UBT

Jahjaga fal 31 lloje krimesh

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dekretoi Ligjin për Amnisti, duke i dhënë fund “pluhurit” që u krijua për faljen e personave që kanë sfiduar drejtësinë kosovare për 14 vitet e kaluar. Presidentja me këtë rast nuk i përfilli vërejtjet e shoqërisë civile, madje as peticionin prej 12 mijë nënshkrimesh të qytetarëve kosovarë, të cilët kërkuan që ligji të kthehet në rihartim.

Të mërkurën, presidentja e nënshkroi ligjin dhe e dërgoi për procedurë të mëtejme, ka njoftuar Selim Selimi, këshilltar ligjor i Presidencës.

“Presidentja e ka nënshkruar Ligjin për Amnistinë, të cilin e kemi dorëzuar në Kuvend. Tani Kuvendi e dërgon në Gazetën Zyrtare për botim”, ka thënë Selimi për REL.

Ligji për Amnistinë buron nga marrëveshja Prishtinë – Beograd e arritur më 19 prill, ku më pas Serbia kushtëzoi zbatimin e saj. Për shkak këtij kushtëzimi, Kuvendi i Kosovës në mënyrë të shpejtuar më 11 korrik miratoi Ligjin për Amnisti, përmes të cilit parashihet falja e të gjithë serbëve që kanë kundërshtuar shtetësinë e Kosovës gjatë viteve të kaluara.

Ishte “Vetëvendosje”, e cila dërgoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese, e cila para disa ditësh, doli me një konstatim se me përjashtim të disa neneve, ligji është në rregull.

Mobi Casa

Por, sipas “Vetëvendosjes”, në këtë ligj vazhdojnë të mbesin edhe dhjetëra lloje të krimeve që të mërkurën i ka amnistuar dekreti i Presidencës.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, thotë se janë 31 lloje të krimeve, secila më e rëndë se tjetra që janë dekretuar. “Siç e kemi thënë edhe në fillim të këtij procesi ligjvënës i cili e ka zanafillën në negociatat me kryeministrin serb, Daçiq nëse ky ligj do të hynte në fuqi secili keqbërës, kriminel, mafioz në Kosovë do të jetë i lirë”, tha Ymeri.Qeveria, Hashim Thaçi, Presidentja, dhe ata deputetë të pozitës dhe opozitës që e kanë votuar dhanë dëshminë më të fortë se për çfarë Kosove janë të përcaktuar, deklaroi Ymeri.

“Kolegjit të shkelësve të Kushtetutës të prirë nga kryeministri dhe të ndjekur nga Presidentja, iu shtua dhe Gjykata Kushtetuese, të cilët do të duhej të ishin gardianët e kushtetutshmërisë së vendit”, shtoi ai. E tani mbetet vetëm një detyrë, që të ndërrohet sa më parë kjo qeverisje në mënyrë që të shpëtohet e tashmja dhe e ardhmja e vendit, tha Ymeri. “Tani na mbetet t’u bëjmë thirrje qytetarëve për vigjilencë nga rreziku më i ri që ia “dhuroi” Kryeministri deputetët dhe Presidentja”, u shpreh ai.

Fillimisht Gjykata Kushtetuese e tani presidenca dëshpëroi edhe plot 12 mijë e 564 njerëz të Republikës së Kosovës, që nënshkruan peticionin kundër këtij legjitimimi.

Nenet që Gjykata Kushtetuese vlerësoi se duhet të hiqen sepse bien ndesh me aktin më të lartë juridik në Kosovë, janë: asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, zjarrvënia, moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të veprave, dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare.