhe Kosova jo vetëm që duhet të bashkohen, por edhe përpara se të hyjnë në Bashkimin Europian, meqenëse bashkimi kombëtar është i sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si aspiratë e çdo shqiptari. Paçka asaj se deklarata mund të shihet pak me skepticizëm , për faktin se edhe sikur të na thonin të bashkoheshim, me dy shtete me korrupsion dhe me papunësi në masë, vështirë se do të ishim më mirë si shqiptarë, nga gjendja ekonomike, por se deklarata kishte një term të përdorur me vend.

Mobi Casa

Danaj thotë se nuk duhet përdorur “Shqipëria e Madhe”, por “Shqipëri Etnike”, për të bërë dallimin se nuk po kërkohet diçka anatyrale, por natyrale, normale. Gjithsesi, në këto deklarata, që herë kanë emocionalitet dhe herë racionalitet apo përdoren për presion (siç bën Rama ndaj BE-së), ka vetëm fjalë.

Ajo ç’ka realisht i duhet popullit shqiptar është puna, dinjiteti dhe shpresa për një të ardhme më të mirë, si dhe fakti se duhet/n shtet/e të së drejtës. Pasi të mund të jenë plotësuar të gjitha këto, duke qenë të qetë se shqiptarët janë mirë, e duan njëri-tjetrin dhe s’kanë konflikte, mund të flitet edhe për atë që diskutohet, “bashkimin kombëtar”. Sidoqoftë, kufijtë nuk janë të shenjtë, pasi ndoshta rrallë ndokujt do t`ia merrte mendje vite të shkuara se Kosova do të shpallej e pavarur.

Ajo që dihet është se shqiptarët tashmë janë pranë njëri-tjetrit, lëvizin sa në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup. Ata janë bashkuar emocionalisht, por kanë vetëm kufijtë që i ndajnë. Ajo ç’ka iu nevojitet shqiptarëve është puna dhe të jetuarit me dinjitet në vendin e vet. Të flasësh për bashkim kombëtar, në një kohë që shqiptarët po marrin arratinë, është kontrast i dhimbshëm.

Së pari na duhet që në këtë atdhe të jetojmë denjësisht dhe ndershmërisht. Meqenëse në “bashkimin kombëtar” të shqiptarëve merret shembulli i bashkimit të dy Gjermanive, mund të thuhet e vërteta se Gjermanitë u bashkuan, pasi gjermanët, në Lindje dhe në Perëndim punuan fort dhe pasi një nga shtetet ishte i fuqishëm e mundej të ngrinte institucionet e shëndosha në shtetin tjetër. Vetëm me punë dhe përpjekje, kombi do të duhej me vepra dhe jo me fjalë./rajonipress/