KF

Kaos, mbeturina, lloq, pamje drithëruese nga ndërtesat milionëshe

/ 3 minuta lexim
KF

Gjilan – Pak ka rëndësi kush janë pronarët dhe kush janë kompanitë, që po operojnë në këtë kantier ndërtimi. Pamjet e para janë tmerruese për çdo kalimtar të rastit, e mos të flasim për blerësit potencial.

Mbrapa objektit të Prokurorisë së Gjilanit ndodhet një hapësirë bukur e madhe, ku operojnë disa biznese të mëdha në ndërtim të lartë.

Vizitori i thjeshtë do të befasohet me një pamje të shëmtuar, e cila më së pakut të përngjan në një kantier ndërtimi.

Madje lexues të shumtë që dërgojnë foto e komente thonë, se aty më shumë i përngjanë një deponie të kemikaleve, për shkak të papastërtisë, e bërllogut të shumtë dhe rrugët me lloq.

Si është e mundur komentojnë qytetarët, që miliona euro dhe shitje të banesave ndodhin, në atë vend moçalik, madje ata dyshojnë që edhe lejet ndërtimore janë lëshuar në mungesë të një studimi të fizibilitetit.

Murtezi një banor i asaj pjese thotë se i tërë ai lloq, që ndodhet aty del nga kamionët pastaj në rrugën qarkore. Inspeksioni duhet ta monitorojë këtë pjesë dhe t`i qortojë kompanitë shkatërruese, të natyrës e rrugës qarkore.

Në fakt janë blerësit potencial ata që kanë dërguar këto foto dhe skena nga këta kantier ndërtimi.

KF

Blerësit e kësaj zone ankohen se ju duhet të japin ekstra të holla për të riparuar gabimet e pronarëve, si dyshemeja, kuzhina dhe elemente tjera, madje shumë pronar edhe janë paditur në Gjykata për shkak të shkeljes së marrëveshjes.

Shumë blerës sidomos nga diaspora janë ndier të tradhtuar me kontratat në praktikë.

Elbasani një blerës nga Zvicra tha se vetëm SPAK-u i Shqipërisë mund ta rehatojë kaosin urbanistik në Gjilan.

“Edhe të hollat kur i paguajmë përmes bankës i japim vetëm një pjesë, ndërsa pjesën tjetër e paguajmë kesh. ATK ka punë bukur shumë vetëm i duhet të kontrolloj llogaritë e kompanive të dyshimta, që merren me krim të organizuar financiar. Kur kam hy për herë të parë në banesë më është dukur e mirë, por kur dola në ballkon dhe pash deponi bërllogu u tmerrova. Asnjë ndërtesë nuk ka shkallë emergjente që është standard kudo në perëndim” shprehet Elbasani.

Rrahmani një tjetër blerës nga Gjermania thotë se po mashtrohen lehtë edhe nga rrjetet sociale.

“Kur po i shohim nëpër video e facebook, po na duket banesa moderne dhe e rregulluar mirë, por kur po vendosemi brenda tyre po na mungojnë gjysma e atyre që u kemi paguar pronarëve. Kemi vërejtje sidomos kur kërkojmë diçka ekstra dhe me material të shtrenjtë, ndërsa kur vendosemi në banesë e sheh që mungojnë ato pajisje ose elemente që i ke porositur sipas kontratës” shprehet Rrahmani./rajonipress/