Mobi Casa

Kërcënimet me vrasje s’janë hajgare

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj – Kërcënimet dhe thirrjet për vrasje në rrjetet sociale, të bëra nga kushdoqoftë, nuk janë hajgare dhe duhet të trajtohen seriozisht. Përndryshe, dëshira ose qëllimi për t’ia marrë dikujt jetën, për ta sulmuar ose linçuar bëhen normale dhe shkaktojnë frikë e pasiguri.

Është rikthyer në publik diskursi për vrasjet e politikanëve dhe kërcënimet me vrasje. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Faton Klinaku, zgjodhi të tregojë në Facebook se më parë do ta vriste Albin Kurtin, se sa t’ia lëshojë rrugën e të ikë nga Kosova. Policia e intervistoi Klinakun, ndërkaq vepra penale për të cilën ai po dyshohet është dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.

Deklarimi i Klinakut shkaktoi reagime dhe interpretime të shumta. Kishte nga ata që thonin se ai nuk kishte kërcënuar, por edhe të tjerë që mendonin ndryshe. Sidoqoftë, ai ka mundur të shpreh mendimin e tij duke mos e bërë krahasimin me vrasjen e kryeministrit, ka mundur të gjejë një formë tjetër që të thotë atë që ka dashur ta thotë.

Ndër vite në Kosovë zyrtarë partiakë kanë akuzuar njëri-tjetrin për vrasje rivalësh politikë. Nuk kanë hezituar që këto akuza t’i shfrytëzojnë edhe për përfitime elektorale. Por, nuk kanë munguar as kërcënimet.

Kërcënime me vrasje gjen me bollëk në rrjete sociale. Njerëz të frustruar, që nuk pajtohen me mendimin e dikujt – kryesisht të gazetarëve e opinionistëve – nuk ngurrojnë që ata t’i kërcënojnë hapur dhe të bëjnë thirrje që ata “të hiqen qafe”, “të varen në shesh”, atyre “t’iu hiqet flama”, për ta “bën punë veç plumbi” e të tjera thirrje të këtij lloji. Policia e gjykatat në disa raste e kanë kryer punën e vet si duhet, duke i sjellë të tillët para drejtësisë, por kërcënimet nuk reshtin.

Faton Klinaku përfaqëson një organizatë, pavarësisht se mendimi i shprehur në rrjetet sociale mund të jetë personal. Në këtë mënyrë, me a pa dashje, ai përfshin në këtë çështje edhe organizatën. Shto kësaj animozitetin e treguar vitet e fundit ndërmjet njerëzve të OVL të UÇK’së dhe qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, deklarata e Klinakut merr tjetër konotacion.

Uji Dea

Kërcënimet dhe thirrjet për vrasje në rrjetet sociale, të bëra nga kushdoqoftë, nuk janë hajgare dhe duhet të trajtohen seriozisht. Përndryshe, dëshira ose qëllimi për t’ia marrë dikujt jetën, për ta sulmuar ose linçuar bëhen normale dhe shkaktojnë frikë e pasiguri.


Mosdurueshmëria për mendimin e lirë të tjetrit nuk ka qenë asnjëherë më e madhe se tash. Nëse zgjedh të thuash diçka në rrjetet sociale ose në televizion, është e pamundur të mos përballesh me sulme e kërcënime të ndryshme. Veçanërisht për deklarimet politike.

Militantët nuk ngurrojnë të nxjerrin gjithë “armatimin” online, për të nxirë personin që “ka guxuar” t’ua kritikojë partinë ose liderin. Një grup tjetër shumë agresiv është ai i përbërë nga fanatikë fetarë, të cilët po ashtu sulmojnë, shajnë e fyejnë.

Në vend që të shërbejnë për debat dhe ballafaqim idesh për tema të caktuara, platformat online janë kthyer në arena për qërim hesapesh me kundërshtarët dhe me të gjitha ata që nuk mendojnë si ata. Të tillët i keqinterpretojnë me qëllim mendimet dhe qëndrimet e të tjerëve. Në shumicën e rasteve ata as që merren me temën, për të cilën dikush ka shkruar në rrjetet sociale ose ka diskutuar në televizion, por merren me personin që ka thënë atë, duke e sharë e fyer, duke e kërcënuar, duke ia sharë familje e farefis. Të tjerë e lidhin autorin me Serbinë e Rusinë, pretendojnë se paguhet nga burime të dyshimta financiare e çka jo tjetër. Pra, mobilizimi është i gjithanshëm për sa më shumë sulme, sa më shumë kërcënime.

Dikush mund të konsiderojë se një gjuhë e tillë e përdorur online ndaj dikujt nuk duhet marrë seriozisht dhe se në internet gjen sa të duash budallenj e badihavaxhinj që nuk përtojnë të merren me të tilla gjëra. Por, nuk është kështu.

Secili që zgjedh të sulmojë, shajë e fyejë dikë duhet të përgjigjet për veprën e tij. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndikohet tek të tjerët që të kuptojnë se platformat online nuk janë tabela qitjeje për askënd dhe se kërcënimet ndëshkohen.