Mobi Casa

Hulumtim profesional i Reshat Maliqit për kriminalitetin në Gjilan

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Reshat Maliqi i cili ka një përvojë të gjatë në polici, qoftë si komandantë i përgjithshëm ose edhe si drejtues shumëvjeçar i policisë rajonale në Gjilan ka realizuar një hulumtim profesional që lidhet me frikën nga kriminaliteti dhe ndjenjën e rrezikshmërisë në Gjilan. Maliqi nga ky hulumtim ka nxjerr konstatime interesante për disa lagje të qytetit, dhe për shumë të dhëna e statistika që lidhen me këtë dukuri dhe këtë fenomen shqetësues. Maliqi thotë për rajonipress se popullata e Gjilanit kriminalitetin edhe më tutje e percepton si një nga brengat më të mëdha.

“Frika nga kriminaliteti – ndenja e rrezikshmërisë në Gjilan” , periudha janar shkurt 2013. Kështu e ka titulluar hulumtimin e tij Reshat Maliqi dhe bashkautori Ahmet Maloku.

Maliqi i cili ka një përvojë të gjatë në polici dhe ka një karrierë të pasur në këtë fushë në mënyrë argumentuese e bindëse ka trajtuar fenomenin e frikës nga kriminaliteti.

Maliqi dhe Maloku në këtë hulumtim kanë përdorur metodat bashkëkohore duke shfrytëzuar anketat individuale dhe duke marrë përgjigje nga shumë grupe e lagje të qytetit.

Maliqi tha për rajonipress se nga ky hulumtim ka arritur të konstatojë se faktorët që ndikojnë në frikën nga kriminaliteti janë të shumtë, ku janë kyçur karakteristikat sociodemografike, viktimizimet e mëhershme, ekspozimi i temave të caktuara nëpër medie, shfrytëzimi i masave për mbrojtje personale, kontaktet e mëhershme me policinë dhe organet e gjyqësorit, perceptimi i fqinjëve, tiparet e personalitetit etj.

Maliqi thotë se popullata e Gjilanit kriminalitetin edhe më tutje e percepton si një nga brengat më të mëdha . Rreth 270 persona të moshës mbi 18 vjeçare janë anketuar në mënyrë gojore. Duke folur për rezultatet e anketimit Maliqi tha se femrat ndjenjë frikë më shumë nga kriminaliteti, pastaj të punësuarit kanë më shumë frikë nga kriminaliteti sesa ata të papunët, personat që kanë qenë viktima të kriminalitetit nuk ndjejnë dozë më të madhe se nga ata që nuk kanë qenë etj.

Uji Dea

Të anketuarit e këtij hulumtimi tregojnë se problem shumë të madh për ta paraqesin grupet- bandat e të rinjve për të cilat ka një shqetësim të madh. Këto banda kanë afër vetës grupe të rinjsh. Rreth 47% e të anketuarve janë ndier të sigurt natën në rrethin e tyre ku jetojnë thuhet në hulumtim.

Ndërsa grupi tjetër që ndihen të shqetësuar ka një përqindje prej 57% që lidhet me shkallën e rrezikut nga vjedhjet. Shkalla tjetër e rrezikshmërisë nga kriminaliteti lidhet me mashtrimin.

Një hulumtim interesant i të anketuarve flet se 67% e tyre nuk e kanë asnjë pjesë të qytetit ku nuk kanë guxim të shkojnë natën. Megjithatë rreth 33.33% e të anketuarve janë përgjigjur se ekzistojnë vende – lagje ku nuk do të frekuentonin natën, derisa rajoni më i rrezikshëm për ta natën është lagja “7 korriku”, pastaj lagja e “Arbërisë”, dhe lagja e “Balecit”.

Tjetër element i frikës nga kriminaliteti lidhet me mbrojtjen e pronës, pastaj viktimizimi dhe ekspozimi i medieve.

Maliqi ka dhënë edhe rekomandimet e tij profesionale. “Zbardhja e veprave penale nga ana e policisë dhe dhënia e dënimeve të merituara nga ana e gjyqësorit do ta zvogëlonte në një masë frikën nga kriminaliteti. Gjithashtu rol kyç në uljen e frikës nga kriminaliteti ka edhe perceptimi i fqinjëve, tipareve të personalitetit” .

Maliqi mendon se kriminaliteti dhe frika nga kriminaliteti e zvogëlon cilësinë e jetës së shumë qytetarëve gjilanas, sidomos atyre të moshuarve, fëmijëve dhe të miturve, atyre që jetojnë në zonat më të varfra dhe me një dendësi më të madhe të përqendrimit të banorëve./rajonipress/