UBT

Hajnat e ‘ndershëm’!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Lavdim Hamidi – Në Kosovë nuk ka korrupsion, gjithçka është perceptim. Kështu arsyetohej muaj më parë Isa Mustafa para kabinetit të tij qeveritar dhe para opinionit publik, përkundër faktit se në media atë kohë lakohej emri i djalit të tij, si fitues i një tenderi nga Zyra e Kryeministrit.

Në fakt Mustafa fliste për korrupsionin sikur të ishte kryeministri i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, shteti i të cilit në raportet ndërkombëtare vazhdimisht del të jetë më i pakorruptuari në botë.

Gjithçka do të ishte në rregull, sikur një deklaratë e tillë të dilte nga goja e kryeministrit Rasmussen, por jo edhe nga ajo e Mustafës.

Ky i fundit naivisht përpiqej që t’i mbronte më shumë se gjysmën e ministrave të kabinetit të tij, të cilët janë bërë milionerë nga paslufta dhe duke iu hedhur hi syve opinionin publik, ndonëse të gjithë ata milionerë që i drejtojnë dikasteret qeveritare para se të nisnin karrierën politike ishin raste të rënda sociale.

Derisa deklaronte nga mbledhja e Qeverisë se korrupsioni është perceptim, do të duhej ta kthente kokën për pak çaste kah zëvendësi i tij i parë, Hashim Thaçi, që ta pyesë se ku i mori paratë për ta ndërtuar pallatin prej qindra metra katrorë në Prishtinë?

Me siguri se një shtëpi e tillë gjigante nuk është ndërtuar me një pagë, apo dy të tilla, nga buxheti i varfër i Kosovës!

Një pyetje të tillë do të duhej t’ia bënte edhe ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të komunave që vijnë nga radhët e partisë së tij dhe disa komandantëve të luftës.

Por ja që më lehtë është të thuhet se në Kosovë nuk ka korrupsion sesa të luftohen të korruptuarit, pasi që në të kundërtën do të duhej t’i shpallte luftë edhe vetes, duke pasur parasysh dhjetëra dosje që i ka në prokurori, gjatë mandatit në krye të Komunës së Prishtinës, bashkëpartiakëve të tij dhe partnerëve të koalicionit. Sipas kësaj logjike që po mbretëron në institucione, në Kosovë nuk ka zyrtarë të korruptuar, të gjithë janë të ndershëm.

Uji Dea

Kjo pasi që nuk ka asnjë rast kur ndonjë biznesmeni i janë kërkuar 80 për qind e mjeteve të tenderit, por vetëm 20 për qind!

Se Kosova është në “vijën e kuqe” të korrupsionit, së fundi e dëshmoi edhe raporti i “Transparency International” i publikuar ditë më parë, ku shteti më i ri evropian është i 103-ti në listën e shteteve më të korruptuara në botë, në linjë me një shtet afrikan, Etiopinë.

Në raportet e organizatave ndërkombëtare për Etiopinë thuhet se ka transparencë minimale në institucionet publike, ryshfeti është një dukuri e rëndomtë, përderisa gjatë një periudhe prej më pak se dhjetëvjeçare dyshohet se 8 miliardë dollarë amerikanë janë nxjerrë fshehurazi nga vendi.

Duke dhënë deklarata boshe se korrupsioni është vetëm perceptim, pa ndërmarrë veprime konkrete për ta luftuar këtë dukuri negative, Kosova ka mbetur edhe këtë vit më e korruptuara nga të gjitha shtetet fqinje.

Mali i Zi del të jetë shumë më pak i korruptuar se Kosova, duke u radhitur i 61-ti në listën e “Transparenty International’, Maqedonia e 66-ta, Serbia e 71-ta, Bosnja e 76-ta, përderisa Shqipëria e 88-ta.

Me një shkallë të lartë të korrupsionit, më të lartën në Ballkan, Kosova nuk do të mundë ta bindë asnjë investitor serioz që ta sjellë kapitalin financiar këtu e as të krijojë vende të reja të punës.

Të gjithë investitorët, siç kanë vepruar edhe më herët, do të shkojnë në rajon, ku brenda ditës po arrestohen dhjetëra zyrtarë dhe biznesmenë të dyshuar për korrupsion, siç ishte rasti i fundit në Serbi ku u arrestuan 80 veta brenda ditës si të dyshuar për korrupsion. Aq veta në Kosovë nuk janë arrestuar që nga paslufta.

Pa i arrestuar të korruptuarit dhe duke thënë se shkalla e lartë e korrupsionit është vetëm perceptim, në raportet e ardhshme të “Transparency International” Kosova do të mundë t’i bëjë konkurrencë serioze Sudanit, Sirisë dhe Zimbabvesë në “garën” për shtetet më të korruptuara në botë.