Hulumtimi ka treguar se zonat rurale nuk trajtohen njësoj në investime

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – KCIC ka kryer një hulumtim në zonat rurale të Gjilanit lidhur me investimet e qeverisë komunale dhe më pas, të gjeturat e hulumtimit, të përmbledhura në një raport, i ka diskutuar bashkërisht me grupet e interesi.

Në këtë hulumtim sipas Enver Kqikut janë përzgjedhur dhjetë fshatra për të qenë pjesë e këtij hulumtimi: Zhegra, Lladova, Pogragja, Malisheva, Përlepnica, Bresalci, Cërnica, Livoqi i Ulët, Velekinca dhe Dobërqani. Përzgjedhja e fshatrave është bërë nga propozimet e organizatave jo-qeveritare, të dalë nga takimet e rregullta me OJQ-të e rrjetëzuara të Anamoravës.

Përmes këtij hulumtimi, organizata, ka pasur për qëllim të përfshijë qytetarët e vendbanimeve të përzgjedhura që lirshëm të shprehin mendimet e tyre dhe të përgjigjen në pyetjet e formuluara dhe të japin në mënyrë objektive vlerësimin rreth gjendjes faktike të investimeve, të bëra nga Qeveria Komunale e Komunës së Gjilanit, në secilin fshatrat veç e veç si dhe gjithashtu të shprehin vlerësimet e tyre rreth gjendjes aktuale në vendbanimet e tyre. Kështu disa prej pyetjeve në pyetësor kanë qenë të karakterit të përgjithshëm.

Në hulumtim janë përfshirë grup moshat e ndryshme. Nga numri i përgjithshëm i respondentëve, prej tyre 37,61% kanë qenë të moshës 18-25 vjeçare; 37.61% të moshës 26-45 vjeçare , kurse 24.77% e të anketuarve kanë qenë të moshës 46-65 vjeçare.

Gjithashtu, prej të intervistuarve, 78.9% kanë qenë të gjinisë mashkullore, përderisa 21.1% të gjinisë femërore. Sa i përket faktit se a janë të punësuar, 56.3% kanë qenë në marrëdhënie pune, kurse të pa punësuar kanë qenë 43.7 %. Pyetësori ka qenë i përbërë prej 13 pyetjeve, ku 10 prej tyre kanë qenë pyetje të mbyllura ndërsa 3 pyetje kanë qenë të hapura dhe intervista me një kandidat mesatarisht ka zgjatur 3-5 min.

Në bazë të hulumtimeve të bëra vrejmë se, përderisa në fshatin Malishevë qytetarët janë shumë të kënaqur me punën e komunës së Gjilanit, respektivisht me 45.5%, fshatrat tjera siç janë Zhegra, Velekinca, Lladova dhe Pogragja, niveli i knaqshmërisë është 0%. Kjo le të kuptoj se qytetarët e këtyre fshatrave nuk janë të kënaqur me punën e komunës së Gjilanit dhe shërbimet që ofron për qytetarë.

Nga grafikonet shihet se pjesëmarrja e qytetarëve në punët e Asamblesë Komunale është shumë e ulët. Vetëm 5.5% e të anketuarve janë deklaruar se marrin pjesë në punimet e Asamblesë Komunale. Ndërsa, në fshatin Velekincë për dallim nga fshatrat tjera pjesëmarrja është diç më e lartë, me 12%.

Të anketuarit nga fshati Livoc i Epërm, Zhegra dhe Përlepnica janë deklaruar se mbahen dëgjime publike në komunën e tyre. Përderisa, qytetarët nga Malisheva dhe Bresalci thanë të kundërtën. Rezultati i përgjithshëm i pyetjes “A mbahen dëgjimet publike në komunën tuaj” tregon se 40% e të intervistuarve janë deklaruar negativisht rreth mbajtjes së dëgjimeve publike në Gjilan, dhe 37% kanë thënë se nuk din ose nuk janë të informuar nëse komuna mban dëgjime publike.

Sipas rezultateve shihet se qytetarët e fshatit të Bresalcit janë deklaruar se nuk marrin pjesë në dëgjimet publike të komunës. Megjithëse, përqindje e ulët, mbi 25% e të anketuarve nga fshatrat Livoc i ulët, Malishevë dhe Dobërcan, janë deklaruar se marrin pjesë në dëgjimet publike të komunës së Gjilanit.

Uji Dea

Nga grafikonet shihet se në fshatin Malishevë ka pasur investime më shumë, përgjatë tre viteve të fundit nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, me 45.5% të vlerësimit pozitiv të qytetarëve. Për dallim, qytetarët e anketuar nga fshati Zhegër dhe Bresalc kanë vlerësuar se komuna ka bërë shumë pak investime gjatë tre viteve të fundit.

Sipas të dhënave statistike të deklaruara nga qytetarët e anketuar nëpër 10 fshatrat e komunës së Gjilanit, shihet se perceptimet janë të ndryshme, në lidhje me investimet e bëra në tre vitet e fundit qeverisja lokale në Gjilan. Për shembull, banorët e fshatit Përlepnicë, Bresalc, Pogragjë dhe Zhegër mendojnë se fshatrat tjera kanë përfituar më shumë investime.

Disa të anketuar në zonat rurale të komunës së Gjilanit përpos se janë deklaruar se fshatrat tjera kanë përfituar më shumë investime se sa vendbanimi i tyre, ata janë shprehur mjaft të pakënaqur duke thënë se fshatrat serbe kanë përfituar më shumë.

Hulumtimi nxjerrë në pah se të anketuarit janë pak dhe deri diku të kënaqur me punën e komunës së Gjilanit, dhe investimet e bëra përgjatë tre viteve të fundit.

Të anketuarit e fshatrave Bresalcë dhe Dobërcanë kanë thënë se bëhen dallime politike gjatë investimeve, shprehur në përqindje 83.3%, respektivisht 72.7%. Për dallim, të anketuarit e fshatit Malishevë janë shprehur me 45.5% në atë se nuk bëhen dallime politike dhe fshati Përlepnicë me 40%.

Nga grafikonet shihet se shumica e të anketuarve janë deklaruar se në komunën e Gjilanit ka korrupsion me një përqindje mbi mesatare, me përjashtim të fshatit Malishevë dhe Përlepnicës, fshatra këto ku banorët vlerësojnë se në komunë ka vetëm 9.1% korrupsion.

Të dhënat tregojnë se komuna ka bërë shumë pak për punësimin e të rinjve. Në disa vendbanime, deklarimet janë se Kuvendi Komunal i Gjilanit nuk ka bërë aspak për të rinjtë. Fshatrat me mendim të tillë janë: Pogragja, Cërnica, Bresalci dhe Dobërcani. Të anketuarit e këtyre vendbanimeve të komunës së Gjilanit, janë të frustruar me angazhimin e dobët të komunës së Gjilanit për punësimin e të rinjve.

Të anketuarit e zonave rurale të komunës së Gjilanit kanë paraqitur kërkesat e tyre rreth investimeve prioritare që duhet t`i ketë qeveria lokale./rajonipress/