ARKATANA

Integrimi kërkon përpjekje dhe besim në vete

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Vështirësitë e integrimit të të rinjve shqiptarë në sistemin shkollor në Zvicër. Rasti i Eleonorës nga Medvegja.Një thënie e vjetër latine thotë: „Per aspera ad astra“ që përkthehet në shqip “Nëpër ferra deri tek yjet”. Kjo është edhe rruga e Eleonora Asanoviqit, një vajze 23 vjeçare e cila është rritur në Medvegjë (Kosova lindore) deri në moshën 10 vjeçare dhe ka ardhur në Zvicër si azilkërkuese në vitin 2000, gjatë luftës në Luginën e Preshevës.

Pas pak kohësh autoritetet kishin vendosur që Eleonora të fillonte shkollën fillore në klasën e tretë duke vijuar edhe kurse intensive të gjuhës gjermane.

“Në fillim nuk ishte e lehte”, rrëfen Eleonora. “Ishim të vendosur në një shtëpi ose « Heim » për azilkërkues me shumë njerëz të ndryshëm. Në shkollë, një nxënëse shqiptare në klasën time bënte përkthime për mua, dhe për fatin tim, mësuesi ynë (60 vjeçar) ishte një njeri shumë i dashur i cili tregonte çdoherë mirëkuptim. Unë isha shumë e interesuar për ta mësuar sa me shpejtë gjuhën që ishte si një portë e rëndësishme për integrimin tim, për kontaktet dhe sukseset e mëtejshme. Në fillim lexoja libra të lehtë, përralla në gjermanisht dhe kështu e mësova shpejt gjermanishten. Pastaj fillova edhe biseda me nxënësit e klasës të cilët silleshin shumë mirë me mua.

Pas 6 muajsh, morëm transfer në një qytezë të vogël, në Breitenbach. Në shkollën e re kishte ndryshime në krahasim me shkollën e mëparshme. Në mesin e nxënësve kishte ndarje, grupime. Grupet ishin të përbëra ose nga të huajt, ose nga zviceranët, ose nga të huajt dhe zviceranët të cilët e kishin njërin nga prindërit imigrant. Sa u përket shqiptarëve në shkollë, gati të gjithë ishin me leje qëndrimi të rregulluar dhe aq shumë „të integruar“ saqë shiteshin sikur zviceranë.

Në mes grupeve kishte ngacmime, pra edhe unë kam përjetuar ndonjëherë tallje por ishin kaluese, fëmijërore. Nga natyra jam një person që nuk i kam pëlqyer asnjëherë grupimet dhe ndarjet. Në klasën e 5 dhe 6 edhe unë e bëra një stil timin si “RNB edhe Hip-Hop”, vizatoja bukur, blija rroba moderne, dhe u bëra e famshme. Por një gjë e kuptova, se më së shumti kishte rëndësi suksesi i mirë shkollor, sepse vetëm në këtë mënyrë fitova respektin e të gjithëve.

Në Zvicër sistemi i strukturimit shkollor është ndryshe

Mbas shkollës fillore ose klasës së gjashtë, vjen Mittelschule (shkolla e mesme e ulët). Kjo pastaj klasifikohej në nivele të ndryshme, së paku në Breitenbach, nga „Oberschule“ ose në tjera kantone quhet „Realschule“, pastaj vjen „Sekundarschule“, „Bezirkschule“ dhe niveli më i larte „Progymnasium“. Shkollat me të dobëta se këto janë „Kleinklasse dhe Werkklasse“. Sipas ligjit mesatarja e notës e përcakton vendosjen në këto nivele shkollore. Sa më i mirë suksesi, aq me i lartë niveli.

Pyetjes sime se a kishte arsimtarë apo pedagogë të cilët i inkurajonin nxënësit për të ecur përpara, dhe a ka pasur Eleonora një person të tillë, ajo i përgjigjet: „Të gjithë arsimtarët silleshin njësoj me të gjithë nxënësit. Ata na informonin ne si dhe prindërit tanë gjatë mbledhjeve të prindërve për mundësitë e avancimit por nuk kishte ndonjë bisedë individuale me secilin nga ne. As unë nuk e kam pasur ndonjë person në shkollë i cili do të më ndihmonte veçanërisht.

