Mobi Casa

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimin për ndarjen e 275 mijë eurove për mbështetjen e lehonave, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve dhe praktikantëve

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancën e radhës, nën drejtimin e kryesuesit Arianit Sadiku, ku ka shqyrtuar dhe miratuar raportin financiar janar-mars 2023, vendimin për komisionin për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve të institucioneve edukativo-arsimore në shkollat me mësim në gjuhën serbe, raportet e punës të Komiteteve për vitin 2022 si dhe planet e punës së këtyre trupave komunale për vitin 2023, kërkesën për mbështetje me 10 mijë euro të KV “Drita” (meshkujt) si dhe është informuar rreth manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2023.

Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për subvencionimin e grave lehona, bizneseve për të rinj, për gra, si dhe punësimin e personave me aftësi te kufizuar si dhe punësimin e praktikantëve.

Riad Rashiti, drejtor i Buxhetit, sqaroi se nga këto subvencione përfitojnë 20 persona me aftësi të kufizuar, përmes punësimit në sektorin privat dhe kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë në Kosovë, po edhe në Gjilan.

Sipas këtij vendimi, gratë do të subvencionohen me nga 100 euro për çdo lindje të re. Mjetet, 85 mijë euro, ndahen nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.


20 personave me aftësi të kufizuar do t`u subvencionohen pagat me nga 300 euro në muaj, duke filluar nga data 1 maj 2023 e deri më 31 dhjetor. Mjetet ndahen nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Për bizneset me pronare gra janë ndarë subvencione me një vlerë totale prej 50 mijë euro, ose deri në 5 mijë euro për biznes. Mjetet ndahen nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik.

Bizneset Start UP për të rinj subvencionohen me 85 mijë euro, ose në vlerën deri në 7.500 euro për biznes. Mjetet ndahen nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik.

Mobi Casa

Po ashtu, praktikantët të cilët punësohen në institucionet komunale, do të kompensohen me nga 170 euro në muaj, duke filluar nga data 1 maj e deri më 31 dhjetor 2023, projekt ky që realizohet në bashkëpunim me UNICEF-in dhe MFPT-në.

Kërkesa mori mbështetjen e plotë të Kuvendit, përfshirë edhe opozitën, e cila fillimisht kërkoi shtyrjen e kësaj pike për një seancë tjetër, me arsyetim se nuk janë ofruar sqarime të mjaftueshme se si do të bëhet subvencionimi i këtyre kategorive.

Ndërkaq janë shtyrë për një seancë tjetër projekt rregullorja për ndarjen e bursave për studentë, projekt rregullorja për te drejtat, detyrimet, disiplinën dhe përgjegjësitë e nxënësve në shkollat fillore si dhe projekt rregullorja mbi përgjegjësitë disiplinore të nëpunësve në institucionet edukativo-arsimore, pasi u vlerësua se ato kanë nevojë të përmirësohen dhe të bëhen më të dobishme.

Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, tha se nuk ka nevojë të bëhet komision i ri për këto rregullore, derisa një komision për akte komunale ekziston dhe ai vetëm duhet të ndihmohet këshilltarët komunalë si dhe grupet e interesit, për t`i bërë plotësimet e nevojshme.

‘Ne vetëm mund ta ftojmë komisionin në takime dhe t`i bëjmë propozimet tona deri në seancën e radhës, kur bëhet plotësimi dhe ndryshimi i këtyre rregulloreve’, ka thënë Sadiku

Ndërkaq, duke u përgjigjur në një prej interesimeve të këshilltarëve komunalë, sa i përket asfaltimit të rrugëve në drejtim të Bujanocit dhe Ferizajt, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku ka thënë se jemi në kontakt me Ministrinë e Infrastrukturës dhe po bëjmë presion që punimet të përshpejtohen dhe të kryhen sa më parë, në mënyrë që të lehtësohet aktiviteti i bizneseve përgjatë këtyre dy rrugëve sikurse edhe lëvizja e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në kohën kur ata vijnë për pushime në vendlindje.

Përndryshe, në fillim të seancës së sotme, Ismet Kryeziu (KDI) ka prezantuar programin e DEMOS-it që ka të bëjë me matjen e performancës së anëtarëve të Kuvendeve Komunale në 6 komuna, ku përfshihet edhe Gjilani, duke dhënë detaje edhe për indikatorët dhe poentimin./rajonipress/