Eko Higjiena

Haradinaj u intervistua nga Haga para se të bëhej kryeministër

/ 3 minuta lexim

Ramush Haradinaj e ka ditur se Gjykata e Hagës po heton për veprimtarinë e tij gjatë luftës para se të bëhej kryeministër i Kosovës. LDK dhe AAK në fund të vitit 2004 vendosën që Haradinajt t’ia besojnë qeverinë me gjithë faktin se e dinin për mundësinë që puna e tij do të mundë të ndërpritej si pasojë e një aktakuze për krime lufte.

Këtë fakt e zbulon Soren Jesen Petersen, ish-shefi i UNMIK-ut në parathënien që e ka shkruar në librin për Haradinajn, i cili do të publikohet sot nga autori, Michael O’Reilly, “Haga e Ramush Haradinajt”. Ky i fundit ka qenë avokati mbrojtës i Haradinajt në Tribunalin e Hagës.

Tre muaj pas emërimit, Haradinaj jep dorëheqje pasi edhe zyrtarisht u bë aktpadi ndaj tij për krime lufte në Gjykatën e Hagës.

“Kur u informova për herë të parë për emërimin e tij si kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve në vjeshtën e vitit 2004, i thashë se isha informuar se ai, ashtu si të tjerë kosovarë, ishte marrë në pyetje nga Gjykata mbi aktivitetet e kryera gjatë luftës dhe se, nëse do të akuzohej apo paditej për këto aktivitete, edhe pse në kohën e emërimit të tij në detyrë kjo dukej një perspektivë krejt e largët, atëherë duhej të jepte menjëherë dorëheqjen e të shkonte në Hagë”, shkruan diplomati danez.

Eco Higjiena

Peterson gjithashtu flet edhe për ish-kryeprokuroren e Hagës, Carla del Ponte, të cilën e quan të papërgjegjshme dhe e cila bënte edhe politikë.

Del Ponte bënte thirrje të mos njihej Kosova se zemërohej Serbia

Diplomati danez thotë se ka pasur raste kur del Ponte ndërhynte në proceset integruese në BE të vendeve të Ballkanit, por më e rënda është se ka bërë thirrje edhe për mosnjohjen e Kosovës nga OKB-ja pasi kjo do t’ia ndërlikonte punën asaj me Serbinë.

“Respekti dhe mbështetja ime për Gjykatën është dobësuar disi me kalimin e kohës, sidomos për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Karla Del Pontes. Qysh në krye të herës, ajo e trajtoi Gjykatën si çifligun e saj, duke injoruar këshillat e kolegëve mbi nevojën dhe mënyrën e zhvillimit të padive dhe aktakuzave për krime lufte. Edhe më shqetësues është fakti se ajo fuste vazhdimisht hundët në proceset politike, si për shembull duke u bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian të mos fillonin ose të ndërprisnin negociatat për anëtarësim me shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk po “hidhnin vallen me ritmin e saj”, si dhe duke i bërë drejtpërdrejt thirrje Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të mos njihte pavarësinë e Kosovës pasi kjo do t’ia ndërlikonte asaj përpjekjet për të arritur bashkëpunimin me autoritetet e Serbisë për dorëzimin e serbëve të akuzuar për krime lufte”, shkruan ndër të tjera Soren Jesen Petersen.