Hidromorava

Heronj e hajvanë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj- Në kohën kur hajvanë gjen me bollëk, neve na duhen heronj – heronj të gjallë. Modele që na tregojnë se jo gjithçka duhet lënë në dorë hajvanëve.

Në kohën kur heronjve të vërtetë dhe të tjerëve të shpifur që nuk rrojnë më po iu thuren lavde e ngriten përmendore, heronj të tjerë të gjallë, të kohës sonë, meritojnë njësoj nderim e respekt. Ndërkaq, hajvanë e sharlatanë që na rrethojnë, na kujtojnë sa të mjerë janë, e sa fajtorë jemi ne që me lehtësi i pranojmë si pjesë normale të shoqërisë.

Rita Ora me një spot muzikor të xhiruar në vendlindjen e saj, po bën shumë më shumë se miliona euro të shpenzuara në fushata për promovimin e imazhit të Kosovës në botë.

Ndryshe nga skenat futuriste të spoteve “Kosovo – The Young Europeans”, apo skandaleve të tipit “Newporn”, skenat e paraqitura në spotin e Ritës janë reale, të vërteta. Mund të duken të zymta, por kanë optimizëm – ashtu si dhe jeta që jetojnë njerëzit në Kosovë.

Në një vend normal, Rita do të konsiderohej heroinë, por ne i vlerësojmë heronj e heroina njerëzit vetëm pasi të ikin nga kjo botë.

Natyrisht, gjenden hajvanë që gjejnë arsye kot për të refuzuar atë që ka bërë Rita, madje edhe duke akuzuar pse në spotin e këngës “Shine Ya Light” nuk shihet flamuri kombëtar shqiptar, por vetëm ai i Kosovës. Për mua gjithçka është e qartë: çika ka lindur në Kosovë dhe dëshiron ta promovojë vendin e saj. Kaq!

Përveç Ritës, për mua epitetin e heroit e ka marrë edhe një tjetër personazh. Nuk është shqiptar, madje vendi i tij as që e ka njohur Kosovën shtet. Por, kjo nuk çon fort peshë në këtë rast.

Presidenti i Uruguait, 77 vjeçari José Mujica, është shembull i qeverisjes dhe llogaridhënies në një shtet. Ai është krejt ndryshe nga udhëheqësit e vendeve të tjera dhe as që mund të krahasohet me ata të Kosovës.

I njohur si Pepe, ai jep më shumë që 90 për qind të pagës për bashkëvendësit e tij. Paga e tij vjetore është 15.000 dollarë bruto. Ngjashëm me të vepron edhe gruaja e tij senatore. Gjëja më e shtrenjtë që kanë është një veturë Volkswagen që kushton rreth 2.000 dollarë.

Rrëfimi për Pepen u botua në shumë media nëpër botë. Vendi i tij konsiderohet një ndër më pak të korruptuarit në botë, me shkallë të ulët të papunësisë dhe renditet i treti për nga zhvillimi ekonomik në Amerikën e Jugut.

UBT

Pepe bën një jetë të thjeshtë, refuzon të jetojë në pallatin presidencial, të cilin gjatë dimrit ua lëshoi të pastrehëve, ndërkaq pa përtesë iu ndihmon fqinjve në punë të shtëpisë.

Në Kosovë, udhëheqës shtetërorë, por edhe politikanë të opozitës, nuk e njohin këtë mënyrë jetese. Ata ngrenë pallate, blejnë makina të shtrenjta e mbushin llogaritë bankare çdo ditë, pavarësisht se kanë qenë ose janë në krye të një vendi të varfër, me nivel të lartë papunësie dhe zhvillim ekonomik minimal. Ata jo që nuk meritojnë epitet prej heronjsh, por është pak t’iu thuash edhe hajvanë. Paranë publike e shpenzojnë sa munden dhe nuk kursejnë në lukse.

Sa për ilustrim, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, institucionet e vendit vetëm për udhëtime kanë shpenzuar mbi katër milionë euro, gati përgjysmë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vitin e kaluar, ndërkaq, Komuna e Prishtinës në dreka zyrtare ka shpenzuar mbi 47 mijë euro, ajo e Fushë Kosovës mbi tetë mijë euro për qebapa dhe sallata, Lipjani për dreka dhe darka zyrtare mbi 23 mijë euro, e Malisheva mbi 27 mijë. Lista vazhdon me komuna të tjera, si Vitia e cila në udhëtime ka shpenzuar mbi 31 mijë euro, Vushtrria që vetëm për telefonata ka shpenzuar 43 mijë euro, e Kamenica me mbi 25 mijë euro për dreka zyrtare. Vazhdojnë Prizreni me 74 mijë euro shpenzime udhëtimi, Dragashi me 10 mijë për dreka zyrtare… Etj, etj.

Megjithatë, në gjithë këtë maskarallëk, dikush meriton të çmohet për qeverisjen e tij. Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, i cili nuk ka harxhuar asnjë cent në darka e dreka, madje as nuk e ka përdorur kartelën për shpenzime gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Nga homologët e tij nëpër Kosovë Suma mund të konsiderohet hajvan pse nuk ka keqpërdorur paratë e qytetarëve për lukse e salltanete. Por, Suma është një hero. Ashtu si Pepe i Uruguajit. Si Rita Ora.

E tillë është për kosovarët edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Ajo, e cila bëri shumë që të shpëtojë një popull të tërë, nga një luftë e tmerrshme.

Albright nuk përtoi që së fundi t’iu kundërvihet ashpër një numri serbësh dhe çekësh proserbë, të cilët protestuan dhe e fyen atë, teksa promovonte në Pragë librin e saj me titull “Prague Winter: A Personal Story of Remembrance and War”.

Hajvanë të tipit Vaclav Dvoržak e quajtën Albright’in kriminele lufte, por ajo ia ktheu se të tillë ishin ata që po e akuzonin.

Gjithmonë do të ketë më shumë hajvanë, sesa heronj. Neve na duhen sa më shumë heronj të gjallë, që bëjnë vepra të mira, e jo hajvanë që përpiqen të na shfaqen si të mirë. Neve na duhen modele për ecje përpara – na duhet inspirim.