Uji Dea

Koalicioni i zorit

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Qeveria “Mustafa”, e cila mbushi vitin e saj të parë të punës, doli si një produkt i zorshëm pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit, raporton KTV.

Që në fillim, u deshën plot 6 muaj kohë pas zgjedhjeve që kjo qeveri të formohej.

Dalja e PDK-së si më e votuara nga zgjedhjet e 8 qershorit, por që nuk siguronte assesi shumicën parlamentare, mobilizoi LDK-në, AAK-në dhe Nismën që dy ditë më pas të nënshkruanin një marrëveshje për koalicion paszgjedhor, e cila kryeministrin ia jepte AAK-së, kryeparlamentarin dhe presidentin LDK-së dhe zëvendëskryeministrin Nismës.

Me gjithsej 65 vota të këtij koalicioni dhe të Listës Srpska, në një seancë të tensionuar, më 17 korrik, Isa Mustafa u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Por, kontestimi i këtij vendimi nga ana e PDK-së, që e dërgoi rastin në Gjykatën Kushtetuese, e rrëzoi Isa Mustafën nga karrigia e kryekuvendarit, më 23 korrik, para se ky vendim të merrte formë të prerë një muaj më pas, më 26 gusht.

Kështu, vendi u thellua edhe më tutje në një krizë. Në një seancë parlamentare më 18 shtator, PDK-ja dështoi ta bënte Arsim Bajramin kryetar të Kuvendit, për çka u kritikua nga koalicioni VLAN, se po mbante peng krijimin e institucioneve.

Përkundër përpjekjeve të presidentes, të koalicionit VLAN e të PDK-së, edhe tetorin dhe gjysmën e nëntorit Kosova i kaloi pa institucione.

Pas më shumë se 5 muajsh ngërç, koalicioni VLAN u prish kur LDK-ja e braktisi atë, për të bërë koalicion në orët e vona të 19 nëntorit me PDK-në.

Kështu Isa Mustafa filloi drejtimin e një qeverie që doli nga trinomi PDK – LDK – Lista SRPSKA, e cila u bashkua vetëm pasi mori garantimin për krijimin e asociacionit të komunave serbe.

UBT

Përfshirja e Listës Serbe në qeveri nxiti menjëherë alarmin e opozitës dhe ishte pikërisht kreu i saj, Aleksandër Jabllanoviq, ai që i solli sprovën e parë qeverisë Mustafa, kur pasi kishte fyer nënat gjakovare, qeveria u përball me dhjetëra protesta gjithandej Kosovës.

Protestat për Trepçën dhe kundër Jabllanoviqit kulmuan më 27 janar në Prishtinë, dhe si rezultat i tyre, Isa Mustafa e shkarkoi ministrin e tij Jabllanoviq më 3 shkurt.

Përveç kësaj, të tre muajt e parë të qeverisë Mustafa u shoqëruan edhe nga ikja masive e rreth 100 mijë kosovarëve, të cilët përmes kampeve të Hungarisë, përfunduan si refugjatë në shatorët e Francës e kampet e Gjermanisë.

Përveç që nuk i vizitoi kurrë në stacionin e autobusëve, kryeministri Mustafa tha se ata që po iknin e bënin këtë duke kërkuar rrugën me I-phone.

Kishte premtuar që do të formonte ushtrinë e Kosovës, por koalicioni qeverisës PDK-LDK-Srpska përfundoi duke votuar për formimin e Gjykatës Speciale, që do të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së.

Së fundi, qeveria, në krye më Mustafën, po përballet sërish me një sfidë të madhe, atë të mospranimit nga opozita të dy marrëveshjeve të nënshkruara nga dy, siç cilësohen, kryeministrat e Kosovës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Këto marrëveshje po mbajnë të bllokuar kuvendin, ngase opozita nuk po heq dorë nga kërkesa për zhbërjen e tyre.

Me plot protesta e gaz lotsjellës, statuse fyese në facebook, me ligjin që u fal borxhe bizneseve të mëdha, pa ligjin për Trepçën, me dhunë policore e deputetë opozitarë të arrestuar, pa ushtri, me gjykatë speciale, me njerëz politikë në borde të ndërmarrjeve publike, shpenzime të palimituara, qeveria Mustafa – Thaçi, me 21 ministra e 42 zëvendësministra, po hyn në vitin e dytë të saj, duke lënë mbrapa një vit që nuk do të kujtohet për shumë të mira.

http://koha.net/?id=27&l=88218