RCCOLA

“Hija”, Romani që ndenji 8 vjet i kyçur në një Bankë të Parisit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Romani “Hija” i Ismail Kadaresë, i shkruar në vitet 1984-1986. Si doli jashtë Shqipërisë, i retushuar si përkthimi i shkrimtarit gjerman Zigfrid Lenz, për t’u fshehur në një bankë në Paris nga botuesi francez dhe që mund të botohej vetëm në ndonjë rast “aksidenti” të shkrimtarit.

Ndërsa hija e komunizmit ndihej kudo, në studion e tij, në tryezën e tij të punës, ku dhjetëra letra të bardha visheshin me histori, Kadare mundohej të shmangej prej saj. Përmes shkrimit ai mund të kalonte kufijtë dhe diktaturën, por kjo mund të ndodhej vetëm në ato letra të bardha që ruheshin me aq kujdes nga autori.

Ishte viti 1984, vetëm një vit para se udhëheqësi komunist Enver Hoxha të ndahej nga jeta, kur ai nisi të hidhte në letër historinë e një kineasti, që jetonte në një vend komunist, që ndryshe nga kolegët e tij kishte mundësinë të udhëtonte në Paris. Për tre vjet (deri në vitin 1986), Kadare përfundoi një nga romanët më të bukur të shkruar ndonjëherë për filozofinë e vendeve që kanë jetuar në diktaturë, rrëfyer përmes historisë së një artisti të dështuar.

Romani “Hija” kishte kaluar të gjitha caqet dhe rregullat e realizmit socialist, dhe as që mund të mendohej se mund të botohej ndonjëherë në Shqipërinë e asaj kohe, madje mund të ndodhte e kundërta: nëse ai dorëshkrim zbulohej, fati i shkrimtarit mund të vihej në dyshim. Dhe pse e dinte këtë të fundit, Kadare nuk e grisi dorëshkrimin, ashtu si nuk e ndali frymëzimin teksa me orë të tëra ndërtonte ngjarjet që ndiqnin udhëtimin e personazhit të tij nga Parisi në Tiranë. Përpara fuqisë së shkrimtarit, ai kishte dorëzuar fatin e tij, pa menduar për rrezikun. Në atë studio ai donte të ndihej i lirë, duke harruar se përtej dritares, apo derës së apartamentit, diktatura ishte po aty, dhe se ai libër që e shkruante me aq dëshirë, mund të mos botohej kurrë.

RCCOLA

Titulli fillestar i romanit ishte “Tre K” dhe ashtu si vetë Kadare ka treguar në botimin që libri pati në vitin 2003, pas 17 vitesh nga koha kur e kishte shkruar, ai është shkruar në të njëjtën kohë me romanët “Vajza e Agamemnonit” dhe “Ikja e Shtërgut”. “Të destinuara për të mos u botuar, për shkak të përmbajtjes, dorëshkrimet e tyre u nxorën nga Shqipëria dhe u depozituan në një bankë të Parisit, pjesërisht prej autorit e pjesërisht prej presidentit të shtëpisë botuese ‘Fayard’, Claude Durand, ardhur në Shqipëri enkas për nxjerrjen e tyre jashtë kufirit”, thotë Kadare. Botuesit i ishte dhënë një urdhër që ta botonte menjëherë në rast “aksidenti” që mund t’i ndodhte shkrimtarit. Në njëfarë mënyre, vepra kishte kapërcyer kufirin e ferrit në vend të autorit të saj. Meqenëse nxjerrja e dorëshkrimeve origjinale ka qenë e ndaluar me ligj, për të shmangur rrezikun, autori, gjatë daktilografimit i ka bërë disa retushe të sipërfaqshme veprës, duke e paraqitur si përkthim nga shkrimtari gjerman Zigfrid Lenz.

Për këtë, mjaft emra të personazheve e të mjedisit, u zëvendësuan me emërtime të botës gjermanike. Në vitin 1992, në një takim ndërkombëtar shkrimtarësh në Oslo të Norvegjisë, Zigfrid Lenz, i njoftuar për ngjarjen, shfaqi publikisht kënaqësinë e tij, që pa e ditur as vetë, i kishte huajtur emrin e vet për t’i shërbyer si mbrojtje një kolegu të largët në vështirësi. Në frëngjisht, romani u përkthye nga Jusuf Vrioni dhe u botua prej “Fayard” më 1994-n, gati 8 vjet pas izolimit të tij në bankë.

Libri do të vlerësohej menjëherë nga kritika franceze, e cila e quan Kadarenë si një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët. Në Perëndim, tregimtari zbulon në mënyrë graduale se nuk i përket në të vërtetë botës së të gjallëve, se është “i ngrirë” nga vdekja, mbretëria e së cilës shtrihet në Lindje. Koha e shkurtër dhe kushtet e qëndrimit, ankthi i kthimit nuk i japin ngrohjen e shpresuar: atij i duhet të niset për t’u mbyllur në vendin e tij, për t’u futur në arkivolin e tij, si personazhet e baladave të lashta (kujtojmë Kostandinin dhe motrën e tij Doruntinën, rreth të cilëve kjo temë bëhet gjithnjë e më e pranishme gjatë gjithë faqeve të librit).

Ky roman është romani i kapërcimit të kufirit të pamundur: kapërcim i vdekjes, ëndërr rimishërimi-aspirata që kanë pushtuar njerëzimin që nga origjina e tij. Përveç kësaj, ato trajtohen këtu me dekorin e jetës moderne: avionë, kafene, kabare, ambasada, mbrëmje mondane, rrugë, dhoma hoteli, telefon etj., duke ruajtur dimensionin tragjik të skemave tregimtare të dikurshme, kur heronjtë ngriheshin nga vendi i të vdekurve në kthetrat e një shqiponje dhe jo në bordin e një fluturimi ajror Tiranë-Paris… Tema e izolimit të një vendi të shtetasve të tij, të artistit dyfish të vetmuar, trajtohet këtu me një dimension thuajse kozmik madhështor, ku përmenden dhe nota biblike.(Shqip)