Mobi Casa

Këshilli Kombëtar për Investime, platformë e modernizimit të infrastrukturës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Në gusht të vitit të kaluar kur kancelarja gjermane, Angela Merkel, ftoi shtetet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit, pakkush do të kishte besuar që këto shtete do të dakordoheshin për projekte të përbashkëta infrastrukturore që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në tërë rajonin.

Një vit pas këtij takimi, që u pasua nga tri takime të tjera (“Western Balkan 6”) që u mbajtën në Beograd, Prishtinë dhe së fundi në Bruksel, rezultatet e para pozitive janë evidente.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tanimë kanë krijuar Këshillat Kombëtar për Investime, për formimin e të cilave ishin dakorduar në takimin e Berlinit dhe se tani janë duke përgatitur me mbështetjen e Komisionit Evropian edhe Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore për Financim.

Këto projekte do të mbështeten nga fondi 1.4 miliard euro, të cilin e ka paraparë Bashkimi Evropian.

Gjatë javës që po lëmë pas, mbajtëm takimin konstituiv të Këshillit Kombëtar për Investime, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt koordinimit të investimeve të ardhshme infrastrukturore në vend. Kjo për shkak se përmes këtij mekanizmi do të bashkërendohen burimet e ndryshme të financimit, përkatësisht buxheti, huat dhe grantet përmes të cilave do të financohen projektet strategjike me interes për zhvillimin ekonomik të vendit në sektorët kyç, si transporti, energjia dhe mjedisi.

Si bashkëkryesues i këtij Këshilli, e konsideroj të një rëndësie të veçantë faktin që përmes kësaj platforme do të përmirësohet dhe avancohet infrastruktura, do të lehtësohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, si dhe do të shtohet shkëmbimi i marrëdhënieve tregtare gjë që do të na afrojë më tepër më rajonin dhe BE-në.

Uji Dea

Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për Investime, që u mbajt të enjten, trajtuam Listën e Projekteve Prioritare Infrastrukturore dhe përveç miratimit të Rregullores së Punës dhe financimin e fazës së parë të rehabilitimit të Linjës hekurudhore 10, Këshilli miratoi edhe Metodologjinë për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve të infrastrukturës.

Presim që deri më 15 nëntor të këtij viti të kemi të përgatitur Listën e Projekteve Prioritare në fushën e transportit, energjisë dhe mjedisit, pasi që zbatimi i metodologjisë për prioritizimin e projekteve infrastrukturore tanimë është edhe kriter zyrtar i Komisionit Evropian.

Ndonëse jemi afër Samitit të Vjenës, ku vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i drejtohen BE-së me projekte të përbashkëta rajonale, të cilat pritet të financohen nga BE-ja, dëshiroj të konfirmoj faktin se Kosova në koordinim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor është e gatshme për prezantimin e projekteve infrastrukturore, të cilat kanë edhe karakter rajonal si pjesë e “connectivity agenda” apo “agjendës së ndërlidhjes”, jo vetëm në aspektin infrastrukturor, por edhe në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe evropian.

Krahas mbështetjes së BE-së, Këshilli është mandatuar të koordinojë edhe projektet potenciale të investitorëve të tjerë në mënyrë që të krijohet një sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit.

Përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohemi, qasja jonë proaktive e bashkëpunimit synon pozicionimin e Kosovës si faktor stabiliteti dhe paqeje për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Politikat tona shtetërore bazohen në vlerat e demokracisë, barazisë dhe bashkëpunimit si vlera kyçe të familjes së madhe evropiane dhe këto vlera janë reflektuar në gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar dialogun dhe bashkëpunimin me fqinjët tanë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë dhe të tërë rajonit të përmes agjendës zhvillimore, e cila po ndërton momentum në marrëdhëniet tona me fqinjët dhe BE-në.

(Autori është ministër i Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës. Ky opinion është përgatitur ekskluzivisht për gazetën “Zëri”).