Fundamenti

Injoranca fitimprurëse

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shaip Kamberi – Zhvillimi i ngjarjeve të fundit në Luginë të Preshevës, rreth lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, dhe heqja e tij e dhunshme nga xhandarët serbë, mënyra e përshkallëzimit të kësaj krize edhe në Kosovë, po detyron zyrtarët e Kosovës që të jenë më të qartë me qëndrimet dhe deklarimet e veta për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo po bëhet gjithnjë më e qartë sidomos në deklarimet e kryeministrit Hashim Thaçi, i cili për të përditshmen vjeneze “Die Presse”, ka pohuar se “përshkallëzimi i situatës në Preshevë ishte krejtësisht i panevojshëm”.

Në intervistën dhënë kësaj gazete, kryeministri kosovar më tej shton: “Unë mendoj se ishte qëllimi i Serbisë, mbështetur nga injoranca e disa udhëheqësve politikë në Preshevë” dhe se “çmimin po e paguan Kosova”, ka deklaruar Thaçi.

Thënë shkurt e shqip, deklarimi i kryeministrit mund të përmblidhet me atë populloren “qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”. Me këtë rast, kryeministri nuk ka potencuar emrat e atyre politikanëve të cilët me “injorancën” e vet kanë qenë pjesë e lojës së Beogradit, por fakti i njohur për të gjithë se kush i hoqi duvakun lapidarit, na bën të kuptojmë se ndaj kujt janë drejtuar shigjetat e tij.

Duke pasur parasysh edhe deklarimet e tij të mëhershme, e sidomos faktin se çka u ka sugjeruar liderëve preshevarë në një takim të realizuar me ta, pak ditë para se xhandarët serbë ta heqin dhunshëm lapidarin, kjo deklaratë e kryeministrit mund të konsiderohet serioze dhe e sinqertë.

Por, njëkohësisht, pashmangshëm shtrohet edhe çështja se a është i njëjti kryeministër ai që e mori në përqafim një ndër liderët preshevarë në Kongresin e partisë së tij, kur ai i uroi Thaçit të jetë “nënshkrues i dokumentit të bashkimit kombëtar”, edhe pse dihet fare qartë se çka u ka deklaruar liderëve preshevarë kryeministri i Kosovës për mundësinë e bashkimit kombëtar.

Cilido që të ketë qenë motivi i kryeministrit të Kosovës në atë rast, duhet thënë se është pikërisht përqafimi i tij (Hashim Thaçit) ai që e shpëtoi liderin preshevar nga përgjegjësia politike rreth çështjes së lapidarit dhe i mundësoi shmangien nga premtimi publik për dorëheqje. Konstatimi që del nga ky përqafim i dhuruar padashje apo me sugjerim të bashkëpartiakëve të kryeministrit, është se injoranca po del fitimprurëse në politikën shqiptare.

Por, nëse lëmë anash allashvereshet politike ndërshqiptare, duhet thënë se disi është krijuar një bindje e përgjithshme se është krijuar një momentum i ri për Luginën e Preshevës i cili duhet shfrytëzuar nga liderët lokalë për ta rinisur një proces të dialogimit serioz me qeverinë e Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, për zgjidhjen e problemeve të shumta.

“Loja e rrezikshme me kufij”, të cilën kryeministrit serb, Ivica Daçiq, e nisi publikisht duke shpalosur pretendimet e tij, ka nxitur Bashkësinë ndërkombëtare që të jetë më aktive në çështjet e Luginës së Preshevës.

Uji Dea

Këto ditë, struktura të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare, kanë kërkuar nga liderët shqiptarë hartimin e një dokumenti konkret, si bazë për nisjen e bisedave me Beogradin zyrtar. Bashkësia ndërkombëtare e cila angazhimin e vet të drejtpërdrejtë në vendet e Ballkanit Perëndimor e ka filluar nga fillimvitet ‘90, shpeshherë ka shkelur parimet e vetëproklamuara, me përjashtim të parimit të mosndryshimit të kufijve, të cilit, duke iu kundërvënë aspiratave të Daçiqit në prapaskenë, po i mbetet besnik edhe sot.

Për t’i kundërshtuar aspiratat e kryeministrit serb dhe gjithë nomenklaturës politike në Beograd, për ndryshim kufijsh përmes lansimit të krizave në Luginë të Preshevës, iniciativa e re e ndërkombëtarëve ka të bëjë me kërkesën drejtuar liderëve shqiptarë për t’u paraqitur me një dokument të unifikuar kërkesash, për ta detyruar Beogradin të ulet në tavolinën e bisedave konstruktive.

Praktikisht, nuk do të duhej të paraqitej ndonjë problem teknik i përpunimit dhe unifikimit të një dokumenti serioz, me të cilin shqiptarët, respektivisht, përfaqësuesit e tyre politikë do të paraqiteshin ndaj qeverisë serbe dhe ndërkombëtarëve.

Derisa detyra për të bindur Beogradin që çështjen e Luginës së Preshevës duhet ta kthejë në agjendën e interesimeve prioritare mbetet objektiv i bashkësisë ndërkombëtare, janë mosmarrëveshjet ndërshqiptare ato që sërish mund të çojnë dëm një rast të dhënë.

Në stilin e thënies shekspiriane se “Something is rotten in the state of Denmark” duket se shejtani po vepron edhe në politikën lokale shqiptare dhe s’do të lejojë krijimin e një uniteti të mirëfilltë.

Kësaj here, laneti paraqitet në fytyrën e një akti mjeran të pushtetarëve shqiptarë të Bujanocit, të ndërmarrë të premten e shkuar, me ç’rast kanë larguar 6 dhe kanë përgatitur të largojnë 6 shqiptarë të tjerë nga puna (edhe pse ata kishin marrëdhënie të rregullt pune në kohë të pacaktuar) – nga korriku i vitit të kaluar janë larguar mbi 50 shqiptarë nga puna.

Motivet e këtij akti të shëmtuar të udhëheqësve shqiptarë në Bujanoc, për largimet e reja nga puna të shqiptarëve, mund të jenë pjesë e revanshizmi politik të dëshmuar dhe në rastet e tjera, apo, mjerisht, motivi shtytës i veprimit të këtillë mund të jetë një kurth i ri i Beogradit, me prapaskenë të dëmtimit të procesit të ndërtimit të unitetit ndërshqiptar në Luginë të Preshevës, dhe pamundësimit të tyre për të paraqitur kërkesa konkrete.

Në rast të realizimit të këtij skenari të mbrapshtë, përgjegjësia e drejtpërdrejtë për dështim eventual, kësaj radhe, do të bjerë mbi kryetarin e Bujanocit dhe partinë e tij, edhe pse ai vetë nuk i ka përlyer duart për të nënshkruar këto akte të shëmtuara, por, këtë punë të ndytë ua ka lënë sejmenëve të vet.