Pasi që më ka munguar nota e matematikës, në fillim më kanë vendosur në Oberschule. Pas një kohe i përmirësova notat dhe kalova në nivel më të lartë – në Sekondarschule, pastaj e bëra mesataren edhe ma të fortë dhe kalova në Bezirk. Ky avancim ka zgjatur pesë vite, dhe e kishte anën pozitive dhe negative. E mira ishte se unë përparoja në nivele më të larta, por e keqja ishte se çdo herë isha e obliguar ta përsëris vitin dhe bëhesha më e madhe se gjenerata e klasës time. Në gjithë këtë situatë të palakmueshme, fati im ishte që e kisha një shoqe të ngushtë shqiptare, me të cilën kemi ndjekur të njëjtën rrugë, por në mes ne të dyjave dhe shokëve të klasës nuk kishte ndonjë shoqëri të madhe, për arsye diference në moshë. Ata ishin shumë të rinj në krahasim me ne të dyjat.

Unë kisha një leje qëndrimi „N“, pa mundësi për të udhëtuar jashtë Zvicrës

Eco Higjiena

Shokët dhe shoqet e mia të shkollës, tregon Eleonora i kalonin pushimet jashtë Zvicrës, por unë jo. Kjo situatë ishte shpirtërisht e vështirë për mua, sepse unë isha e detyruar të rrija në shtëpi dhe të shoh televizor përderisa gjenerata ime e shëtiste botën. Shpeshherë kur isha më e vogël kisha turp dhe i gënjeja shokët e klasës se gjoja unë kam probleme me pasaportën time serb, dhe nuk mundem të udhëtoj jashtë vendit. Dikur fillova ta akceptoj këtë situatë e cila filloi të më dukej disi normale. Me kalimin e kohës si familje e fituam vizën « B » dhe pasaportën zvicerane.

Sa ishe e përkrahur nga prindërit, Eleonora ?

Sot, nga ky këndvështrim mendoj që mami ka pas zgjedhur metoda të gabuara për të më motivuar në rrugën drejt suksesit. Shpeshherë më bërtiste, që nëse nuk mësoj mirë do të duhem ta ndërpres shkollën dhe të gjej një punë. Pastaj me mbante leksione se nuk duhet kurrsesi të bie në dashuri me ndonjë djalë me origjinë të huaj, përveç me shqiptarë. Ajo kishte pasur një operacion të rrezikshëm më herët dhe kërcënimet e saj se do t’ia përkeqësoja shëndetin po e bëra një gjë të tillë, më bënin të ndihesha vërtet keq. Unë nuk kisha pretendime të këtij lloji, dhe ky presion ma humbiste orientimin që e kisha planifikuar. Shpeshherë i kaloja netët pa gjumë në sy dhe duke qarë. Por mendoj që mami e kishte nga frika, dhe sot ia fali, sepse ajo e kishte për të mirën time brenda realitetit tonë shqiptar.

Më tej u regjistrova në një shkollë të nivelit të gjimnazit

Pas Bezirkschule (shkollës së qarkut) u regjistrova në një shkollë që quhet „Fachmaturität Schule” në shkollën e gjimnazit në Münchenstein të Basellandit. Aty nuk e kisha shoqen time të ngushtë e cila më mungonte ashtu si dhe shoqëria ime e mëparshme. E ndjeva shumë lodhjen nga përsëritjet e shumta pësëvjeçare. Shkolla dhe kriteret ishin shumë të vështira dhe unë ndjeva demotivim për të vazhduar me të njëjtin temp. E bëra një pauzë me vetëdije gjatë të cilës e mora veten. Kështu, pas 3 muajsh fillova prapë në të njëjtën shkollë me një qëllim të vetëm “ta ngre kokën lartë dhe ta mbaroj shkollën sa më shpejt”. Dhe kë të e arrita.

Momentalisht jam duke e mbaruar një praktikë 1 vjeçare në Institutin e patologjisë pranë Universitetit të Baselit dhe jam duke e shkruar temën e Maturitetit që është kusht për t’i vazhduar studimet në Fakultetin e shkencave natyrore molekulare, ku jam e pranuar.

Në këtë Institut të gjithë kolegët janë shumë të mirë dhe të zotë, ka shumë doktorantë dhe shumica janë të huaj. Mbikëqyrësi i temës time të Maturitetit është me origjinë gjermane i cili më ka motivuar dhe këshilluar për të ecur përpara dhe e falënderoj shumë.

Mesazhi im për të rinjtë

Në jetë duhet luftuar edhe kur nuk ec gjithçka ashtu siç e kemi paramenduar dhe kur dielli fshihet mbrapa reve. Jeta është si një „Kardiogram“ me ulje dhe ngritje. Secila situatë që krijohet në jetë ka diçka pozitive në vete, së paku një eksperiencë e cila na bën më të fortë, por duhet kërkuar forcë, energji dhe motivim për të ecur përpara. Zvicra dhe bashkatdhetarët tanë kanë nevojë për ne, për potencial intelektual, prandaj nuk duhet të dorëzohemi sepse gjithçka është në duart tona./albinfo/