UBT

Maliqi: Buxheti komunal i vitit 2025 sërish anashkalon brezin kufitar

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kjo tregon edhe një herë dështimin e kësaj qeverisjeje lokale në përfshirjen dhe trajtimin e drejtë të të gjithë qytetarëve thotë Latif Maliqi nga LDK e Gjilanit.

Maliqi tha për rajonipress se buxheti komunal shpeshherë është një nga faktorët kryesorë që përcakton mundësinë për investime në infrastrukturë dhe bujqësi, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonat e brezit kufitar.

“Në buxhetin komunal të vitit fiskal 2025 nuk kam parë ndonjë projekt që lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë zonë. Madje, edhe në një intervistë të mëparshme kam theksuar se ky buxhet nuk është gjithëpërfshirës dhe se kjo qeverisje lokale nuk i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
Për fat të keq, investimet në infrastrukturë bëhen kryesisht aty ku ndodhen vilat e miqve dhe të afërmve të kryetarit të komunës, madje duke shkelur edhe kufijtë administrativë të komunës” tha Latif Maliqi.

Sipas tij përveç rrugëve kryesore, në këtë buxhet është dashur të përfshihen edhe rrugët e rendit të tretë, ose siç i quajmë ndryshe “rrugët e arave”.

Uji Dea

“Edhe pse këto projekte nuk kanë kosto të lartë, ato do të kishin një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e bujqësisë, e cila është një nga shtyllat kryesore ekonomike për këtë zonë. Përveç investimeve në infrastrukturë, banorët e brezit kufitar duhet të përfitojnë lehtësira direkte në subvencionet që ndan komuna për bujqësinë.
Kur sheh bukurinë natyrore të këtyre fshatrave, është e qartë se ekzekutivi komunal duhet t’u japë përparësi kërkesave të banorëve të kësaj zone.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, pasi asnjë dëgjim publik nuk është organizuar për të mbledhur mendimet dhe nevojat e tyre.
Kjo tregon edhe një herë dështimin e kësaj qeverisjeje lokale në përfshirjen dhe trajtimin e drejtë të të gjithë qytetarëve” është shprehur Maliqi.

Maliqi tha se ne, si LDK, kemi ndërhyrë në rregullimin e një rruge nga Pogragja deri në Sllubicë, me një investim prej 600 mijë eurosh, duke planifikuar 300 mijë euro për vitin 2025 dhe po aq për vitin 2026.

“Me kthimin tonë në pushtet, do të shqyrtojmë mundësitë buxhetore për të investuar edhe më shumë në këtë zonë, në mënyrë që të ndihmojmë në ruajtjen e popullsisë vendase dhe, pse jo, të inkurajojmë kthimin e atyre që dëshirojnë të organizojnë jetën e tyre këtu.
Për më tepër, investimet në këto fshatra do ta bënin këtë zonë shumë më tërheqëse për turizëm. Si këshilltarë komunalë, kemi obligimin që secilin qytetar dhe çdo lokalitet ta trajtojmë me dinjitet.
Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh me këtë qeverisje lokale, e cila vazhdon të dështojë në ndarjen e drejtë dhe transparente të buxhetit komunal” tha Maliqi./rajonipress/