Bujar Salihu nderohet me çmimin e dytë në konkursin letrar të Dardanës për poezinë “HIMERË”
Gjilan – Krijimtaria poetike e Bujar Salihut është vlerësuar me çmimin e dytë në konkursin letrar të organizuar nga Klubi Letrar «Nositi» dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Dardanës. Poezia e tij me titull «HIMERË», e paraqitur në këtë konkurs anonim, ka marrë vlerësimin e jurisë, duke e renditur krijuesin ndër poetët e dalluar të këtij edicioni.
Lajmin për këtë vlerësim e ka bërë të ditur vetë Bujar Salihu përmes një postimi, ku ka shprehur mirënjohje për organizatorët e konkursit dhe jurinë vlerësuese, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në promovimin e letërsisë dhe të vlerave krijuese.
Me këtë rast, Salihu ka përgëzuar edhe krijuesit e tjerë pjesëmarrës dhe fituesit e konkursit, ndërsa ka ndarë me publikun poezinë «HIMERË», me të cilën është nderuar me çmimin e dytë.
Poezia karakterizohet nga një gjuhë e pasur simbolike, imazhe poetike dhe ndërthurje të elementeve mitologjike, historike e emocionale. Përmes vargjeve që ndërtojnë një atmosferë mes legjendës, dashurisë, plagëve dhe betejës, autori sjell një krijim me dimensione të theksuara metaforike dhe reflektuese.
Duke e ndarë këtë vlerësim me publikun, Bujar Salihu ka dëshmuar edhe një herë rëndësinë e krijimtarisë letrare si hapësirë e shprehjes artistike dhe komunikimit me lexuesin.
Poezia e vlerësuar me çmimin e dytë – «HIMERË»
Unë dola i fundit nga mali i legjendave
Një mijë e një net kisha fjetur
Në prehrin e saj të mëndafshtë
Shtatë baladat shtatzëna
Përflakën natën e kllapitur
Pranë dritares së përndritur
Ajo shkruante letrën e fundit të dashurisë
E më lidhte plagët me fije shiu
Kuajt tanë të zi
Pinin ujë në pellgje akullnajash
Mbi krifat e tyre befas u zgjuam
Në një betejë
U flakëm nga një katapultë
Jashtë orbitës së të gjallëve
Nuk e di a shpëtuam.
“Gëzuar 28 Nëntorin!

