Eko Higjiena

Kollarja, E premtja, Jetës çfarë i lypa

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

ia vura gruas, dorën në kërthizë, në njërin e tjetrin kah, cipeve të buzëve, rrodhi rrëshirë, lëng i instinktit
i ngashënjimit, kërthiza e gruas, kërthizë e ngadhënjimit
a e shpërthimit të botës.

*
ia vura gruas
dorën dhe mbi qindra
lugje grash
mijëra tjerave u vihem
dhe vijnë pas
të lëngshme si i mëkatojmë
po aq litarë zilisë
qafës i mbështillen të përbirohet
në laçe të ngrehura
vetëm njërën prej vjegëzash
e mori pendesa
dhe e hoqi në çast
tjerat mikeshës anonime ia lash
dhe nuk kam ku të fshihem tash
në gracka tundimi rashë
në seancat e vetëgjykimit
ndjek shkasin e viktimizimit
më kafshojnë gojë hithrash
më shpojnë gjemba kaktusesh
*
ngjyej në mjaltin e pelinit
*
gruaja lau hekurosi këmishën
rrudhat e karakterit
lustruan kodin e nderit
në këmishë të bardhë
kollarja e zezë
*
ç`më duhej këmisha pa njolla
të më vishej vetëm njëherë
ajo e bardha e holla
trup fytyrë e pigmentuar
(m)ikja e fshehur kishte koleksionuar
*
çfarë kollare qafës tënde
të shijes së pasqyrës
a të fytyrës së stinës

Gjilan, mars 2012

nga ora gjashtëmbëdhjetë e së premtes
hyra në të shtunën
nuk ka pse hidhërohet e premtja
së cilës paqësisht
ia cenova hapësirën
hipa e zbrita gjymtyrëve të saj
në katet pa katngjitje
më ftoi t`i futem skutave
dritareve të mendimit
t`ua fshij pluhurin
t`i hap perdet e grackës së mbresës
aty-këtu më prisnin
gracka të qeta vertikale
turbulenca me ndezje të ngadalta
ose të aty për atyshme
të dukshme si buqeta lulesh plastike
si letra të djegshme mirënjohjesh
mandej vërdallat e padukshme
marramendje të rrotullueshme si parimet
rrjeta të njeriut merimangë
nuk ia shohim fytyrën
as rrokullisjet horizontale
nuk i dekompozuan
as e shëmtuan godinën
e arkitekturës
mbi prirjen grabitqare
*
hë për hë ku të gjej
atë estetikë që të parfumosh etikën
koka me ballëza hullish
të mbjella me gjithfarë farërash
barishte shkurresh gjembash narkotikë
assesi tu ikësh shikim hithrave
megjithatë tek ai ballë
shoh kaltërsinë e selvisë së rrallë
për hije e freski
së paku për t`i parë
për të ngjyer kafshatën e tharë
*
kataklizmi i ankthuar njerëzor
deri te fundi i së premtes
nuk do të ndodh
lutjet kësi soj
do të na shpëtojnë
ndonëse nuk na i varin trastat
pse rritet përqindja e stresit
dhe sipër shfaqja e vesit
*
në hullitë e ballit tim
nga shtrydhja e çiltërisë
sumbullat e avullit të kondensuar
i gëlltitën të tërat
ata që i kanë turbulluar
*
ika nga e premtja
pata tokje të shumta të dorës
lidhje të këputura premtimesh
puqje të ftohta të borës
impulse të falash të zeza
rrjedhje fekalesh celularit
lukuni mjekërzinjsh pas faljes
gjen i huazuar për përtrollitje
i hibridizuar në sedrën ilirike
*
e premtja më shpaloi faqen e territ
*
në Akademinë e Alkimisë
kopjohen ngazëllues
për turma prijatarë
urtarë për fisnikërimin
e të parit të arit
*
të dielën nisem dhe mbaroj vikendin
në misterin epileptik të “bing-beng-ut”
Gjilan, kallnor 2012
Jetës çfarë i lypa

FIDANISHTJA

Mehmetali Rexhepi
para sezamit
as hyrja as dalja
në duart e mia
partiturat e së përtejshmes
nuk di
thurja
a ia ç’thurja kremten jetës
e di
ishte e zezë ajo kaltërsi
turma i përkulej Atij
jashtë sezamit ngela
as në sfondin e asaj
as në të kësaj
lozonjaren nuk e vola
ndonëse e prarova
sytë e dhuntisë majave laja
i grishur i dëbuar
gjithçka e saj kishte hyrë
i frynte furisë
marrëzisë si hire
sythave bulëzave fijeve
petaleve kadifeje
kurorave të brishta
trilleve si pigmentuaka prilli
shtrojerë partiturash
për meloditë e afshëta
*
ai nektar
kristal i ngrirë
pa erë pa ngjyrë
gotë në vitrinë
hedh verë
në gojën e kallnorit
nga ajo e kristalit
ca dolli të ngrehura
ngrohin stuhinë
e ftohtë të marrisë
*
çfarë i lypa jeta nuk më dha
një litar të zi
rreth qafe akëcili e ka
kur e doja nuk e gjeja
mandej
seç ma fshehte dehja
*
librin e hapur të verës
ma shpaluan fëshfërimat e gjetheve
puthjet e varura në degë
jargëve shelgjesh
buza vesë e karafilit
bleroi blerina brushë e syrit
potpuritë e tingujve
tablove pa korniza
*
fare – fare pakëz jetës i lypa
pos të më mëshirojë magjikja
për librin e çelur të verës
të mos më shter mahnitja
*
nuk i lypa pallat jetës
vetëm librit të saj
të mos i bien fletët
sikur drurëve gjethet vjeshtës

Mehmetali Rexhepi

Gjilan, prill 2012